Kryefaqja Box 3 Institucionet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe procesi i integrimit Evropian

Institucionet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe procesi i integrimit Evropian

0
Shpërndaje

Institucionet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (IKDNJ) janë institucione të rëndësishme në procesin e integrimit evropian dhe anëtare të Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian (KKIE). KKIE është struktura më e lartë këshillimore kombëtare për integrimin evropian, i ngritur pranë Kuvendit, i cili është përgjegjës për nxitjen dhe garantimin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publike dhe shoqërisë civile, si dhe për rritjen e transparencës në vendimmarrje për çështjet e integrimit.

IKDNJ të cilat kontrollojnë zbatimin e legjislacionit që mbron të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve në Shqipëri: Avokati i Popullit (AP), Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDIMDP) dhe Komisioneri i Mbrojtjes nga Diskriminimi (KMD), bëjnë pjesë në institucionet raportuese shqiptare pranë KE për përmbushjen e rekomandimeve në fushën e të drejtave të njeriut në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Në kuadër të detyrimeve që duhet të përmbushë gjatë procesit të integrimit evropian, Shqipëria duhet të përmbushi të gjitha kriteret e vendosura nga Bashkimi Evropian, të njohura si kriteret politike të Kopenhagenit, ndër të cilat përfshihet edhe ndërtimi i institucioneve të qendrueshme, të cilat garantojnë demokracinë, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut, respektimin dhe mbrojtjen e minoriteteve.

Plotësimi i kritereve i hap rrugë negociatave. Një prej kritereve detyrues të rëndësishëm të Kopenhagenit, është përafrimi i legjislacionit shqiptar me legjislacionin Evropian. Legjislacioni duhet të jetë në frymën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, bazuar në parimet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe në ndikimin e legjislacionit Evropian. Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbron të drejtat e qytetarëve të shteteve që kanë ratifikuar Konventën dhe protokollet shtesë të saj si pjesë të legjislacionit të tyre, duke vendosur në këtë mënyrë shtetin e së drejtës. Legjislatori shqiptar e ka vlerësuar këtë ligj si një prej ligjeve themelore pas kushtetutës.
Qeverisë shqiptare dhe institucioneve kushtetuese, nuk i mbetet tjetër veç respektimi i ligjeve tashmë të përafruar me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Vullneti i të gjitha institucioneve kushtetuese shqiptare, bashkëpunimi dhe përgjegjshmëria mbi zbatimin e legjislacionit të miratuar, siguron hedhjen e hapave të mëtejshëm në procesin e integrimit evropian të vendit.

Në Shqipëri Institucionet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut luajnë një rol të rëndësishmë në mbikqyrjen e zbatimit të legjislacionit në fushën e të drejtave të njeriut nga institucionet përgjegjëse. Por, institucionet e pavarura, ku bëjnë pjesë edhe tre institucionet e të drejtave të njeriut, janë kryesisht të reja dhe për këtë arsye përballen me sfida të shumta. Sfidat kanë të bëjnë me pamjaftueshmërinë e vetë këtyre institucioneve për të përmbushur 100% misionin e tyre, por edhe me neglizhencën dhe indiferencën e institucioneve publike për të marrë në konsideratë dhe për të zbatuar vendimet dhe/apo rekomandimet e tyre. Megjithatë, këto institucione konsiderohen tepër të rëndësishme nga institucionet ndërkombëtare, veçanërisht nga Bashkimi Evropian, për rolin që luajnë në promovimin dhe garantimin e të drejtave dhe lirive të
njeriut në Shqipëri.

Çdo vit, në progres raportet e komisonit Evropian për Shqipërinë, një vend i veçantë i kushtrohet institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut dhe performancës së tyre, duke e venë theksin tek rëndësia që ka forcimi i tyre në realizmin e objektivave demokratike të vendit për njohjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut veçanërisht nga institucionet publike.
Duke iu referuar përparimit të bërë nga Shqipëria në fushën e të drejtave të njeriut, në Progres Raportin e KE për Shqipërinë të vitit 2019 theksohet se “Shqipëria përputhet në përgjithësi me instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe ka ratifikuar shumicën e konventave ndërkombëtare që lidhen me mbrojtjen e të drejtave themelore.” Referuar specifikisht Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut, Raporti vë në dukje se “zbatimi efektiv i rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga administrata publike duhet të forcohet dhe të bëhet më sistematike”. I rëndësishëm për KE është forcimi i kapaciteteve të këtyre institucioneve, kur thekson se “një qasje gjithëpërfshirëse e synuar është e nevojshme për të forcuar kapacitetet e Avokatit të Popullit dhe të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në trajtimin e rasteve të shkeljeve të të drejtave të njeriut.”
Komisioni Evropian tërheq vëmendjen në mungesën e kapaciteteve dhe buxheteve të nevojshme për këto institucione, gjë që ndikon në performancën e tyre. “Kapacitetet e zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave duhet të jenë adekuate për të kryer detyrat e saj në mënyrë efektive”, kërkon KE në të njëtin Raport.

Forcimi i IKDNJ është një garanci më shumë për funksionimin e demokracisë në vend dhe të shtetit të të drejtës ku nihen, respektohen dhe garantohen të drejtat e njeriut për çdo individ dhe grup shoqëror.

Ky shkrim është prodhuar në kuadër të projektit “Evropa respekton të drejtat e njeriut”, zbatuar nga organizata “Together for Life” dhe “Act For Society”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e TFL dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian. 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here