Një 62-vjeçar nga Tirana ka një muaj që bën ecejake pa fund në tre poliklinika të kryeqytetit dhe në QSUT për të kryer një analizë gjaku PSA. Për ta bërë falas analizën e prostatës, Haxhi Hados nuk i ka shërbyer as statusi i invalidit dhe as ndjekja e përpiktë e sistemit të referimit mjek familje-poliklinikë-spital si i siguruar që është.
Ish-minator i nëntokës së Valiasit, Haxhiu banon prej vitesh në zonën e Freskut. Ka 7 vite që vuan nga prostata dhe në mënyrë periodike i drejtohet mjekut të familjes në qendrën shëndetësore pranë zonës së Freskut, ku është banor, për ta referuar tek mjeku specialist. Këtë rrugë ka ndjekur edhe para një muaji, ku me rekomandimin në dorë u paraqit tek specialisti në Poliklinikën nr. 10.
Me të drejtë, kirurgu i kërkon të sëmurit të bëjë analizën e gjakut, PSA-në, që vlerëson saktësisht zmadhimin e prostatës dhe ku më pas bazohet edhe kura mjekësore. Sipas protokollit mjekësor, rasti i referohet QSUT-së, pasi Poliklinika nr.10 nuk e kryen dot analizën.
Por bazuar të njëjtit sistem referimi, spitali e kthen pas të moshuarin me argumentin se analiza e PSA për qytetarët e Tiranës duhet të kryhet në poliklinikat e specialiteteve.
62-vjeçarit i kërkohet për të vajtur në Poliklinikën e Specialiteteve nr.1 që njihet si Poliklinika e Iranianit. Por ky referim i QSUT ka habitur mjekët e Poliklinikës që thanë për “News 24” se kanë vite që nuk e kryejnë më analizën e PSA, pasi nuk kanë as mjetet dhe as mjekun specialist.
Edhe një herë i sëmuri detyrohet të rikthehet në spitalin më të madh në vend për të bërë analizën e gjakut, por sërish spitali i komunikon atij se ka ardhur gabim, dhe e referon si rast në një tjetër poliklinikë specialitetesh, këtë herë në Poliklinikën nr.3, që ndodhet tek “9-katëshet”.
Edhe këtu sorollatjet nuk marrin fund pasi poliklinika i komunikon invalidit se nuk është banor i zonës që mbulon me shërbim, dhe për tepër s’ka prej një jave reagent as për pacientët e saj që vuajnë prej të njëjtit problem.
Vetë drejtoresha e institucionit ia referon rastin QSUT duke i kërkuar miqësisht mjekëve të spitalit që të mos e lodhin më të sëmurin për një analizë PSA.
Për të disatën herë kërkesa e referuar nga poliklinikat nuk pranohet nga QSUT. Të pyetur nga “News 24” spitali më i madh në vend thotë se e ka të pamundur që të përballojë me mijëra kërkesa të ngjashme që përplasen çdo ditë në këtë spital të cilat ligjërisht duhet të administrohen nga shërbimi sekondar që janë poliklinikat. Vetë spitali me mjetet dhe stafin që ka përballon me vështirësi nevojat e të sëmurëve më rëndë me prostatë, që referohen nga e gjithë Shqipëria, përfshirë të sëmurët e shtruar në shërbimin e Urologjisë.
Në 3 poliklinika të Tiranës nuk ia bëjnë analizën se një nuk është banor i lagjes, dhe 2 për mungesë reagentësh, ose më keq se shërbimi nuk ekziston fare si në rastin e Poliklinikës nr.1.
Në QSUT i kujtojnë sistemin e referimit dhe i tregojnë me gisht poliklinikat. Një tragji-komedi që shkruhet në mes të metropolit shqiptar ku institucionet shëndetësore luajnë prej një muaji me të sëmurin, të moshuarin dhe invalidin, lojën “ma le, ta lashë”, ndërsa sëmundja e tij avancon.
Por Haxhiu nuk është i vetmi i sëmurë me prostatë në Tiranë. Madje po t’i referohemi statistikave, zmadhimi i prostatës prek afër gjysmën e meshkujve mbi moshën 60 vjeç. Nisur nga fakti se kjo analizë për momentin nuk kryhet në dy nga 4 poliklinikat e specialiteteve që ka Tirana, nënkupton se gjysma e të moshuarve që vuajnë nga prostata, apo kanceri i prostatës nuk e marrin këtë shërbim.
Tek privati analiza e PSA kushton afër 25 mijë lekë të vjetra, shifër gati e papërballueshme për xhepin e një pensionisti të varfër. Ndaj dhe në shumë raste të sëmurët heqin dorë nga analiza që monitoron zmadhimin e prostatës derisa një ditë e gjejnë veten në kirurgjinë e QSUT për t’u operuar çka i kushton shtetit miliona lekë në vit, dhe kjo produkt i një sistemi referimi që keqfunksionon.
Burimi: News 24 / https://shendeti.com.al/

