Në QSUT prej muajsh nuk bëhet testi për HIV dhe AIDS, që është i vetmi institucion universitar. E gjitha kjo është rezultat i mungesës së kiteve
Eglantina Bardhi
“Vendi ynë është vendi me më shumë raste në rajon përsa i përket të infektuarve me HIV dhe AIDS”. Kjo është deklarata që bën mjeku infeksionist Arjan Harxhi vetëm pak ditë nga Dita Botërore e Luftës kundër HIV dhe AIDS. Në një intervistë për gazetën “Shëndet Plus”, ai rrëfen për problemet që ka sistemi ynë mjekësor kur bëhet fjalë për këtë sëmundje.
“Numri i rasteve të raportuara tregon se HIV dhe AIDS është një problematikë në rritje në vendin tonë, – thotë Harxhi. – Ndaj pritet që numri i rasteve të raportuara për këtë vit të jetë edhe më i madh”. Sipas tij, deri më tani këto të dhëna nuk merren në konsideratë nga politikëbërësit, sepse ende nuk përkthehet me ndërhyrje konkrete përsa i takon problematikës në fjalë.
“Konkretisht në QSUT prej muajsh nuk bëhet testi për HIV dhe AIDS që është i vetmi institucion universitar. E gjitha kjo është rezultat i mungesës së kiteve (materiali për të realizuar analizat). Në Shqipëri testimi kundrejt HIV dhe AIDS, aksesi në qendra përsa i përket nivelit të popullatës për t’u testuar në mënyrë vullnetare është mjaft i ulët”, vijon mjeku infeksionist, i specializuar në Angli dhe SHBA për trajtimin e të sëmurëve me HIV dhe AIDS. Sipas dr. Harxhit, UNDP ka punuar shumë në informimin dhe ndërgjegjësimin kundra virusit HIV-AIDS, por sërish situata është problematike në këtë fushë. Ai thotë se individët duhet të kenë akses, të kenë një rrjet që të jetë tepër i aksesueshëm dhe duhet të kenë një ndërgjegjësim. Ndërkohë në vendin tonë nuk ndodh kjo gjë dhe për pasojë niveli i diagnozës është i tillë që mbi 85% të rasteve të diagnostikuara kapen në stade të avancuara, gjë që e bën menaxhimin e sëmundjes mjaft të vështirë.
“Nëse flasim për testimin, në Shqipëri ende në ditët e sotme nuk implementohet testimi i gruas shtatzënë”, thkeson Harxhi. Sipas tij, në kujdesin prenatal nuk është implementuar ende ajo që e kemi thënë që prej dhjetë vitesh: strategji që t’i ofrohet testimi për Hiv gruas shtatzënë. Mësohet se këtë vit ka pesë raste të reja, por mund të ketë edhe më tepër të fëmijëve të porsalindur me HIV dhe AIDS që e kanë marrë me anë të transmetimit vertikal nga nëna tek fëmija.
Sipas mjekut, tek gruaja shtatzënë nuk kryhet testimi pasi nuk është pjesë e protokolleve. Sipas shifrave, në Shqipëri lindin afërsisht 40 mijë fëmijë në vit. Çdo maternitet apo klinikë duhet të dijë që ta referojë ose ta ketë aty strukturën e testimit të shpejtë për HIV-in dhe kjo duhet t’i thuhet gruas shtatzënë që është diçka që duhet bërë. Një gjë e tillë ndodh në vendet perëndimore dhe asnjë grua nuk e refuzon testin ndaj HIV dhe AIDS, i cili nuk është i detyrueshëm, por bëhet me konsensus.
Duke iu referuar të dhënave për vitet 2011-2012, rezulton se numri i rasteve me HIV dhe AIDS në Shqipëri arrin deri në 72, duke lënë pas Bosnjë-Hercegovinën me 27 raste, Kosovën me 5, Maqedoninë me 9 dhe Malin e Zi po me 9 raste, gjë që përbën problem madhor për një shtet me popullsi kaq të vogël siç është Shqipëria.
“Shqipëria ngelet vend me prevalencë të ulët, por trendi është në rritje edhe pse në aspektin politikëbërës ky infeksion nuk konsiderohet si problem i shëndetit publik, – vijon Harxhi. – Thelbësore për këtë infeksion është diagnostikimi i hershëm dhe marrja e masave. Diagnostikimi i hershëm e fut në sistem individin dhe kështu ndalon përhapjen e sëmundjes”.
Mjeku infeksionist thotë se aktualisht në Amerikë kur personat futen në sistemin shëndetësor, testohen për HIV zakonisht, sepse vetëm nëpërmjet këtij sistemi mund të identifikohen njerëzit.
“Në mjekësi veprohet duke u bazuar mbi evidencat. Të vetmet ndërhyrje të mbështetura mbi evidenca janë ndërhyrjet që janë në sistemin e testimit dhe të trajtimit, jo në informim dhe edukim. Këto të fundit janë gjithmonë dhe do të jenë, por sjellja njerëzore është më shumë se kaq”, thotë Harxhi, ndërsa thekson se “ndërhyrjet që janë kosto efektive janë “testo dhe mjeko”, sepse nëse unë testoj, diagnostikoj dhe mjekoj, duke ulur kështu në mënyrë të ndjeshme transmetueshmërinë e këtij infeksioni në zero”.
Kush është mjeku Arjan Harxhi
Diplomuar në Universitetin e Tiranës në vitin 1988, si mjek i përgjithshëm.
Në vitin 1993 diplomohet si mjek infeksionist në Fakultetin e Mjekësisë.
Në 2004-n emërohet doktor i shkencave mjekësore, ndërsa në 2010-n, profesior i asociuar.
Në janar – korrik 1996 kryen specializim klinik në fushën e infeksionit HIV dhe AIDS në Universitetin e Kalifornisë, San Diego, SHBA.
Në periudhën 1999-2000 kryen masterin për sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe HIV dhe AIDS në Angli.
Është pedagog te Fakulteti i Mjekësisë.
Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Infektivologjisë.
*Ky suplement është mundësuar nën kujdesin e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) dhe specialistët e Institutit të Shëndetit Publik