Kryefaqja Aktualitet Institucionet shtetërore, asnjë të dhënë për sigurinë dhe shëndetin në punë në...

Institucionet shtetërore, asnjë të dhënë për sigurinë dhe shëndetin në punë në Call Center

0
Shpërndaje

Ilma Lamçe, Denisa Canameti

Rreth 30 mijë punonjës janë të punësuar në sektorin e call center. Për një kategori jo të vogël punëmarrësish, punësimi në to paraqet një zgjidhje të improvizuar, në pritje të një pune më të mirë, e për të tjerët, është një vend i lakmuar për shkak se konsiderohet një punë që të siguron një pagesë relativisht të mirë, krahasuar me nivelin mesatar të pagave në tregun e punës në Shqipëri (Raport: Monitorimi i Zbatimit të të Drejtave të Punës në Sektorin Call Center; Together for life 2017). Shoqata “Together for life“, ka intervistuar disa punonjës të këtij sektori, të cilët tregojnë sfidat e punës në këtë sektor të mirëpaguar, shqetësimet e këtij profesioni të cilat lidhen si me aspektin shëndetësor fizik dhe mendor, mungesën e mjekut, mosrepektimin e Kodit të Punës qoftë në lidhje me ditët e pushimit, apo me njohjen e raporteve mjekësore, si dhe me presionin e lartë dhe orët e tej zgjatura. Nëse i bëhet një analizë konkrete proceseve dhe vendeve të punës të këtij sektori, punëmarrësit rezultojnë të jenë të ekspozuar ndaj rreziqeve të ndryshme, të cilat mund të bëhen shkak për sëmundje profesionale në të ardhmen e këtyre punëmarrësve.

O.S: 14 orë në punë, nuk e njoh mjekun

As për punonjësit që punojnë me orare të tej zgjatura nuk ofrohet kujdesi shëndetësor. O.S është 24 vjeç, dhe ka nisur punën në call center pa bërë ende 18 vjeç. Sigurisht që ajo tregon se e ka nisur pa kontratë, më vonë ka nënshkruar kontratën e punës. Megjithatë, duket se ka qenë një proces krejt formal, pasi asgjë nuk ka ndryshuar.

Më ka ndodhur të rri edhe 14 orë në punë. Pushimi është çdo dy orë, nga 15 minuta. Sigurisht që pas 8 orësh, ky 15 minutësh nuk është asgjë. Por, jam e detyruar sepse orët shtesë paguhen dhe kanë një pagesë të mirë.

“Pasi dal, ndjej marrje mendsh, dhimbje koke, të përziera (ose të vjella) veçanërisht kur brenda një jave këtë orar e përsëris shpesh. Mjeku nuk ka ardhur ndonjëherë. Mbase ka, nuk e di sesi funksionon por unë nuk jam vizituar ndonjëherë këtu. Ankesat edhe i shprehim te supervizorët, por kjo është e njëjtë për pjesën më të madhe të punonjësve. Është një risk që e kemi marrë përsipër vetë. Ata paguajnë, dhe këtu përfundon detyrimi I tyre. Shërbime të tjera, si shërbimi mjekësor nuk ofrohet.

“Kam 6 vite që punoj në call center. Një herë jam vizituar te mjeku ORL dhe më tha që ta le atë punë. Në fakt unë jam e diplomuar për italisht, dhe më kanë ofruar punë përkthyese sepse biznese italiane ka plot në Shqipëri, por nuk më leverdis prej pagës. Them çdo ditë që do ta le, sepse realisht i ndjej shumë të rënduar veshët. Leje nuk bëhet fjalë që të marrim. Vetëm nëse je shumë rëndë”, shprehet O.S.

A.S: Raportet shëndetësore nuk njihen

Nëse ndodh që të sëmuresh, duhet të marrësh parasysh që kjo mund të të kushtojë edhe vendin e punës. Duket paradoksale e thënë kështu, sigurisht as ligjore, por ndodh në kompanitë call center. Punonjësit, edhe pse kanë kontrata pune, të cilat në shumicën e rasteve rezulton që nuk i kanë lexuar, nuk iu respektohen të drejtat e sanksionuara me Kod Pune.

A.S është 28 vjeç , ajo tregon se ka punuar 7 vite në sektorin call center dhe për momentin nuk ka ndërmend ta lerë. Krahas shqetësimeve të tjera, kur flet për çështjet e shëndetit tregon se as raportet shëndetësore nuk i paguhen. I vetmi avantazh thotë ajo është paga, gjithçka tjetër do ta konsideroja minus nëse do flisja për këtë punë. “Ishte një periudhë që isha vërtet keq. Shkova jashtë për një kontroll më të specializuar. Dhe kur u ktheva nuk mi njiohën raportet mjekësore me pretendimin se kisha hedhur foto në facebook. Unë nuk u hospitalizova në Itali, kisha çdo dokument që kisha bërë vizita, por nuk mu pranua.”

