Kryefaqja Aktualitet Haxhiu: Pandemia dhe imponimi i respektimit të masave krijoi stres dhe paralizim...

Haxhiu: Pandemia dhe imponimi i respektimit të masave krijoi stres dhe paralizim social

0
Shpërndaje

Bisedoi: Klevisa Gjika

Izolimi tre – mujor për shkak të pandemisë së krijuar nga koronavirusi është shoqëruar edhe me probleme psikologjike. Përballja me një situatë të panjohur më parë ka krijuar vështirësi në konceptimin e situatës që krijoi covid – 19. Jonida Haxhiu, specialiste për çështjet mendore në Institutin e Shëndetit Publik tregon se jetesa me një virus të padëgjuar më parë është shoqëruar me stres dhe paralizim social.

“Në çështjet e shëndetit mendor është evidente fakti që është një situatë me të cilën ne nuk ishim përballur më parë, as nuk kishim dëgjuar dhe lexuar. Të jetosh me frikën e një virusi për kaq shumë kohë është një situatë e pazakontë. Ka frikë për shkak të infektimit që krijon anth në menaxhimin e situatës dhe stresi i paralizimit social. Çdo gjë që bëjmë na kujton se jetojmë në një kohe frike, kur duhet të jemi të kujdesshëm.

Haxhiu shton se çdo gjë e imponuar shoqërohet me stres dhe ndjenja frike.

“Psikologjikisht çdo gjë që është e detyruar përjetohet me stres, pavarësisht se shumë individë mund ta kenë menduar si diçka të mirë të rrinë në shtëpi, të rrinë me familjen. Kur diçka nuk vjen si zgjedhje përjetohet si stres dhe për shumicën e njerëzve kjo është arsyeja pse qëndrimi brenda është përjetuar si diçka stresante. Kjo nuk ka qenë një periudhë pushimi, pasi ka qenë e imponuar nga frika e infektimit. Frika prezente e bën izolimin të ndryshëm nga një situatë pushimi, tërheqje apo përqendrimi në gjërat që duam”.

Thirrjet dhe kërkesat për respektimin e masave kanë qenë dhe janë të shumta nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nga deputetë dhe mjekë. Ripërsëritja e rregullave ka krijuar një lodhje të qytetarëve nga informacionet thuajse të njëjta nga dita në ditë, por sipas specialistes së ISHP kjo është mënyra e duhur për të vazhduar luftimin ne virusit.

“Thirrjet, kërkesat për sa kohë vijnë nga institucionet kanë shumë të ngjarë që të bindin qytetarët. Kërkesat për të qëndruar brenda në shtëpi, për të respektuar rregullat e e higjienës, për të parandaluar përhapjen e virusit kanë ardhur nga institucionet shtetërore më të larta dhe sigurisht që kanë ndikuar, është parë që janë marrë parasysh nga shumica e popullsisë. Vihet re një lodhje e personave për respektimin e masave. Të gjithë po vëmë re se rregullat nuk po respektohet si në fillim, pavarësisht numrit të lartë të të infektuarve që dita – ditës po rriten. Mungon perceptimi, frika si më parë për popullatën e gjerë. Ka një rënie të sensibilizimit për respektimin e rregullave. Në shëndetin mendor kjo mund të shpjegohet me lodhjen dhe kohën e gjatë që kjo situatë po merr. Por kujdesi duke nisur nga gjërat e vogla bën diferencën e madhe, nga takimet, daljet që rrisin mundësinë e infektimit, kontaktit”.

Haxhiu apelon për vazhdim të respektimit të masave dhe shmangie të rënies së sensibilizimit në një kohë kur shifrat e personave të prekur po rriten vazhdimisht, shumë më shumë se në kohën e izolimit total.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here