Insekticidet, rreziku i përdorimit në shtëpi

Tradita jonë në përdorimin e insekticideve me përdorim urban kufizohet vetëm tek disa preparate të perceptuara, gati “çudibërëse”, sikurse është edhe fostoksina

Insekticidet kanë një përdorim tepër të gjerë në shtëpitë tona. I përdorim gjatë verës dhe gjatë dimrit, herë për mushkonjat, herë për buburrecat që na Insektetmbushin shtëpitë apo për mizat e vogla që hera-herës “pushtojnë” sirtarët e ushqimeve. Por sa të sigurta janë ilaçet që përdorim kundër tyre. Në një intervistë me mjekun veteriner, Endri Haxhiraj, kuptohet se vendi ynë është pak i prapambetur në këtë drejtim, duke “ngecur” tek pluhurat e dikurshëm, të cilët sado efektiv, janë të rrezikshëm për shëndetin e njeriut. Ai jep disa këshilla të thjeshta, por tepër të efektshme për t’u zbatuar në shtëpi kundër insekteve.

Çfarë kimikatesh gjenden sot në tregun shqiptar si insekticide për mjediset shtëpiake (në ç’grup hyjnë)?

Për sa i përket insekticideve me përdorim urban (në krahasim me ato që përdoren në bujqësi), duhet përmendur se tregu shqiptar është një treg i ri. Tradita jonë në përdorimin e insekticideve me përdorim urban kufizohet vetëm tek disa preparate të perceptuara, gati “çudibërëse”, sikurse janë edhe fostoksina, fosfat zinku dhe kautrina (K-othrine, që ka për bazë një prej derivateve më të suksesshme të piretroideve), por jo të vetmit.

Sot tregu evropian me përvojë disa qindravjeçare në luftimin e insekteve dhe vektorëve të tjerë ofron një gamë të gjerë produktesh që gjenden tashmë në treg prej më shumë se 2-3 vjetësh. Trend në rritje të kimikateve kanë edhe ato me origjinë nga Kina, India, Jordania, Izraeli etj.

Gjithsesi, ndër kimikatet e lejuara që mbizotërojnë tregun shqiptar janë derivatet e piretroideve, neuronikotinoidet, repelentet dhe organofosfatet, si dhe të tjerë në sasi më të vogël.

Ka ndonjë insekticid i cili është i ndaluar në tregun evropian, por lejohet në Shqipëri?

Tregu shqiptar i insekticidive me përdorim urban është përgjithësisht i dominuar nga produkte evropiane. Për këtë arsye mund të gjenden shumë pak produkte që nuk lejohen. Për shembull, të tillë mund të përmenden disa derivate të organofosfateve, ndërkohë që në Shqipëri ende lejohet derivati Azamethifos (organofosfat) dhe fosfati i zinkut për brejtësit.

Le të themi se nuk ka kimikate të mirë apo të këqij, por përdorim i mirë ose i keq i tyre. Problemi i madh i tregut tonë në krahasim me atë evropian është se ende përdoren në ambiente urbane insekticide për përdorim në bujqësi.

Cili është autoriteti përgjegjës që kontrollon që në treg të mos futen insekticide të ndaluara për përdorim shtëpiak (si DDT-ja psh.)?

Ka dy autoritete kryesore: Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Bujqësisë. Ministria e Shëndetësisë kalon në filtër analizash përmes Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) të gjitha produktet insecticide me përdorim urban (të ashtuquajtura biocide) të importuara në Shqipëri. Nga ana tjetër, Ministria e Bujqësisë duhet të sigurojë që produktet për përdorim në bujqësi të mos vihen në dispozicion të përdorimit amator në zonat urbane .

Endri Haxhiraj

Endri Haxhiraj

Ka të dhëna se sa insekticide përdoren sot në Shqipëri në mjedise shtëpiake? Pse mjetet ekologjike duhen preferuar ndaj mjeteve kimike?

Në mungesë të statistikave, një tregues interesant është shitja e vlerësueshme që bëjnë farmacitë bujqësore. Mund të thuhet pa frikë që jemi një popull që e ka qejf përdorimin e “helmeve”. Për shembull, një problem aktual është se çdokujt mund t’i bjerë fare lehtë në dorë një kimikat vdekjeprurës/ me veti kancerogjene për përdorim profesional.

Rasti më i mirë për t’u përmendur është Fosfati i Aluminit (fostoksina) i përdorur kundër brejtësve.

Nga ana tjetër, në Evropë profesionistët rendin gjithmonë pas risive të luftimit të insekteve, sidomos pas metodave ekologjike, me toksicitet të ulët dhe që nuk rrezikojnë njerëzit dhe kafshët. Në Shqipëri nuk ka një tendencë të tillë.

Mund të marrim si shembull faktin se një grup disi i vjetër profesionistësh i qëndrojnë ende besnikë preparateve klasike, si tymues ose pluhur. Kjo nuk lejohet në Evropë për ambiente të përdorimit publik dhe rekomandohet të shmanget për kushtet shtëpiake. Pavarësisht efektit pozitiv që mund të kenë këto preparate, jeta e njeriut është përparësi në vendet perëndimore.

Postime të ngjashme

Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Studimi i ri: Dieta me bazë bimore ul rrezikun e demencës
6 përfitimet e panxharit
Lëngu i panxharit ndihmon në uljen e tensionit? Ja çfarë thonë mjekët
Pse uthulla e mollës nuk duhet të mungojë në dietën dhe jetën tuaj të përditshme?
A është uji i gazuar një zgjedhje e shëndetshme? Zbulojeni tani