A.XH : Kalova infeksion të rëndë, as në tualet nuk shkoja dot

“Kalova një infeksion të rëndë. Nuk rrija dot as ulur. Dy ditë ndenja në shtëpi. Pastaj u ktheva në punë, edhe pse kisha shumë ilaçe. Kishte ditë që punoja dhe 4 orë, në atë kohë por gjithsesi duhet të isha në punë se më rrezikohej kontrata. Raportet shëndetësore? Nuk i marrin parasysh!”

“Sa hërë që shkon në tualet duhet të vendosësh “pausa”, pra stopon kohën e punës. Por, këtë nuk mund ta bësh shpesh, kështu që detyrohesh të vuash aty. Kemi patur shoqe që kanë patur probleme me veshkat, kanë torturuar veten sa kanë mundur dhe kanë ikur. Shëndeti nuk është arsye në këtë punë. Nëse shkon në tualet pa informuar supervizorin merr paralajmërim për përjashtim nga puna.

MSHMS: Citon ligjin, shmang pyetjet

Nga rrëfimet e punonjësve në kompanitë call center rezulton se problemet shëndetësore veçanërisht për ata që punojnë me orare të zgjatura janë shumë të shprehura.  Pasoja të mundshme, nëse nuk merren masat e duhura dhe të nevojshme, janë: sëmundje të shtyllës kurrizore, probleme me shikimin, duke qenë se punojnë me ekrane vizual, probleme me dëgjimin etj. Por, kur referohen këto raste? A ka një sistem të rregulluar për referimin e sëmundjeve që vijnë nga profesioni (sëmundjet profesionale)?

Bazuar në Ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” shoqata “Together for life“ ka po paraqitur kërkesë për informim Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku ka kërkuar informacion në lidhje me shërbimin e sëmundjeve profesionale. Në pyetjet drejtuar Ministrisë, „Together for life“ pyet se:  Ku referohet punëmarrësi  nëse pas vizitës mjekësore profesionale në punë dyshohet sëmundja profesionale, dhe mjeku i punës plotëson “Raportin për sëmundje profesionale të dyshuar”, së bashku me të dhënat mbështetëse (rezultatet e vizitës mjekësore profesionale, analizave dhe testeve mjekësore, si dhe anamnezës profesionale të pacientit) ?; A ka një shërbim specifik për sëmundjet profesionale?; Nëse po, ku ndodhet ky shërbim?;  A funksionon shërbimi i sëmundjeve profesionale?; A funksionon sistemi i referimit të sëmundjeve profesionale?

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka cituar një VKM “Për përcaktimin e rregullave, të procedurave e të llojeve të testeve ekzaminuese mjekësore, që do të kryhen në varësi të punës së punëmarrësit, si dhe të mënyrës së funksionimit të shërbimit mjekësor në punë”, pa u shprehur konkretisht për pyetjet e lartpërmendura, si për shembull: Konfirmim nëse funksionon apo jo shërbimi i sëmundjeve profesionale në vend.

ISHP: Asnjë studim për sigurinë dhe shëndetin në punë në subjektet call center

Ndërkohë, në strukturën e Institutit të Shëndetit Publik është sektori Shëndetit në Punë dhe Toksikologjisë i cili ka për detyrë/ qëllim që të realizojë studime lidhur me ndikimin e faktorëve dëmtues në shëndetin e punëmarrësve, të rekomandoje masa lidhur me Sigurinë dhe Shëndetin në Punë e për pasojë të garantojë një shëndet të plotë dhe rritje të cilësisë dhe rendimentit të tyre në punë. Përmes një shkrese zyrtare, “Together for life“ midis të tjerash i ka kërkuar informacion ISHP-së nëse është kryer inspektime apo studime lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë, në subjektet/ kompanitë Call Center?

“Instituti i Shëndetit Publik, sektori Shëndetit në Punë dhe Toksikologjisë, nuk ka bërë asnjë studim në subjektet ose kompanitë Call Center.“ Me këtë përgjigje ky institucion ka ezauruar plot 7 pyetje të bëra nga Shoqata Together for life.

ISHPSHSH: 32 ankesa për 8 muaj, sanksione në 4 subjekte

Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, bazuar në Legjislacionin e Punës, ka një rol të rëndësishëm në sigurimin e zbatimit të dispozitave ligjore.

