Blertina Koka / Shëndet+
Investigimi i bërë nga gazeta “Shëndet+” në lidhje me ankesat e pacientëve për shërbimet që ofrojnë spitalet private (të financuara nga shteti) është bërë edhe pjesë e spektaklit të humorit “Portokalli”.
“Drejtori i Portokallisë” ka ironizuar partneritetin publik-privat dhe shërbimet që ofrojnë këto spitale për pacientët, më saktësisht për shërbimin e dializës, problem ky i ngritur nga gazeta “Shëndet+” pas ankesave të shumta të ardhura në redaksinë e kësaj gazete.
Aktorët e spektaklit të humorit janë ndalur tek ankesat e pacientëve për mungesën e shërbimit të lavanderisë (pacientët janë të detyruar të marrin batanije dhe çarçafë me vete), mungesën e shtretërve (ndodh që pacientët ta marrin dializën edhe në një poltron dentisti) dhe mënyrën se si spitalet private bëjnë diferencime mes pacientëve të tyre dhe atyre që shkojnë nga shteti. Fajin për këtë, sipas “drejtorit të portokallisë”, e kanë 5 P-të: Partneritet, Publik, Privat, Peqja (që bën marrëveshjet) dhe P**dhu.
Për më tepër ndiqni videon!


