Implanti koklear, fëmijët me probleme dëgjueshmërie dhe privilegjet shëndetësore të ministrit Beqaj

implanti-koklear-1Arlinda Gjypi, kryeredaktore e gazetës “Shëndet+” dhe Shëndeti Online

“Në përmbushje të angazhimeve tona programore, në 10 paketat e shërbimeve të kujdesit shëndetësor që miratuam në qershor, përfshihet edhe ajo e implantit koklear, prej të cilit do të përfitojë një kategori fëmijësh me probleme të dëgjueshmërisë”. (Fjala e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në Konferencën e organizuar nga “Save The Children”: Rritja e Investimeve Publike për Fëmijët në Shqipëri, Tiranë, 18 dhjetor 2014)

Fëmijët që lindin me probleme dëgjimi, rrezikojnë të mbeten shurdh për gjithë jetën duke u bërë një barrë për familjen dhe gjithë shoqërinë shqiptare. E për këtë çështje, “çuditërisht” nuk ka ende zgjidhje (pavarësisht fjalëve e premtimeve).

Ministri i Shëndetësisë deklaroi dy vjet më parë se tashmë fëmijët mund të përfitonin nga implanti koklear, i cili u përfshi në 10 paketat që do të rimbursoheshin nga shteti. Kjo nënkuptonte që për fëmijët që lindin me probleme dëgjimi, mjaftonte përcaktimi i diagnozës, vënia në listë dhe pastaj kryerja e operacionit që u kthen dëgjimin, duke i bërë këta fëmijë të aftë për të zhvilluar një jetë normale. Madje, nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë është deklaruar se “infrastruktura është gati” dhe ka edhe listë pritjeje. Prindërit bërtasin, zihen që emri i fëmijës së tyre të futet në listën e pritjes dhe çfarë ndodh? Ndërhyrja nuk kryhet. Pse? Sepse mungojnë aparaturat e nevojshme për të kryer operacionin (!!!)

I pyetur në muajin mars 2016 për këtë çështje, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor tha se prisnin që Ministria e Shëndetësisë të siguronte aparaturat sipas standardeve të BE-së. Nga ana e vet, Ministria e Shëndetësisë fillimisht ia kaloi përgjegjësinë Fondit, pastaj në një përgjigje të dytë (pa pyetje të dytë) u përgjigj se ministri kishte ngritur një grup pune, i cili po punonte “për të bërë studimin përkatës me qëllim përfshirjen e aparateve kokleare në listën e rimbursimit nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”.

Sot, mbas shtatë muajsh, pavarësisht kërkesës zyrtare të gazetës “Shëndet+” për të ditur se ç’po bën grupi i punës dhe a iu dha zgjidhje problemit, Ministria e Shëndetësisë nuk jep një përgjigje.

Disa nga pyetjet që ngrihen në gjithë këtë çështje janë:

  • Përse Ministria e Shëndetësisë nuk e bëri studimin për aparaturat para se ta përfshinte implantin koklear si paketë që do të financohej nga Fondi?
  • Përse ministria nuk ia ka dalë të sigurojë pajisjet për implantimin koklear dhe cilat janë pengesat që i dalin ministrisë për të realizuar blerjet e pajisjeve?
  • Përse spitalet private në vend po i sigurojnë pa problem pajisjet, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë nuk po ia del dot?
  • A ka lidhje “paaftësia” e ministrisë për të siguruar aparatet e implantimit koklear me faktin që kompanitë përkatëse nuk janë kompani që ofrojnë “bakshishe”?

Dhe, pyetja më e rëndësishmja është:

  • Çfarë përgjegjësie mban ministri i Shëndetësisë për të gjithë fëmijët që tashmë e kanë kaluar moshën kur implanti koklear mund të bëjë ndryshimin e jetës së tyre, ndërkohë që lëvdohet për zbatimin e 10 paketave shëndetësore që financohen nga shteti?

Mund të flasim për përgjegjësi ligjore ndoshta, meqë fjala “moral” në ditët e sotme ka marrë ngjyrim qesharak e tallës. Përgjegjësi ligjore, të cilën askush nuk e mban (derisa dikush të çohet dhe të denoncojë ligjërisht ministrin të mbajë përgjegjësi për fjalët dhe premtimet e tij)

Në përmbushje të angazhimeve të tij, ministri deklaroi dy vjet më parë se nga paketat shëndetësore do të përfitojë edhe kategoria e fëmijëve me probleme dëgjueshmërie. Por sot prindërit vazhdojnë të marrin borxhe për të bërë operacionet që u rikthen dëgjimin fëmijëve të tyre. Sot, një grup në ministri vazhdon studimin për aparaturat (!!!). Sot, spitalet private në vend po e ofrojnë pa problem implantimin koklear, sepse i kanë blerë pa problem aparaturat. Sot, ministri ynë vazhdon të lëvdohet për investimet me shuma marramendëse në shëndetësi.

“Pse shëndet për të gjithë? Sepse shëndeti është një e drejtë, dhe jo privilegj”. Ky ishte slogani i Ministrisë së Shëndetësisë në konferencën për mbulimin universal shëndetësor dy vjet më parë. Megjithatë, nisur nga veprat e ministrit Beqaj, kjo “e drejtë” i takon vetëm atij dhe një kaste njerëzish, pasi për fëmijët me probleme dëgjimi shëndeti vazhdon të jetë privilegj.

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Cilat ushqime ndihmojnë shëndetin e syve?
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Angjinarja: Perimi i pranverës që forcon kockat dhe zemrën