Kryefaqja Aktualitet Heshti Ministra e Ambasadorë/ Kancerin nuk e shkakton e vërteta ime. Politikanët...

Heshti Ministra e Ambasadorë/ Kancerin nuk e shkakton e vërteta ime. Politikanët janë shërbëtorë, kur do ta kuptojnë?

0
Shpërndaje

Denisa Canameti

Nuk ishin të shumta mediat që publikuan reagimin qytetar të Nertila Celestinës, vajzës që kërkoi publikisht Ministres së Shëndetësisë, Ministres së Arsimit dhe përfaqësuesve të institucioneve të tjera që të bëjnë ‘detyrat’ e tyre në raport me pacientet e prekura nga kanceri i gjirit, e jo vetëm. Megjithatë, në ato të pakta media online, komentet e qytetarëve kanë qënë të shumta.

Në unanimitet të plotë, qytetarët kanë përgëzuar Nertilën për të vërtetat që ajo guxoi të artikulojë.

E kontaktuar nga ‘Pro Pacientit’ Nertila nuk heziton t’u përgjigjet disa pyetjeve, por thekson që në fillim se mediatizimi nuk i pëlqen dhe se nuk ka asnjë qëllim të bëhet e famshme.

Çfarë i tha Nertila, Ambasadores Romana Vlahutin, Shefes së Delegacionit të BE-së në Shqipëri, cili ishte reagimi i Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla pas përfundimit të aktivitetit si dhe pse nuk pati në asnjë moment frikë kur hodhi akuza për kontrabandë ilaçesh?

Intervistën për ‘Pro Pacientit’  Nertila e mbyll duke thënë se ‘para pak viteve jam kërcënuar edhe me gjyq pse ankohesha publikisht  për gratë e sëmura e mungesën e shërbimeve të specializuara mjekësore në zonat rurale’.

Nertila, pse ky shpërthim ndaj institucioneve, aq hapur dhe aq guximshëm, pse e quajtët show aktivitetin e organizuar në qytetin e Lezhës në kuadër të luftës kundër kancerit të gjirit.

Mënyra sesi iu drejtova të gjithëve aty prezent, kërkesat që u bëra të gjithëve për të bërë detyrat që u takojnë në respekt të të drejtave themelore të garantuara në Kushtetuta kombëtare e ndërkombëtare, nxori në pah që ndërgjegjësimi teorik është problemi më i vogël në këtë situatë. Padyshim që unë e vlerësoj maksimalisht aktivitetin, se nga ai aktivitet e bëra dhe ndërgjegjësimin institucional me fjalët e mia.

Problemin nuk e kisha me aktivitetin por me njerëzit prezent drejtues-institucional në aktivitet që përdorin veç fjalë “lulesh e xixash” në çdo aktivitet ku flitet për hallet më të mëdha të qytetarëve. Ai aktivitet dhe sidomos Ambasada Amerikane është për tu përgëzuar që sidoqoftë i kushton më shumë rëndësi mbështetjes së këtyre aktiviteteve sesa show-eve politike dhe seksuale mediatike të institucioneve e mediave shqiptare.

A keni kërkuar te flisni ndonjëherë ‘kokë më kokë’ me përfaqësues të institucioneve për problematikat e grave me kancer gjiri?

Unë duke qenë aktiviste ndër vite, më ka qëlluar të flas për të tjerat e jo duke u nisur nga problemi personal. Kam fshehur sëmundjen time për të mos u viktimizuar dhe u jam gjendur afër grave duke kërkuar edhe takime me mjekë, drejtues institucional-sociale etj. Nuk jam fokusuar vetëm tek kanceri i gjirit por tek çdo sëmundje që duhet parandaluar. Madje jam munduar që të organizoj me vullnetarë aktivitete edhe për të ndërgjegjësuar gratë për higjienën personale. Deri në këtë pikë. Dhe për këtë kam të ruajtura edhe kujtime të bukura në foto me njerëzit gjatë atyre aktiviteteve vullnetare.

Folët per ilaçe kontrabandë, a nuk ju trembi ky term kur e përmendët me aq forcë?

