Kryefaqja Aktualitet Infeksionet spitalore në Korçë, bashkëpunim intensiv për uljen e tyre

Infeksionet spitalore në Korçë, bashkëpunim intensiv për uljen e tyre

0
Shpërndaje
Spitali Rajonal Korçë
Spitali Rajonal Korçë
Spitali Rajonal Korçë

Ngritja e “Njësisë së Kontrollit dhe Parandalimit të Infeksioneve Spitalore” pranë Spitalit Rajonal të Korçës në bashkëpunim me USAID-in tashmë ka dhënë rezultate të dukshme, të cilat pritet që hap pas hapi të avancojnë

Eglantina Bardhi

Spitali Rajonal i Korçës falë mbështetjes së USAID-it (Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar) ka përqafuar një prej nismave më të rëndësishme në kuadrin e reformimit të sistemit shëndetësor. Prej 6 muajsh ky spital ka intensifikuar punën e tij për sensibilizimine personelit spitalor, por edhe qytetarëve në lidhje me parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve spitalore.

Ruajtja e higjienës, zbatimi i një sërë praktikash efektive sa i takon higjienës së duarve dhe sensibilizimi në masë i personelit spitalor, por edhe qytetarëve janë në fokus të këtij projekti që direkt dhe indirekt ul kostot spitalore, por edhe ofron një shërbim të sigurt dhe cilësor.

Ngritja e “Njësisë së Kontrollit dhe Parandalimit të Infeksioneve Spitalore” pranë Spitalit Rajonal të Korçës tashmë ka dhënë edhe rezultate të dukshme, të cilat pritet që hap pas hapi të avancojnë.

Është provuar se larja e duarve redukton morbiditetin dhe mortalitetin e pacientëve nga infeksionet spitalore. Në kohën kur studimet tregojnë se shumica e infeksioneve spitalore shkaktohen si pasojë e mungesës së higjienës së duarve apo mosrespektimit të teknikës së duhur të larjes së duarve, puna nga kjo njësi ka nisur me përgatitjen e posterave ilustrues, të ndihmuar edhe nga projekti “Në mbështetje të reformës në Shëndetësi” dhe të financuar nga USAID-i, postera që janë vendosur në çdo ambjent ku ka një lavaman, ndërsa vijon puna për monitorimin e zbatimit të politikës së higjienës së duarve nga personeli. Kjo nismë ka gjetur mbështetje edhe tek drejtoria e spitalit, e cila ka siguruar pajisjen me sapun të lëngshëm dhe dezinfektant, ndërsa po punohet edhe për vendosjen e letrës njëpërdorimshe për tharjen e duarve. Infermierja Anila Sedo, e cila është personel i njësisë së bashku me një mjeke infeksioniste, tregon punën dhe ecurinë e kësaj nisme.

A janë kontrolluar edhe më përpara infeksionet spitalore?

Infeksionet spitalore janë kontrolluar edhe më herët nga spitali, por ka rreth 6 muaj që është institucionalizuar njësia dhe puna e saj. Ambjente specifike për këtë njësi nuk ka, por është një staf dhe grup pune që monitorojnë ecurinë e nismës dhe zbatimin e saj.

A ka nisma të tjera që po ecin paralelisht në spital?

Ka plot nisma të tjera që po ecin paralelisht. Projekti vjen në mbështetje të reformës në shëndetësi dhe mbështetet nga USAID-i. Edhe në kuadër të reformimit të sistemit shëndetësor dhe në veçanti të atij spitalor janë ndërmarrë disa nisma në spitalin e Korçës. Një prej tyre ka qenë edhe ngritja e njësisë së kontrollit dhe parandalimit të infeksioneve. Për çdo nismë ka një ekip apo grup pune që punon për zbatimin dhe monitorimin e gjithë politikave apo nismave të përbashkëta midis drejtorisë së spitalit dhe projektit. Disa prej tyre janë: menaxhimi i burimeve njerëzore, menaxhimi i kontrollit të vizitorëve, raportimi i incidenteve, nënkontraktimi i shërbimeve joklinike të spitalit, shfrytëzimi i hapësirave spitalore, marrëdhëniet me publikun, kujdesi për klientin etj.

Cili është qëllimi i kësaj njësie?

Kjo njësi ka nisur punën për monitorimin e zbatimit të protokollit të higjienës së duarve nga ana e personelit të spitalit rajonal Korçë. Qëllimi i projektit është përmirësimi i aksesit dhe cilësisë të shërbimit shëndetësor ndaj të varfërve, por jo vetëm.

Në ç’muaj ka nisur puna dhe cilat janë hapat që keni ndjekur?

