Infermierë, Gjermania s’është “fushë me lule”!

 

Emanuel Smaka

Çlirim Shpata: Paga dhe vlerësimi i ulët po i largon infermierët

Të paktën 620 infermierë u larguan nga Shqipëria vetëm gjatë vitit 2017, por “hemorragjia” e specialistëve të sistemit shëndetësor me destinacion Gjermaninë vijon të jetë fenomen aktual. Paga e ulët, mungesa e infrastrukturës në spitale si dhe mosvlerësimi në vendin e punës janë disa nga arsyet e cituara nga infermierët si shkaqe të mundshme që ata të lënë vendin e punës. Megjithatë, rrugëtimi i infermierëve drejt Gjermanisë nuk paraqitet aq i lehtë. Përveç tarifave që ata duhet t’u paguajnë kompanive që u sigurojnë vendin e punës në shtete Evropiane, infermierët përballen shpesh me paga jo të kënaqshme në krahasim me shpenzimet. Çlirim Shpata është ndër të parët infermierë të larguar në Gjermani, ndërsa tregon gjatë një interviste për gazetën Shëndet+  se t’ia dalësh atje nuk është aq e lehtë sa pretendojnë infermierët.

Z. Shpata, ku keni punuar para se të pranoheshit si infermier në Gjermani?

Unë kam rreth 11 vjet eksperiencë pune. Fillimet e mia i kam ne ish kliniken e vogël Dora e Artë. Aty u bëra infermier shqiptar. Me pas punova ne Itali 3 vjet, periudhë e cila më ndihmo shumë të rritesha profesionalisht. Aty mësova se si punohej në Evropë. Më pas, gjatë krizës ekonomike që po kalonte Italia ku u ulën shumë pagat, ku kam punuar në një spital privat në Tiranë. Aty punova për 5 vjet.

Ku dëgjuat se mund të aplikoni për punësim në Gjermani?

Unë isha i dypunësuar kur mora vesh që kërkonin infermierë për në Gjermani. Lajmin e mora nga televizioni dhe disa kolegë.  Atëherë u bë bujë e madhe, sepse shumë persona dëshironin që të punonin në Gjermani dhe kjo nuk ishte e mundur. Mendova që pse mos ta provoj një herë. Aplikova online tek një kompani, e cila ofronte një shërbim të tillë. Nuk kaluan shumë ditë dhe më ka ardhur një email ku thoshte që ju e kaluat fazën e parë dhe ku përcaktohej një takim.

Intervista zhvillohej me 3 persona në tre zyra të ndryshme. Intervista bëhej nga një infermier në shqip, një psikologe dhe një profesor gjermanishteje. Pas disa ditësh kthehej përgjigjja dhe të përcaktohej kur do të filloje kursin e gjuhës. Gjate kësaj kohe duhej të dorëzoja edhe disa dokumente si diploma, një cv ne shqip, fotokopje e pasaportës etj.

Gjatë kursit të gjuhës që zhvillohej për rreth 3 ore në ditë nga e hëna ne te premte paradite dhe pasdite, ne duhej të krijonim edhe një cv në gjermanisht, sepse prisnim oferta nga klinika gjermane.

Çdo nivel gjuhësor kalohej me provim. Nëse merrje provimin, kaloje ne nivelin tjetër të gjuhës. Nëse jo, ngelje po te ai nivel derisa ta merrje. Aktualisht po bëhen 10 muaj që punoj në Gjermani.

Ishin shumë infermierë që aplikuan në atë kohë?

Mbaj mend që dy grupet e para përbëheshin nga 500 persona. Aty e kuptova që Shqipëria pas 2 ose 3 vitesh do ngelte pa profesionistë por jo vetëm, edhe të sapo diplomuarit po vërshonin. 2 grupet e para e kanë mbaruar kursin e gjuhës ne një kohë rekord, grupi i parë e mbaroi brenda 8 muajsh. Në kohën qe ne morëm nivelin e gjuhës B1 filluan të vinin ofertat. Më se shumti kërkonin shtëpitë e përkujdesit të pleqve ose siç quhen në gjermani Altenheim. Por ne duhet të bënim edhe nivelin B2 profesional që kishte të bënte me gjuhën e profesionit. Kjo duhej qe ne të përgatiteshim për provimin e njohjes së diplomës dhe licencës.

Ju personalisht, çfarë ofertash ju erdhën?

Mua me erdhën 3 oferta. 2 nga shtëpi të moshuarish dhe një nga spital shtetëror.

Kërkesa që unë kisha bërë ishte që doja të punoja në spital. Gjatë kohës që ne bënim kursin e gjuhës profesional, bënim edhe praktikë infermierore për mënyrën se si punohet në Gjermani.

Pas praktikës duhet të shkonim të jepnim provimin në Gjermani, i cili zhvillohej në 2 ditë. Ditën e parë duhet të jepnim provimin e praktikës dhe ditën e dytë provimin me pyetje nga mjeku, psikologu dhe infermieri. Ankthi ishte i madh si do të dilnim, sepse provimi ishte i vështirë edhe për shkak të gjuhës. Fatmirësisht e mora me sukses.

