Kryefaqja Aktualitet Industria e hidrokarbureve dëmton shëndetin e banorëve të Zharrëzës

Industria e hidrokarbureve dëmton shëndetin e banorëve të Zharrëzës

0
Shpërndaje

Ismet Hoxha, kryetari i fshatit Zharrëz në Bashkinë Patos ka kaluar gjithë jetën e tij në një prej zonave të fushës naftëmbajtëse të Patos-Marinzës ku prej dekadash është zhvilluar me intesitet të lartë industria e nxjerrjes së hidrokarbureve. Teksa kalojmë përmes fshatit dhe afrohemi në një prej puseve të naftës që gjendet disa metra larg banesave, ndihet ngado aroma e rëndë e gazrave që çlirojnë mbetjet e hidrokabureve të përhapura edhe në terrene bujqësore e kanale kulluese. Ai e quan alarmante situatën mjedisore në fshatin e tij për shkak të ndotjes që shkaktojnë hidrokaburet dhe pasojat që ju sjell në shëndet banorëve të zonës. “Gjendja në fshatin Zharrëz është katastrofike. Ka shumë ndotje. Këtu çlirohet e gjithë sera dhe bëhen njërëzit me mushkëri, kalamajtë e vegjël me mushkëri, me sëmundje nga më të ndryshmet…, me astmë, kruatje, sëmundje nga më të ndryshmet…”, pohon Ismeti teksa gjendet pranë një prej puseve në mes të të mbjellave rreth të cilit janë krijuar pellgje me mbetje hidrokaburesh.

Edhe një tjetër banor i zonës, Tajar Hajdini, pensionist, ngre të njëjtin shqetësim për ndotjen nga hidrokaburet dhe pasojat që u sjell në shëndet. “Ambjenti është shumë i rëndë si pasojë e aktivitetit të hidrokarbureve. Deri tani nuk është marrë asnjë masë. Tani ka rënë pak, por nëse vjen në orën dy të natës situata është shumë e rëndë, pasi shkarkohen ujërat nga stacioni i Albpetrol-it. Vajzën e kam me karbon në gjak dhe vuan nga mushkëritë, nga frymëmarrja”, pohon Tajari. Një tjetër banore e fshatit, Dudi Grëmbi, tregon se vuan nga sëmundje në mushkëri si pasojë e ndotjes së naftës. “Vuaj nga mushkëritë, nga ambjenti i rënduar dhe askush nuk na jep zgjidhje. Ka një numër të madh që vuajnë nga alergjitë dhe nga nga astma. Kemi një ambjent të ndotur sa s’ka ku të vejë më. Skemi ku të ankohemi e ku të gjejmë një të drejtë. Jemi ankuar në gjithë instituconet, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Rrojmë kot, rrojmë kot…!”, ankohet ajo për shëndetin dhe mungesën e kujdesit nga isntitucionet përkatëse.

Jo vetëm sëmundje, por edhe varfëri

Por veç për mjedisin e rënduar nga aromat e hidrokabureve dhe pasojat që sjell në shëndet, kryeplaku i fshatit Zharrëz, Ismet Hoxha ngre edhe shqetësimin e dëmtimit të tokave bujqësore nga nafta dhe rrënimit të ekonomive familjare të fermerëve të zonës. “Kur bie shi, të tëra këto gropa që janë plotë, mbushen dhe shkojnë tek toka dhe prishin ambientin e tokës. Prodhimet tek ne janë me cilësi jashtë standartit. Edhe domatja edhe specja nuk konsumohen, gjithandej. Është sëmundje në radhë të parë, e dyta prish tokat bujqësore. Mbjell domate tjetri del me infeksion, nuk e blen njeri në pazar. Këta kanë mundësi ti heqin brenda tre ditëve, të ngarkojnë skrepin ti ngarkojnë dhe ti përpunojnë, kjo është e tërë naftë o vlla…! Po të bjeri shiu këtu e merr të tërë tokën, ugarin”, ankohet Ismeti. Si ai edhe banorë të tjerë të fshatit Zharrëz shprehen se janë të detyruar ose të largohen në emigrim për të mbijetuar, ose të punojnë diku tjetër, pasi prodhimet e tyre kanë “namin” e keq dhe nuk shiten. Sipas tyre, kjo situatë po i varfëron çdo ditë e më shumë, pasi toka ku bazohet ekonomia e tyre familjare nuk vlen më. Ata shtojnë se mbetjet e naftës depërtojnë edhe në ujërat nëtokësorë dhe se uji i burime nuk mund të konsumohet më as për bagëtitë apo për përdorim shtëpiak. Ndërsa theksojnë se ujin e pijshëm janë të detyruar ta blejnë.

