Kryefaqja Lajm kryesor Gurët në veshka, mjekimi aktual medikamentoz

Gurët në veshka, mjekimi aktual medikamentoz

0
Shpërndaje

Prof. dr. Alketa Koroshi

Gurët e veshkave e të rrugëve urinare përbëjnë një problem në të gjitha vendet e botës. Çdo vit afro 1% e popullsisë bëjnë gurë në veshka për herë të parë dhe në total 5% e njerëzve janë me gurë në veshka vazhdimisht. Në 50% të rasteve njerëzit që kanë bërë një herë gurë në veshka kanë përsëri shans të bëjnë gurë në të ardhmen. Afro një e katërta e njerëzve do bëjnë dikur gur në veshka në jetën e tyre. Trajtimi i tyre dhe i komplikacioneve që ato shkaktojnë i kushtojnë Amerikës rreth 5 miliardë dollarë në vit.  Pse sot janë më të shpeshtë gurët e veshkave se në të kaluarën? Pa dyshim kjo lidhet me ndryshimin e dietës dhe të stilit të jetës.

Te çdo njeri analiza e urinës tregon që ka kripëra të oksalatit të kalciumit. Por kur ato janë me shumicë precipitojnë duke formuar kristale e më vonë gurë në rrugët urinare. Kjo është arsyeja që më shumë se 70% e gurëve në veshka janë të përbërë pikërisht nga oksalatet e kalciumit.

Po mund të lindë pyetja: pse jo të gjithë njerëzit bëjnë gurë në veshka ?

Me sa duket nuk ka rëndësi vetëm dendësia e madhe e këtyre kripërave në urinë, por edhe disa ndodhi biologjike të tjera në organizëm.

Brenda veshkës në këta njerëz që më vonë do bëjnë gurë, formohen fillimisht disa pllaka (pllakat e Randall) që janë zanafilla e precipitimit dhe rritjes së kristaleve. Më vonë këto kristale agregojnë (ngjiten me njëra tjetrën) duke formuar gurët.  Në formimin e gurëve kanë rëndësi dalja në urinë e  kalciumit, oksalateve, citrateve dhe sasia e ujit. Etja është një stimul që nxit njeriun të pijë më shumë ujë. Po ashtu edhe trashëgimia dhe gjenet ndikojnë në nxjerrjen e kalciumit me urinë. Edhe dieta me ushqimet që përdoren kanë rëndësinë e vet.

Trakti gastro-intestinal luan një rol kyç në biologjinë e oksalateve. Në një njeri normal vetëm 10% e oksalateve që merren me ushqime, absorbohen nga zorra sepse pjesa tjetër lidhet në lumenin e zorrës me kalciumin që merret me ushqime dhe nxirret jashtë me feçe. Prandaj dieta pa kalcium bën që mos të lidhet kalciumi me oksalatet në zorrë dhe të mundësohet përthithja e madhe e oksalateve në gjak nëpërmjet zorrës. Edhe yndyrat kur nuk përthithen nga zorra siç ndodh në gjendjet e malabsorbimit kalojnë më poshtë në zorrë në formën e acideve yndyrore, lidhin kalciumin dhe lenë oksalatet e lira duke mundësuar përthithjen më të madhe të tyre. Ndodh kështu ajo që quhet hiperoksaluria enterike. Përgjithësisht njerëzit që bëjnë gurë nga oksalatet e kalciumit përthithin nga zorra një sasi më të madhe oksalatesh. Arsyeja pse ndodh kjo nuk dihet mirë por sot shkencëtarët përpiqen të gjejnë shpjegime duke ju afruar të vërtetës.

Në disa raste  mund të ketë një dëmtim genetik në absorbimin e oksalateve, mund të ketë një tendencë për malabsorbim të yndyrnave, por mund të ketë dhe një ndryshim të mikrobiomës intestinale.

Çfarë është kjo e fundit?  Janë raporte të caktuara të llojeve të mikrobeve që ndodhen normalisht në paretet e zorrëve. Këto mikrobe jetojnë në paqe me organizmin e njeriut (kanë një simbioze siç thuhet në mjekësi). Një nga këto lloj mikrobesh janë oksalobakteret formigens.

Këto pengojnë absorbimin e oksalateve në zorrë. Kur flora mikrobiale e zorrëve dëmtohet për arsye të ndryshme përshembull nga infeksionet e zorrëve ose nga përdorimi pa kriter i antibiotikëve, atëherë vendin e oksalobakterieve formigens e zenë lloje të tjera mikrobesh. Kjo bën të mos frenohet me përthithja e oksalateve në gjak, këto dalin më pas në urinë dhe rritet mundësia e formimit të gurëve. Këtu ndihmon shumë marrja e probiotikëve që rregullojnë florën intestinale mikrobiale dhe pakësojnë mundësinë e përthithjes së shtuar të oksalateve në zorrë. Sidoqoftë duhet që pacientët me gurë në veshka të marrin një dietë të varfër me oksalate dhe sasi adekuate të kalciumit me ushqime, por jo tableta me kalcium. Edhe dieta e pakët me yndyrna është e këshillueshme.

Në pacientët që kanë dalje të konsiderueshme të oksalateve në urinë rekomandohet marrja e vitamins B-6 (piridoksina). Kjo vitaminë pakëson daljen e oksalateve me urinë.