Njësia e Kontrollit dhe Parandalimit të Infeksioneve Spitalore ka 6 muaj që është krijuar.Fillimisht me ndihmën e USAID-it nisi puna për shpërndarjen e posterave ilustrues për higjienën e duarve. Këta postera u shpërndanë dhe u vendosën në të gjithë lavamanët e spitalit, poliklinikës dhe maternitetit.

Më tej me grupin e punës kemi kryer monitorime të rastësishme në të gjithë pavionet e spitalit, për të parë sesa personeli mjekësor dhe jomjekësor i zbaton hapat. Nga monitorimet e vazhdueshme që janë bërë, në përgjithësi rezultatet kanë qenë të kënaqshme.

Problemi fillestar që kemi hasur ka qenë mbajtja e bizhuterive sidomos nga personeli femëror, por me kalimin e kohës kemi parë sensibilizim. Problem tjetër ka qenë edhe ai i mbajtjes së thonjve të gjatë, por edhe ky ka shkuar drejt zgjidhjeve.

Pjesë e punës së njësisë është dhe raportimi i gjetjeve të monitorimit. Në fund të çdo muaji përgatitet një raport mujor që pasi diskutohet me grupin e punës, i çohet dhe drejtuesve të spitalit me gjetjet dhe rekomandimet përkatëse. Nëse ka mangësi ato i vihen në dukje drejtorisë e cila nga ana e saj duhet të marrë masat për t’i korriguar ato.

A ka kërkesa dhe synime të tjera të kësaj nisme?

E vetmja kërkesë që ende nuk është arritur të realizohet, është pajisja me mjete tharëse, ç’ka do të thotë eliminimi i përdorimit të peshqirëve të përbashkët nga stafi mjekësor. Kjo është një çështje për të cilën po lobohet me drejtorinë, por edhe me ministrinë për të pasur fondet e duhura për këtë problem.

Joana Mukelli: Parandalimi, më pak kosto se kurimi

Koordinatorja e projektit, Joana Mukelli, duke folur për disa prej synimeve të projektit ka theksuar sa e rëndësishme është që të vijojë sensibilizimi. Puna e kësaj njësie duhet të vazhdojë edhe pasi projekti të largohet, sepse qëllimi i projektit është vazhdimësia dhe mbështetja e nismave të iniciuara prej tij. Përmes këtij projekti forcohen politikat, ato bëhen të zbatueshme dhe të qëndrueshme në të ardhmen.

Sipas Mukellit, “posteri mbart një mesazh të fortë vizual edhe në rastin kur dikush mund të harrojë nga nxitimi të lajë duart si duhet, ai shërben si rikujtesë në mënyrë që të evitohet transmetimi i infeksioneve. I rëndësishëm është sensibilizimi, sepse higjiena e duarve është dhe ngelet mënyra më efektive për eliminimin e përhapjes së infeksioneve”.

“Kostoja për një infeksion spitalor, – thotë ajo, – është disa herë më e lartë sesa kostoja e sigurimit të disa pajisjeve të thjeshta higjienike (si dezinfektanti apo letra njëpërdorimshe). Siguria është e rëndësishme për personelin edhe për pacientin. Ne apelojmë që kjo nismë pozitive të realizohet nga ministria edhe në spitalet e tjera rajonale në vend”.

Dr. Ylli Qirinxhi: Projekti, shumë i dobishëm për qytetarët

Nga ana e drejtorisë së spitalit, projekti ka gjetur një mbështetje të madhe dhe një vlerësim të dukshëm, çka reflektohet në punën e bërë në 6 muajt e parë dhe rezultatet e dukshme të arritura deri më tani. Drejtori i spitalit rajonal të Korçës, Ylli Qirinxhi, duke vlerësuar projektin dhe ndikimin e tij pozitiv në shërbimin e ofruar spitalor thekson se puna e nisur do të vazhdojë edhe pas përfundimit të projektit, pasi kjo është në dobi të qytetarëve.

Qirinxhiu thotë se gjithsesi ka ende hapa të tjerë për t’u hedhur në zbatim të këtij projekti “pasi çdo gjë vjen në rritje  dhe vlerësimi në zbatimin e projektit në bashkëpunimin që ka drejtoria me USAID-in është që ngritja profesionale, edukimi në vazhdim i personelit, edukimi në vazhdim i qytetarëve, pacientëve, gjë e cila është në programin e përbashkët dhe është në vazhdimësi. Drejtoria është e predispozuar maksimalisht që mbasi të mbarojë programi dhe projekti, këto aktivitete të vazhdojnë, sepse janë pjesë e një vlerësimi edhe nga ana e shërbimit me një higjienë të pastër dhe situatë të vlerësuar për infeksionet spitalore, por edhe nga ana ekonomike, pasi redukton shpenzimet”.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here