Mua nuk më tremb asgjë që e them të vërtetë dhe me fakte. Aq më tepër kur faktin ia jap në dorë atyre që kanë mundësi dhe detyrë t’i sistemojnë gjërat siç duhet. Te krijojnë hapësira e politika sociale në një vend si Shqipëria që rroga mesatare e një qytetari është 20.000 lekë, e më shumë se gjysma kushtojnë ilaçet nëse ka një të sëmurë në shtëpi me sëmundje vazhdimisht në kurim.

Cili ishte reagimi i Ministres Lindita Nikolla dhe Ambasadores Romana Vlahutin pas fjalës suaj (pas përfundimit të aktivitetit)?

Ministrja Nikolla së pari, pasi kërkova simbolikisht të përjashtonte 9 gra apo vajza menjëherë këtë vit nga tarifa e studimit (numri  9 si numër simbolik në kuadër të 9 vjetorit të aktivitetit), dha premtimin se do përjashtonte gra të sëmura nga tarifa e studimit dhe do krijojë të tjera lehtësira.

Më pas më kërkoi te dinte se kush ishin ato 9 gra, ndërkohe që unë iu përgjigja se mund ta bënin vetë përzgjedhjen në bashkëpunim me institucionet shëndetësore e arsimore, s’kisha emra preferenciale.

A ka shumë vajza e gra që kane nevojë për atë favor që ju i kërkuat Ministres së Arsimit, pra përjashtimin nga tarifa e universitetit? A njihni ju raste te tilla?

Po patjetër që ka. Kur unë studioja rregullisht në dy universitetet(publik dhe privat), qëllonte që disa mikesha e dinin që kurohesha në mitër  dhe nëpër korridoret e Universiteteve kam takuar edhe për rastësi nëna të reja që vazhdimisht kuroheshin për probleme gjinekologjike dhe onkologjike. Ose rrëfenin për mikesha të tjera. Njoh por nuk doja të bëhesha përfituese e askujt me rastin tim personal.

Ato vajza e dinë që publikisht fola, janë “bombarduar” mediat me këtë reagim. Mund të kërkojnë të gjitha përjashtimin nga tarifat, meqë ministrja premtoi këtë. Më vjen keq që shumë e konsiderojnë më shumë të rëndësishëm guximin tim sesa të fillojnë e reagojnë për fenomenin që shtrova. Nuk është guxim, është një shqetësim i thënë nga një qytetare me përgjegjësi të lartë për këtë rast.

Ndërsa ambasadorja e BE, përfaqësuesja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe tjera të huaja, edhe pse unë nuk shkova të bëj foto me asnjë siç ndodh rëndomtë, më erdhën pak më larg ku isha zhvendosur me vajzën time të vogël. Ambasadorja më ofroi çdo lloj mbështetje të mundshme bashkë me koleget e tjera të lartpërmendura, më falënderuan pafund për mënyrën sesi e shtrova problemin, janë të ndërgjegjshme por ashtu siç kam besuar edhe unë, ato janë të pafuqishme përballe masakrës burrërore politike në këtë vend për të vepruar sa më konkretisht e sa më  shpejt për gjërat më thelbësore. I tregova për kurimin në klinikë private e zhvendosjen time jashtë Shqipërisë se ndihem e revoltuar dhe nuk ndjej siguri të plotë me asgjë në shëndetësi përveç cilësisë së mjekëve. Nuk e mohoi, pohonte me kokë njerëzishëm dhe më tha që po bëja mirë që po iki me u kujdes për veten jashtë e “kujdesu sa më fort”, më tha.

Ministres së Shëndetësisë, çfarë do t’i sugjeronit?

Ministrja e Shëndetësisë, e di që ka jo shumë kohë në detyrë. I sugjeroj që të bëjë një tur takimesh kudo në Shqipëri të shihe realitetin e qendrave mjekësore kryesisht në zonat rurale e sa gra të sëmura ka. I sugjeroj të ndërhyjë me monitorim “drastik” në çështjen e çmimit të ilaçeve për sëmundjet e rënda.

Monitorim edhe farmacive nëse abuzojnë. Mos të ketë asnjë ilaç që lëshohet me recetë nga mjeku në shërbim publik apo privat, e të jepet “fshehurazi” apo pa fatura në farmaci.

