Kryefaqja Shendeti a-z I Infeksionet mykotike, diagnoza, trajtimi dhe kujdesi personal

Infeksionet mykotike, diagnoza, trajtimi dhe kujdesi personal

0
Shpërndaje

Violeta Dajçi, dermatologe

Infeksionet mykotike ose dermatofitozat, janë patologji shumë të përhapura dhe të njohura të cilat shkaktohen nga një numër i madh mikroorganizmash që quhen “funghi”.

Këto mikroorganizma kanë aftësinë të zhvillohen në sipërfaqen e lëkurës dhe mukozave, si dhe të invadojnë në shtresa të thella të saj (stratum corneum, folikulin e flokut, thonjtë). Nën emërtimin “infeksione mykotike” të njohura shumë dhe në gjuhën e përditshme të njerëzve, përfshihen dhjetëra diagnoza dermatologjike, në bazë të zonës së prekur dhe të florës shkaktare.

Si shfaqen klinikisht infeksionet mykotike?

Shfaqjet klinike të tyre janë të ndryshme, në varësi të shkaktarit, kohëzgjatjes së sëmundjes, sipërfaqes së prekur, shoqërimit me patologji të tjera të lëkurës, etj.

Dermatofitozat në lëkurë shfaqen me skuama të bardha (si krunde) dhe nën to zona mund të jetë eritematoze, e kaftë ose e bardhë.

Këto vatra janë rrethore ose në trajtë harte, me kufinj të qartë në zonën e paprekur. Onykomykozat (myk i thonjve) shfaqen me trashje, zverdhje dhe thërmim të thojit të prekur.

Dermatofitozat e flokut, që prekin kryesisht kokën, mjekren dhe më rrallë zonën pubike, manifestohen me rënie të flokut, skuama hiperkeratozike në trajtën e një pllake rrethore. Në infeksione më të rënda si Kerion, zona paraqitet si nodul inflamator, purulent, pa flokë dhe i dhimbshëm.

Cilat janë ankesat e pacientit?

Në përgjithësi shoqërohen me prurit dhe intensiteti i tij është nga i lehtë deri në pagjumësi. Ankesë tjetër është rënia e flokut në zona të caktuara si dhe aspekti social kur elementet janë në zona të dukshme.

Kush preken më shumë?

Nuk ka një rregull të mirëfilltë, por si çdo infeksion tjetër mundësia e marrjes është më e madhe në jetën kolektive (fëmijët e kopshteve, ushtarët), në ambientet publike (plazhet dhe sidomos pishinat), dhe në ambientet familjare (sendet e përbashkëta) preken disa persona nga e njëjta patologji. Personat që djersijnë dhe lëkurat e yndyrosura, banakierët dhe persona të tjerë të shërbimit që mbajnë duart në ujë për kohë të gjatë; diabetikët dhe pacientët me imunodeficiencë; pacientët me patologji të lëkurës (portë hyrje), dhe ata që përdorin për kohë të gjatë pomada me kortizonike, janë të predispozuar të preken nga infeksionet mykotike.

Ndërsa moshat e treta, preken më tepër se popullata tjetër nga mykozat e thonjve.

Periudha e pikut për këto infeksione

Dimri. Në këtë periudhë lëkura është më pak e ajrosur, yndyroset më shumë dhe krijohet ambient i përshtatshëm për këto mikroorganizma për t’u zhvilluar. Po në këtë periudhë shfaqen më shumë dhe onykomikozat. Ndërsa në stinën e verës, për shkak të frekuentimit të plazheve dhe pishinave, mundësia e marrjes së këtyre infeksioneve nga një person te tjetri, shtohet.

Mënyrat e marrjes dhe transmetimit të mykozave

Infeksionet mykotike tek njerëzit,  përhapen në tre mënyra: më e shpeshta është marrja nga një person i infektuar (nëpërmjet objekteve personale dhe kontaktit direkt); nga kafshët (qentë, macet, bagëtitë); dhe mënyra e tretë: toka, rëra, dyshemeja.

Megjithatë, shfaqjet klinike varen nga disa faktorë: zona e prekur, lloji dhe virulenca e patogenit, përgjigja imunologjike e personit pritës, etj.

Si vihet diagnoza dhe cilat ekzaminime ndihmojnë në vënien e saj?

Mjeku dermatolog, është i aftë në pjesën më të madhe të rasteve, të vëre diagnozën në bazë të eksperiencës dhe syrit klinik. Megjithatë, për arsye të protokolleve dhe mjekimit specifik të këtyre patologjive, kërkohen ekzaminime specifike: ekzaminimi direkt me mikroskop (zgjat disa minuta); kulturë për myk (zgjat disa ditë dhe përcakton llojin e patogenit); mykograma (përcakton llojin e antimykotikut që lufton patogenin); dhe ekzaminimi me llambën e WOOD, me anë të secilës, shihet direkt me sy prania ose jo e mykut.

Trajtimi i këtyre infeksioneve

Është i zgjatur dhe bëhet nën ndjekjen e kujdesshme të mjekut. Përdoren solucione dezinfektuese dhe më pas preparatet antimykotike në trajtën e pudrave, solucioneve,  kremit ose pomadës, në varësi të zonës dhe patologjisë. Në rastet më të rënda, vetëm mjeku specialist vendos për fillimin e preparateve antimykotike me rrugë sistemike (tableta nga goja ose injeksione), pasi ato njihen për efektet anësore në organet e tjera.

Kujdesi personal

Mbajtja pastër dhe thatë e zonave të plikave (aksila, reg. inguinal, submamar, ndërmjet gishtërinjve) sidomos tek personat që kanë predispozitë për këto patologji.

Pa dashur ta ekzagjerojmë me përdorimin e sendeve personale në familje, kur një person është prekur nga këto patologji, sendet e tij si shapkat, peshqirët etj, nuk duhet të përdoren nga pjesëtarët e tjerë të familjes. Në periudhën e verës të shmanget frekuentimi i pishinave për kohë të gjatë dhe rekomandohet bërja e dushit menjëherë pas daljes nga pishina.

Në rastet e shfaqjes së mykozave, çdo person duhet të drejtohet tek mjeku dermatolog, sepse mjekimi i gabuar, zgjat dhe përkeqëson patologjinë mykotike të çdo formë.

Tek bebet, ndërrimi i panolinave dhe mbajtja thatë e kësaj zone, shmang shfaqjen e kandidozave që janë të shpeshta dhe njihen si dermatitet nga panolinat./Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here