Po me pas, ju akoma nuk kishit aplikuar për vizë?

Pasi mora provimin u ktheva në Shqipëri, sepse do të aplikoja për vizë. Vizën e mora në kohe rekord për 3 deri 4 ditë. Shumë e rëndësishme për të marrë vizën ishte kontrata e punës dhe leja e punës gjermane. Kontrata e punës kishte 6 muaj prova pastaj vazhdonte pa limit.

Më pas Spitali të kërkonte në një datë të caktuar. Spitali ku un punoj të ofron dhe një garzoniere për disa muaj derisa të gjesh shtëpi. Gjatë 2 muajve të parë, në spital më ka shoqëruar një koleg gjerman, sepse specialitetin si asistent anestezie nuk e kisha ushtruar ndonjëherë. Më pas fillova të punoj në mënyrë të pavarur. Më janë dashur rreth 4 muaj që të përshtatem plotësisht me vendin e punës.

Çfarë përgjegjësish merrte përsipër kompania që ju siguroi transferimin dhe sa keni paguar?

Kompania ka marrë përsipër gjithçka që nga kursi i gjuhës deri tek udhëtimet për provimin, biletat e avionit etj. Por pas 2 deri 3 muajsh punë këtu në Gjermani  vjen një faturë që ti duhet të paguash. Mua personalisht më ka ardhur 1680 Euro dhe duhet të paguaj me këste deri sa ta shlyej plotësisht.

Megjithatë, ata infermierë që nuk arrijnë ta marrin provimin për herë të parë, u rritet fatura.

Avantazhe dhe vështirësi

Shpesh infermierët dëshirojnë të largohen drejt Gjermanisë për shkak se e përshkruajnë si vend me paga shumë të larta. Është me të vërtetë kështu?

Emigrimi në Gjermani është shumë i vështirë. Edhe mua para se të vija këtu më tregonin të tjerët për pagat e larta, me thuhej se një infermier ka mundësi të kursejë e shumë gjëra të tjera, por në të vërtetë kjo është absurde. Taksat dhe sigurimet janë shumë të larta, sidomos për beqarët. Për familjarët janë pak më të ulëta dhe kjo më ka ndihmuar goxha. Këtu në Gjermani, nëse punon vetëm një person, rroga të del vetëm sa për të paguar shtëpinë dhe taksat. Para se të vihet këtu, Gjermania mendohet si “Fushë me lule”, por në fakt nuk është e tillë.

Cilat ishin arsyet që ju shtynë të kërkoni një vend të ri pune?

Arsyeja më madhore mendoj që është rroga dhe e ardhmja e fëmijëve. Gjithçka është e organizuar shumë mirë që në kopsht dhe deri në shkollën e lartë ose në shkollën profesionale.

Cili është ndryshimi i dukshëm mes punës si infermier në Shqipëri dhe Gjermani?

Metoda e punës është e ndryshme. Ne Gjermani bëjmë vetëm punën që na takon të bëjmë dhe jo të gjitha punët që mund të ketë një spital. Këtu infermierët punojnë në bazë të protokolleve dhe jo sipas qejfit. Protokolli mund të ndryshohet vetëm me urdhër të shefit të mjekëve dhe ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Këtu nuk mund të urdhërojë mjeku si i do qejfi dhe nuk ekziston ofendimi mes kolegëve. Nëse në Shqipëri kam pritur një orë për të bërë një konsultë me një mjek për një pacient në kirurgji, këtu e zgjidh me një telefonatë. Infermieri këtu vlerësohet më shumë se në Shqipëri, por siç e thashë më lart është sakrificë e madhe. Të tjerët e përshkruajnë si gjë të lehtë zhvendosjen në Gjermani, por në të vërtetë është krejt e kundërta. Pastaj pajisjet mjekësore këtu janë nga më të fundit, infrastruktura shumë e mirë. Një kontrast i madh me situatën në Shqipëri./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

“Sterilizimi”/ Shtyhet gjyqi për ish-ministrin Ilir Beqaj, ja kur do të mbahet seanca e radhës
Asambleja e OBSH, ministrja Sala prezanton prioritetet e Shqipërisë në shëndetësi
Polifenolet: Sekreti i të ushqyerit të shëndetshëm dhe mirëqenies
'Çohu o dreq mos bëj si e sëmurë'/ Infermierja te Psikiatria keqtrajton pacientët, reagon QSUT: Rast i papranueshëm, janë marrë masa për punonjësen
Qetësia mendore në punë: 6 mënyra për të ulur stresin dhe për t’u përqendruar
Mashtronin njerëzit me ilaçe false për sëmundje të rënda, goditet rrjeti kriminal që operonte në 15 shtete të Europës
Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Kastraveci: Këto janë përfitimet e tij më të rëndësishme