Institucionet nuk japin zgjidhje

Kryetari i fshatit Zharrëz, Ismet Hoxha tregon se dekada më parë, institucionet dhe ndërmarrjet përkatëse i pastronin mbetjet e hidrokabureve duke minimizuar ndotjen. Sipas tij, një gjë e tillë nuk ndodh më, pavarësisht kërkesave të shumta. “Na kanë thënë para tre vjetësh këta të Albpetrol-it se do i heqin gropat që të mos ketë më ndotje. Por nga ajo ditë deri më sot nuk është bërë asgjë. Nuk e di si është kjo punë, nuk e di se ku çalon, ku ka ngecur kjo punë…”, thotë Ismeti duke treguar se zgjidhje mund të ketë nëse ka vullnet nga institucionet. “Kanë mundësi ta bëjnë. Në kohën e mëparshme këtu nuk ngelej një pikë nafte. Me lopatë, me kova e hidhnin atje ku duhej në stacionin e duhur dhe atje  përpunohej e bëhej naftë. Në atë kohë e vinin pikën mbi ‘i’. Po të dojë Albetroli edhe sot e vë pikën mbi ‘i’. I bëj thirrje Albpetrol-it që ti heqi një orë e më parë këto se këto janë kancerogjene. Ky është apeli im, urgjentisht!”, bënë thirrje ai.

 

 

Mungojnë të dhënat zyrtare

Pavarësisht këtyre konstatimeve, institucionet shtetërore të cilat kanë si detyrë të kujdesen për shëndetin e qytetarëve, rezulton se e kanë pasur të pamundur të marrin masa për përmirësimin e situatës mjedisore dhe të shëndetit të njerëzve që, sipas të dhënave, sa vjen dhe përkeqësohet në zonën e Zharrëzës dhe në fshatrat përreth. Mjekët e qendrave shëndetësore që ndodhen në këto fshatra, në kushtet e anonimatit janë shprehur se astma bronkiale është mjaft e përhapur edhe tek fëmijët që në moshë të hershme. Sipas mjekëve, ka mjaft banorë që vuajnë nga fenolet dhe karboni një gjak, por nuk ekzistojnë të dhëna zyrtare, pasi analizat për konstatimin e këtyre lëndëve toksike nuk kryhen në laboratorët shtetërorë. Mjekët e këtyre qendrave shëndetësore shprehen se, edhe pse në mjaft raste pacientët ankohen për simptoma që dyshohet se shkaktohen nga prania e karbonit dhe fenoleve në gjak, e kanë të pamundur të rekomandojnë kryerjen e analizave, pasi ato mundësohen vetëm në laboratorë privatë. Ata shtojnë se në këto zona naftëmbajtëse do të kishte qenë e nevojshme që në check-up të ishte përfshirë edhe depistimi i popullatës lidhur me fenolet dhe karbonin në gjak.

Ndërkohë, nga interesimi pranë laboratorëve privatë në qytetin e Fierit, është mësuar se ka me dhjetëra raste kur banorë të zonave naftëmbajtëse kanë shkuar të kryejnë analizat për fenolet dhe karbonin në gjak. Edhe pse dyshohet se ndotja e krijuar nga aktiviteti i nxjerrjes së naftës mund të jetë faktori kryesor që ka shkaktuar sëmundjet e ndryshme të mushkërive dhe ato kardiovaskulare, institucionet përkatëse nuk kanë arritur dot ta provojnë një gjë të tillë shkencërisht, pasi nuk është kryer një depistim i popullatës për këto kategori sëmundjesh.

