Denisa Canameti / Shendeti.com.al
Martesat e hershme, shtatzënitë tek adoleshentët dhe manifestime të tjera të pabarazive gjinore, të rrënjosura thellë, nënvlerësojnë të drejtat dhe shëndetin e vajzave dhe kërcënojnë përmbushjen e agjendës ambicioze të botës, paralajmëron UNFPA, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë në raportin e saj “Gjendja e Popullsisë së Botës 2016, prezantuar sot në ambientet e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve.
Mosha 10 vjeçare është një moshë kritike për vajzat kudo në botë, ndërkohë që ato i afrohen pubertetit. Në rajonin e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore disa vajza të kësaj moshe lulëzojnë, duke zhvilluar gradualisht aftësi dhe duke zgjeruar njohuritë e tyre, mbështetur nga një mjedis inkurajues dhe fuqizues në familjet dhe komunitetet e tyre, që i inkurajojnë të fillojnë të bëjnë zgjedhje për veten dhe të formësojnë të ardhmen e tyre. Por shumë vajza të tjera stepen nga norma sociale dhe kulturore apo nga praktika dhe ligje diskriminuese.
“Në moshën 10 vjeç, një vajzë në rajonin tonë është në udhëkryq,” tha drejtoresha për Vendin e UNFPA, Rita Columbia. “Se cilën rrugë do të ndjekë ajo, nuk është e rëndësishme vetëm për jetën e saj. Është po aq e rëndësishme për jetën e të gjithë neve. Sepse ne të gjithë fitojmë kur një vajzë- qindra vajza, një brez i tërë vajzash, përmbushin potencialin e tyre: kapitali njerëzor forcohet, ekonomitë zhvillohet, pasuritë shtohen”.
Në rajonin e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, vajzat në përgjithësi janë të mirë arsimuara dhe në nivele më të larta arsimore i kalojnë edhe me rezultatet e tyre, sipas raportit suplement të publikuar nga zyra rajonale e UNFPA.
Por një numër faktorësh të tjerë kufizojnë shumë vajza në këtë rajon të përmbushin potencialin e tyre të plotë si të rritura, dhe të kontribuojnë në progresin ekonomik dhe social të komuniteteve dhe kombeve të tyre:
-Martesat e fëmijëve apo martesat e hershme, megjithëse joligjore, ekzistojnë në një pjesë të rajonit dhe shpesh vajzat detyrohen të braktisin shkollën;
-Vajzat adoleshente kanë tre herë më shumë gjasa të mbeten shtatzëna në këtë pjesë të rajonit krahasuar me Evropën Perëndimore, duke influencuar kështu negativisht në shëndetin dhe perspektivën e jetës së nënave të reja dhe fëmijëve të tyre;
-Gratë e reja kanë vështirësi të kombinojnë punën me kohën për të rritur fëmijët, sepse leja prindërore dhe organizmi i kujdesit për fëmijën nuk janë të mjaftueshme dhe rolet tradicionale gjinore i dekurajojnë gratë të ndjekin karrierën e tyre profesionale.
Pa kontributin e këtyre vajzave dhjetë vjeçare, Agjenda e Kombeve të Bashkuara 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe 17 Objektivat e saj për Zhvillim të Qëndrueshëm nuk do të arrihen kurrë.
“Në fillim të epokës së Agjendës së re 2030, ndërsa ne kemi filluar zbatimin e objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm, suksesi ynë do të varet në shumë mënyra, nga fakti nëse jemi në gjendje të çlirojmë potencialin e kësaj gjenerate vajzash”, shtoi Columbia.
Heqja e barrierave për vajzat 10 vjeçare do të rrisë shanset që agjenda të jetë e suksesshme, argumenton raporti. Politikat e përmirësuara nga qeveritë në dekadën e fundit, kufizimi ose ndalimi ligjor i praktikave të dëmshme, si martesat e fëmijëve, edukimi dhe pajisja me aftësi për jetën dhe edukatë seksuale gjithëpërfshirëse, të përshtatshme sipas moshës në pubertet dhe më vonë, dhe politika mbi balancimin e punës dhe jetës sensitive nga pikëpamja sensitive dhe gjinore janë mjete dhe mënyra për të arritur sukses.
Zamira Gjini, drejtoreshë e përgjithshme e Arsimit Parauniversitar theksoi se “Nisma MAS dhe IZHA për të futur në module kroskurikulare edukatën gjithëpërfshirëse seksuale në sistemin parauniversitar në orë të caktuara, ndërmjet trajnimit të mësuesve të biologjisë, sociologjisë dhe edukimit fizik dhe alternimi i këtyre moduleve me aktivitete të ndryshme sensibilizuese, për të parë edukimin seksual si një informacion në drejtim të formimit dhe për të parandaluar çdo situatë të vështirë për fëmijët dhe të rinjtë, në mënyrë që ata të jenë të sigurt dhe të garantuar për shëndetin e tyre, është dhe mbetet një prioritet i cili e ndihmon shkollën tonë të realizojë integrimin e fëmijëve, duke i ruajtur ata nga informacioni i gabuar dhe situata abuzive, duke realizuar edukim korrekt e shkencor dhe, njëkohësisht, duke krijuar elementet e një partneriteti ndërmjet prindërve, fëmijëve dhe mësuesve në shkollë dhe jashtë saj”.
Sfida e madhe tani, sipas raportit të UNFP’s “Gjendja e Popullsisë së Botës” është të shtojmë ndërhyrjet për të arritur më shumë vajza në mjediset më të varfra, më të largëta dhe në grupet më vurnerabël.
Fakte dhe shifra nga rajoni i Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore
-Pjesa më e madhe e vajzave 10-vjeçare në rajon shkojnë në shkollë (por jo të gjitha grupet e popullatave; për shembull , më shumë se 30% e vajzave rome nuk kanë as arsim fillor në disa vende të rajonit, përfshirë Shqipërinë)
-Martesat e fëmijëve ekzistojnë në disa vende të rajonit, përfshirë Evropën Juglindore, Kaukazin Qendror dhe Azinë Qendrore, por përderisa ligjërisht kjo praktikë nuk është e lejuar, mungojnë shifrat e sakta të deklaruar zyrtarisht.
-Shtatzënitë tek adoleshentët janë në rënie në rajon, por edhe tri herë më të larta se në Evropën Perëndimore (në disa vende dhe gjashtë herë më të larta).
-Në disa vende po lindin më pak vajza se djem, për arsye të përzgjedhjes së seksit të fëmijës; në rajon gjejmë disa nga normat më të larta në botë të disbalancës së raportit gjinor në lindje.
-Më pak gra sesa burra janë futur në fuqinë punëtore në të gjitha vendet e rajonit.
-Vajzat adoleshente janë veçanërisht vulnerabël në krizat humanitare dhe gjatë këtyre krizave nevojat dhe vulnerabilitetet e tyre shpesh neglizhohen.