Përmes një shkresë të dërguar në adresë të Inspektoriatit të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore për sektorin call center, lidhur me ankesat/denoncimet e adresuara thuhet se:

“Për periudhën Janar – Gusht 2018, pranë institucionit tonë janë depozituar 32 ankesa nga punonjës të sektorit call center, përkatësisht në qarqet Tiranë, Durrës dhe Shkodër. Tipologjia e ankesave të depozituara ka qenë kryesisht në lidhje me cenimin e marrëdhënieve të punës, ku përfshihen: ankesat për vonesa të pagave, moslidhje kontrate pune, mosrespketim i orëve të punës, mospagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore (jo mosdeklarim i tyre në organet tatimore), kohëzgjatja e pushimeve vjetore si he për punë të kryer në ditët e festave zyrtare dhe jo të kompensuar sipas legjislacionit.

Vetëm 1 ankesë e depozituar ka pasur si objekt të anskimit kushte pune të pasigurta. Janë sanksionuar 4 subjekte, në 85% të rasteve për shkelje të Legjislacionit të Punës në lidhje me marrëdhëniet e punës, ku përfshihen moszbatim i dispozitave ligjore për orët e punës, ditët e pushimit javor dhe për punën e kryer në ditët e festave zyrtare, dhe 15% të rasteve për kushte pune të pasigurta”, thuhet në shkresë.

Andi Muratej, ekspert ligjor: Shifrat e çështjeve të trajtuara në gjykatë për sektorin call center

Si duhet të veprojë punëmarrësi në rast të mosnjohjes së raporteve mjekësore dhe a njeh Kodi i Punës një kufi të kohëzgjatjes normale të javës së punës? Andi Muratej ekspert ligjor përgjigjet se :

Raporti mjekësor i lëshuar nga mjeku si më sipër përbën një dokument ligjor të vlefshëm për të provuar pamundësinë e ushtrimit të punës për shkak të sëmundjes. Ky dokument njihet nga Kodi i Punës dhe, punëdhënësi është i detyruar ta njohë atë dokument me paraqitjen e tij nga punëdhënësi. Largimi nga detyra apo çdo masë disiplinore për shkak dhe i lidhur me pamundësinë objektive për të ushtruar punën gjatë kohës që punëmarrësi është me raporte mjekësore është i paligjshëm dhe mund të hidhet poshtë nga gjykata, në favor të punëmarrësit.

Ndërsa, sa i takon kohëzgjatjes normale të javës së punës, Muratej thotë se: “Kohëzgjatja normale e javës së punës është jo më shumë se 40 orë. Ajo përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, në kontratën kolektive ose në kontratën individuale të punës.

Por, a kemi një numër të rasteve që janë të paraqitura në gjykatë për këtë sektor? Muratej jep të dhëna duke raportuar se:

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë:

Nr. Viti Çështje të gjykuara Çështje të përfunduara (gjykata ka dalë me vendim përfundimtar)
1. 2015 14 13
2. 2016 3 1
3. 2017 6 3

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka informuar se, pranë kësaj gjykate janë shqyrtuar gjithsej 3 çështje me objekt marrëdhëniet e punës ose shkeljen e të drejtave në punë për vitet 2015-2017, në sektorin Call Center.

-Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka informuar se, nga viti 2015 dhe deri në dt. 29.05.2018, pranë kësaj gjykate janë paraqitur për gjykim 50 çështje civile me objekt marrëdhëniet e punës, nga të cilat, për 27 prej tyre është dhënë vendim nga kjo gjykatë. Nga këto çështje, informohet se, vetëm 1 çështje gjyqësore ka si palë të Paditur një Call Center.

-Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë informon se, nga verifikimi në Sistemin Informatik të Çështjeve Gjyqësore për periudhën 2015-2017 janë regjistruar 167 kërkesë-padi me objekt, marrëdhëniet e punës, por asnjëra prej tyre nuk rezulton të ketë qenë në sektorin e Call Center.

Renato Muçaj, Kryetari i SPPTSH-së:

Sindikata e Punonjësve të Postë-Telekomunikacionit Shqiptar

Mungesa e vëmendjes institucionale për sektorin call center, lidhet edhe me mungesën e organizmit të vetë punonjësve të këtij sektori.

“Si në shumicën e sektorëve në Shqipëri, punonjësit në vendin e punës janë më shumë të informuar mbi detyrimet që kanë se sa për të drejtat e tyre. Mospasja e sindikatave që në këtë rast janë shumë të nevojshme për të informuar punonjësit apo për të adresuar problemet që ata mund të hasin e bën akoma më të vështirë informimin e tyre mbi të drejtat në vendin e punës. Prandaj duhet sa më parë të ngrihen këto struktura dhe të gjithë këta punonjës të kenë një zë për ti përfaqësuar dhe për t’i informuar mbi të drejtat e tyre në vendin e punës“ shprehet Muça.