Raporti i AKM: Mijëra pellgje me mbetje nafte ndikojnë  më mjedis, shëndetin e njerëzve dhe ekonomi

Në raportin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit të vitit 2015, “Ndotjet që vijnë nga hidrokaburet”,  pasqyrohen dëmet e shkaktuara në mjedis dhe në gjithë zinxhirin ushqimor për shkak të ndotjeve që janë shkaktuar, si paosjë e zhvillimit të industrisë së nxjerrjes së hidrokabureve në fushën naftëmbajtëse të Patos – Marinzës ku përfshihet edhe Zharrëza. Aty sqarohet se si pasojë e keqmenaxhimit ndër vite të kësaj industrie janë krijuar me mijëra pellgje me mbetje nafte të cilat përbëjnë rrezik për mjedisin. “Fusha naftëmbajtëse e Patos – Marinzës është nga më të mëdhatë në Europë për sa i takon rezervave të naftës në brendësi të kontinentit. Industria e naftës në zonë nuk është menaxhuar sipas standardeve mjedisore, duke e renditur zonën përkrah rrjetit të vatrave të nxehta mjedisore (hot spote) që kanë nevojë për ndërhyrje dhe rehabilitim. Në këtë zonë është e pranishme ndotja e tokës, ku ekzistojnë rreth 1480 pellgje llumrash nafte, në një sipërfaqe prej rreth 95 ha dhe duke përbërë edhe një ekspozim të hapur të banorëve ndaj kësaj ndotje”, citohet në raport. Aty shtohet fakti se kjo ndotje ka sjellë pasoja të rënda edhe në rrjetin ujor, ai në atë sipërfaqësor, ashtu edhe në atë nëntokësor. “Përsa i takon ndotjes së ujërave sipërfaqësore vlerësohet se rreth 117 km trupa ujore janë të ndotura nga substancat/polimeret e naftës, ku përfshihen ujërat e lumit Gjanicë, Seman dhe përrenjeve të zonës. Kjo gjëndje e ujërave përbën rrezik direkt për zinxhirin ushqimor bujqësor, si pasojë e përdorimit të ujit për ujitjen e tokave”, shkruhet në raportin e AKM-së ku sqarohet se edhe në ajër vërehet një ndotje e theksuar që ka sjellë pasoja të rënda edhe në shëndetin e banorëve të zonës. “Në zonë vërehet dhe ngarkesë e ajrit me substanca hidrokarbure volatile, sulfide të hidrogjenit apo okside të squfurit. Sa i takon biodiversitetit, vlerësohet se duke përkeqësuar kushtet fiziko – kimike të burimeve natyore, sidomos ujërave sipërfaqësore, janë ndikuar negativisht vlerat biologjike të zonës. Nga ana tjetër, vërehet një gjëndje shëndetësore e banorëve e ndikuar negativisht nga gjëndja mjedisore e zonës dhe kryesisht cilesia e ajrit dhe ujit të pijshëm të zonës”, thuhet në raport ku analizohet edhe ndikimi i ndotjes në ekonomitë e fermerëve. “Për sa u takon dëmeve ekonomike, gjëndja mjedisore dhe shëndetësore ndikon direkt në sistemin e prodhimit ekonomik të zonës, rendimentin e ulët të prodhimit bujqësor dhe rritjen e shpenzimeve për kujdesin shëndetësor. Ndërkohe, derdhja e naftës në det është problematike sidomos për Qarkun Fier është ndotja nga nafta të industrive përpunuese apo shfrytëzuese të naftës”, shkruhet ndër të tjera në raportin e AKM-së të vitit 2015. Në raportet e viteve të mëvonshme të AKM-së nuk vërehet një analizë e tillë apo pasqyrimi i fakteve për këtë ndotje, e cila vazhdon të zgjerohet e të marrë përmasa më të mëdha.

Ky artikull është përgatitur në kuadrin e implementimit të Projektit “Vëzhguesi Rural” i financuar nga Bashkimi Evropian. https://www.vezhguesirural.org/

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here