Një përbërës i rëndësishëm i gurëve në veshka është dhe kalciumi. Prandaj duhet përpjekur që të pakësohet edhe dalja e kalciumit me urinë që të mos rritet koncetrimi i tij dhe mundësia e formimit të gurëve. Sot ndër të vetmit  medikamente që reduktojnë daljen e kalciumit me urinë janë diuretikët tiazidike. Tiazidiket ulin në mënyrë të konsiderueshme mundësinë e ripërsëritjes së gurëve në veshka. Ndërmjet tyre përmendim hydroklortiazidin që mund të jepet me dozën 25-50 mg në ditë.

Madje kur tiazidiket kombinohen me allopurinol reduktohet në mënyrë drastike formimi rishtaz  i gurëve. Një tjetër tiazidik që mund të përdoret me sukses është bendroflumetiazid që jepet me dozën 2,5 mg në ditë. Tiazidikët në përgjithësi kanë një rrezik se mund të favorizojnë  shfaqjen e diabetit dhe mund të shoqërohen me një efekt anësor siç është hipokalemia. Allopurinoli është një preparat i mirë sidomos në rastet kur ka shumë acid urik në urinë e rrjedhimisht në gurët nga uratet tregohet mjaft efikas. Zakonisht jepet me tableta  deri në 300 mg në ditë. Po ashtu kufizimi i kripës në ushqim ndihmon në pakësimin e eliminimit të kalciumit në tubulat renale. Edhe bisfosfonatet ulin nxjerrjen e kalciumit në urinë por nuk ka studime shumë të detajuara për këtë preparat.

Një tjetër lloj substancash që kanë  rëndësi në formimin e gurëve janë citratet. Citratet kur dalin në urinë mendohet se frenojnë kristalizimin e kripërave. Ato e lidhin kalciumin që del në urinë e nuk e lenë të formojë oksalatet e kalciumit. Janë disa kondita që pengojnë daljen e citrateve në urinë: dieta me proteina të shumta, gjendjet e malabsorbimit, hipokalemia dhe acidoza tubular renale distale. Praktikisht rreth gjysma e pacientëve që formojnë gurë me kalcium, kanë pak citrate në urinë. Dhënia e tyre me medikamente si përshembull citrati i  potasiumit apo citrak, uralyt etj. e rrisin daljen e citrateve në urinë dhe pakësojnë mundësinë e formimit të gurëve.

Mjekimi me substance alkaline (bazike) është më i sigurt dhe ka pak efekte anësore gastrointestinale. Ka vlerë sidomos për gurët që përbëhen nga acidi urik. Përmendim midis tyre sodium bicarbonate. Qëllimi është të mbahet pH i urinës në shifrat 6-7. Nuk duhet tepruar me dozë shumë të madhe se ka rrezik që më tej të rritet mundësia e krijimit të gurëve nga fosfati i kalciumit.

Në pacientët që kanë gurë nga cistina dhe që kanë cistinuri të lartë duhen përdorur përveç preparative alkalinizante edhe preparate që ulin daljen e cistinës në urinë si tiopronina dhe dimetil-cisteina ( alfa penicilamina). Nuk duhet harruar që të merret një sasi e madhë lëngjesh.

Rekomandimet dietetike në gurët e veshkave:

Dieta që rekomandohet: lengje, fitate, kalcium dietetik, potasium
Kufizimet:  Oksalatet, sukroza, fruktoza, suplemetet e kalciumit, sodium, proteinat shtazore.

Një rëndësi të veçantë ka mjekimi që synon daljen e gurit kur ai është në uretër (kanalin që lidh veshkën me fshikën e ujit). Shanset për të dalë guri varen nga madhësia e gurit dhe nga vendi ku ndodhet ai. Gurët që janë në pjesët e poshtme të ureterit kanë shumë më tepër shans të dalin me urinë. Nga ana tjetër gurët që janë më pak se 7 mm kanë mundësi më të madhe të dalin jashtë. Zakonisht dalja e gurëve shoqërohet me dhimbje të mëdha në forme kolikash. Për të qetësuar këto kolika dhe për të lehtësuar daljen e gurëve përdoren mjekime medikamentoze. Ndërmjet këtyre medikamenteve më të përdorshmet në rastet e kolikave përmendim kortikoidet, hormonet, anti-inflamatorët jo steroidiene, bllokuesit e kanaleve kalcike dhe alfa bllokuesit .

Bllokuesit e kanaleve kalcike janë më efikase në këto raste. Bllokuesit e kanaleve kalcike frenojnë kontraktimin e musculaturës së lëmuar dhe reduktojnë spazmën e uretereve. Alfa bllokuesit dhe ndërmjet tyre sidomos antagonistët e receptoreve adrenergjikë alfa 1 pakësojnë tonusin e muskulaturës së lëmuar ureterale si dhe frekuencën dhe forcën e peristaltikës. I tillë është preparati Tamsulozine i cili mund të kombinohet shumë mirë me një kortikoid.

Në përgjithësi mund të thuhet se preparatet që ndihmojnë në nxjerrjen e gurëve kanë një shans 65% më shumë për të eliminuar këto gurë.

Përgjithësisht mund të thuhet së kërkimet shkencore, studimet epidemiologjike e kërkimet metabolike që bëhen sot për të zbuluar shkakun e pat-fiziologjinë e gurëve në veshka do ndihmojnë për të gjetur strategji  më të mira për mjekimin e gurëve. Ndonëse gurët e veshkave mbartin një risk për komplikacione dhe mortalitet më të lartë, si dhe cenojnë kualitetin e jetës së këtyre të sëmurëve, kurimi i mirë i tyre ndihmon për evitimin e gjithë këtyre problemeve që lindin nga kjo patologji serioze që është mjaft e shpeshtë në popullsinë e përgjithshme./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here