“Në dijeninë tonë, akoma nuk ka punonjës të organizuar në sindikata, pavarësisht përpjekjeve të pakta që mund të jenë bërë për të organizuar ndonjë kompani specifike. Sindikata jonë si pjesë e federatës ndërkombëtare UniGlobal Union, në kuadër të fushatave globale që janë ndërmarrë për ta kthyer punën në Call Center në një punë të denjë, ka përfshirë në planin e saj strategjik organizimin e punonjësve të sektorit të Call Center. Si fillim, duke iu bashkëngjitur projektit të Call Center të iniciuar nga organizata e shoqërisë civile Together for Life dhe me synimin për të nxitur më tej lëvizjen sindikale në këtë sektor pasi aktualisht nuk kemi ndonjë organizim të mirëfilltë.

Sigurisht që përfitimi kryesor për të gjithë punëmarrësit është sigurimi i një kontrate kolektive, e cila përfshin në të çdo të drejtë që garanton Kodi i Punës dhe çdo të drejtë tjetër që mund të negociohet me punëdhënësin. Kontrata kolektive gjithashtu rregullon edhe shumë marrëdhënie informale që karakterizon këtë sektor, raste ku punëmarrësit punojnë me orë të zgjatura e nuk paguhen për orët jashtë orarit, nuk paguhen më shumë kur punojnë në festa zyrtare, ju mohohet e drejta e lejes vjetore, punojnë të pa siguruar, punojnë pa kontrata apo nuk kanë një kopje të kontratës individuale“ përmbyll Muça fjalën e tij.

Studimi: 31.5% e punonjësve, probleme shëndetësore në vendin e punës

31.5% e punonjësve kanë probleme shëndetësore të krijuara në vendin e punës. Këto janë rezultatet e publikuara nga shoqata Together for life në një studim lidhur me Monitorimin e Zbatimit të të Drejtave të Punës në Sektorin Call Center.

73.7% e të anketuarve konfirmojnë se kanë shërbimin e ndihmës së parë në ambientet e tyre të punës;  Lidhur me pajisjet mbrojtëse ndaj shikimit dhe dëgjimit, vihet re se 15.4% dhe 9.9% të të anketuarve informojnë se pajisjet mbrojtëse të shikimit dhe të dëgjimit nuk janë të mjaftueshme. Konfirmohet se kanë vërejtur shqetësime në shikim si pasojë e përdorimit të mjeteve të punës.

Për realizimin e këtij studimi u monitoruan 10 kompani call center, të shpërndarë në pozita gjeografike në 4 rajone. Në rajonin e Tiranës u përzgjodhën 4 kompani, ndërkohë në rajonet Shkodër, Durrës e Vlorë u përzgjodhën nga 2 kompani call center.

Këshilli i sigurisë dhe shëndetit në punë

Këshilli i Ministrave, me vendimin Nr.107, datë 9.2.2011 “Për përbërjen, rregullat e organizimit dhe të funksionimit të këshillit të sigurisë dhe shëndetit në punë dhe përfaqësuesit të punëmarrësve”, vendosi organizimin dhe funksionimin e këshillit të sigurisë dhe shëndetit në punë. Por, sipas një studimi të kryer nga shoqata “Together for life”, në këtë sektor rezulton se Këshillat e Sigurisë ekizstojnë por nuk janë funksionale në pjesën më të madhe të tyre.

Këshilli i sigurisë dhe shëndetit në punë ka këto kompetenca:

  1. merr pjesë në vlerësimin, hartimin dhe vënien në jetë të programeve të parandalimit të rreziqeve në ndërmarrje;
  2. nxit nisma për mënyrat dhe procedurat për parandalimin efektiv të rreziqeve, duke i propozuar ndërmarrjes përmirësimin e kushteve dhe mënjanimin e rreziqeve.
  • Punëdhënësi është i detyruar të zbatojë propozimet e bëra nga këshilli i sigurisë dhe shëndetit në punë, duke bashkëpunuar me Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Inspektoratin Sanitar Shtetëror.

Ky investigim botohet në kuadër të projektit “Mobilizimi Social për të drejtat në Punë në sektorin Call Center” i mbështetur nga Olof Palme Center, me fonde të qeverisë suedeze. Opinionet, gjetjet, konkluzionet janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e qeverisë suedeze.

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here