Nëse një ilaç të shkruhet në faturë për kurimin, për cilën arsye ai ilaç duhet mbahet fshehur në farmaci ose të bëhet me porosi të veçantë me “mik”, por të mos marrësh faturë. Nuk është vjedhje kjo? Nëse nuk është vjedhje në farmacinë që të ndihmon me e gjet, sigurisht dogana nuk është çadër dasmash që duhet kërcyer por duhet zbatuar ligji.

Nga ana tjetër Këshilltarët e Ministres të bëjnë një kërkim të thjeshtë në internet për ilaçet e posaçme të këtyre sëmundjeve, e të shohin diferencën shokuese në çmim në një ekonomi si Shqipëria. Sepse padashje të saj direkte, ajo ministre bëhet vrasëse. Bëhem vrasëse edhe unë nëse nuk flas.

Bëhemi të gjithë shoqëri vrasëse!

Por, asaj si institucion i bie përgjegjësia më e madhe e prandaj sa njerëzishëm as në formë qytetare e troç po mundohem të jap këtë realitet që ajo grua, të na japë të gjithëve mundësinë, të varfër e të pasur, të mos vritemi apo vetëvritemi nga mungesa ekonomike por edhe cilësore për ilaçet apo format e tjera të kurimeve. Boll po na vrasin politikat, thika me shumë presa, të politikanëve-burra ndër vite në sistemin shëndetësor, social apo ekonomik të posaçëm.

Problemi i grave me kancer gjiri është thuajse i njëjtë, i njëjti kalvar vuajtjesh për ilaçe tepër të shtrenjta , pse reagimet si ky juaji janë kaq të pakta?

Reagimet janë të pata për shkak se ajo që vura në dukje ka demoralizuar shoqërinë. Pra, jemi kthyer në një shoqëri depresioni masiv duke krijuar bindjen se politika nuk na dëgjon. Ndërkohë që politikanët duhet të jenë “shërbyesit” tonë. Ne ju japim rrogën, kur do ta kuptojnë?!  Ata duhet të veprojnë sipas nevojave të shoqërisë, politikën duhet ta bëjnë qytetarët dhe specialistët. Ata duhet vetëm ti diskutojnë e vendosin për të gjetur zgjidhjen më të mirë mes nevojave e propozimeve qytetare.

Përveç muajit tetor, kur vijnë përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore e arsimore për t’u interesuar për gratë e sëmura (jo vetëm me kancer gjiri) në zonën tuaj?

Për hir të së vërtetës duhet të them sërish që vetëm mjekët janë në krye të kësaj detyrë pa patur data simbolike. Unë vërtetë ka disa vite që jetoj mes Tiranës dhe Lezhës për arsye edhe personale edhe angazhimi social-kulturor, e kam patur mundësinë të jem edhe e ftuar në aktivitete të ndryshme mbi gratë apo shëndetin. Mbetet sërish vëmendja e institucioneve fetare, pjesës së qeverisjes lokale e institucioneve bashkëpunuese me te (arsim/shëndetësi) nëpër të qenë pak më shpesh në vëmendje çështja e shëndetit apo të tjerave që lidhen me të drejtat themelore të qytetarëve.

Po e mbyll duke thënë se para pak viteve jam kërcënuar edhe me gjyq pse ankohesha publikisht  për gratë e sëmura e mungesën e shërbimeve të specializuara mjekësore në zonat rurale.

Lezha nga eksperienca ime dhe e mikeshave të mia nga mbarë Shqipëria, mund të themi se ka një bashkëpunim më cilësor mes Bashkisë, Drejtorisë së Arsimit, Shërbimit Social e DRSHSH në aktivitete ndërgjegjësuese sesa shumë Bashki të tjera. Mirëpo mua s’më shqetësojnë veç problemet e grave e qytetarëve të Lezhës por mbarë Shqipërisë.

Duhet punë paralel me ndërgjegjsimi është puna e institucioneve që ndërgjegjëson me efektivitet. Puna është ligji që ndërgjegjëson dhe zhvillon një shoqëri dhe ekonomi tranzicionale si ajo e Shqipërisë.

E dini se buka që hamë çdo ditë, nuk ka kontroll serioz? E dini se mielli i pakontrolluar shkakton apo zhvillon kancer?

Si thoni, a shkakton kancer dhe probleme zëri i një gruaje që thotë të vërtetën dhe flet për të drejtën më themelore në botë “jetën”, apo ato që thashë deri tani?/ ProPacientit.com

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here