Iva Tiço: Jam shumë mosbesuese ndaj sistemit shëndetësor

Ajo është një gazetare, e cila edhe pse mund të jetë shumë e zënë me angazhime të ndryshme, gjithnjë gjen kohën dhe mundësinë të kujdeset për pamjen e saj. Iva Tiço është gazetarja e cila shquhet për elegancën, kujdesin ndaj vetes duke mos i treguar aspak vitet. Brunen zolonjare e shohim të shfaqet herë pas here në ekrane të ndryshme, tepër në formë. Në një interviste për “Shëndet Plus” Iva na rrëfen sekretin për të qenë në formë të mirë fizike dhe shpirtërore.

iva ticoIva, sa dhe si kujdeseni për shëndetin tuaj?

Mund të them pak në krahasim me tjera përkujdesje që bëj për veten. Domethënë nuk bëj ndonjë gjë të veçantë, kam pasur fatin që deri tani të gëzoj shëndet relativisht të mirë. Me përjashtim të grykëve që më sëmuren rregullisht dhe unë nuk bëj asgjë për t’i mbrojtur, gjithçka tjetër shkon më së miri.

Sa herë bëni vizita apo analiza të përgjithshme për trupin dhe cilat janë ato më të shpeshtat?

Periodike tre vitet e fundit përpiqem të bëj ekzaminimet gjinekologjike. Por edhe ato shpeshherë jo me rregullin e duhur.

Shqiptarët mbahen për moskujdesje të shëndetit të tyre, duke u paraqitur tek mjeku vetëm në raste kritike po ju?

Edhe unë jam shqiptare e vërtetë në këtë pikë. 🙂

I besoni më shumë shërbimit publik, atij privat apo varet nga mjeku profesionist?

Në fakt, jam shumë mosbesuese ndaj sistemit shëndetësor në Shqipëri, prandaj dhe nuk jam frekuentuese e rregullt e klinikave. Disa vjet më parë, kur kisha disa shqetësime stine në pranverë, iu futa një rruge të gjatë analizash dhe sa më shumë analiza të bëja, aq më shumë sëmundje inekzistente dilnin, një rrjet i tërë laborantesh që të këshillonin ekzaminime tek mikeshat e tyre mjeke, në shtet dhe në privat… Që atëherë jam bërë shumë mosbesuese, shumica e mjekëve më duken matrapazë. Nëse kam probleme, gjithmonë i gjej mjekët me rekomandime të njohurish.

Është mirë të jesh e bukur dhe e shëndetshme, po për t’i pasur të dyja ju si veproni?

Deri tani thjesht kam pasur fatin të kem shëndet të mirë. Bëj relativisht jetë të shëndetshme, nuk lë pas dorë vaktet, fle shumë dhe fle mirë. Dhe nuk më ka ndodhur kurrë me fle me makijazh, në çfarëdolloj gjendje të kem qenë, nuk ka ndodhur asnjëherë të fle pa pastruar mirë fytyrën.

Sa ju ndihmon palestra të qëndroni në formë?

U bënë shumë vite që frekuentoj rregullisht palestrën, dy vitet e fundit jam marrë dhe me not. Nuk e di se si mund të ishte trupi im pa aktivitetin fizik… Më ndihmon jo thjesht të jem në formë, por të jem edhe në gjendje të mirë shpirtërore.

Njëkohësisht, jeni shprehur kundra ndërhyrjeve plastike përse?

Jam shprehur kundër ndërhyrjeve kur nuk janë të nevojshme. Sepse në rastet e deformimeve apo parregullsive që në lindje, kirurgjia plastike është e domosdoshme… Apo mund të ketë ndodhur të jem shprehur kundër ndërhyrjeve ekstreme kundër moshës. Nuk kam asgjë kundër rregullimeve të vogla, që nuk e prishin fizionominë e fytyrës. Plus që në ditët e sotme ka metoda të tjera që po i nxjerrin jashtë mode fytyrat e fryra me mbushje dhe pa shprehje.

Iva TicoVetë a keni realizuar ndonjë ndërhyrje deri tashmë?

Jo.

Nëse do të vendosni, cila do të ishte ajo ndërhyrje për të cilën ju mendoni se keni nevojë?

Do kisha dashur të bëja një hundë më të vogël. Por e di që s’do guxoj kurrë ta bëj.

Thonë se bukuria e një femre është mirëmbajtja, por dhe shumë genetike. Ju për kë jeni më shumë?

Bukuria është genetike: ose e ke, ose nuk e ke. Por ndërkohë mund të bësh edhe shumë gjëra për të përmirësuar pamjen tënde, për t’u bërë më simpatike. Gjetja e modelit ideal të flokëve, grimi i duhur, veshja, mbajtja e trupit në formë… të gjitha këto të ndihmojnë të dukesh bukur.

I besoni shprehjes ujë e sapun?

Varet nga sapuni… Nëse do ishte i mirë e do ndiqej më pas nga një krem i mirë hidratues, pse jo?!

Cilin tipar pëlqeni tek vetja apo merrni më shumë komplimenta?

Këmbët.

Produktet kozmetike këtu tek ne edhe i besojmë, edhe jo. A keni ju një dermatologe tuajën apo niseni thjesht nga emrat apo linja e produkteve?

Shkoj rregullisht tek një estetiste për pastrim fytyre dhe meqenëse nuk kam pasur asnjëherë probleme me lëkurën, i kam lejuar vetes të provoj gjithfarë linjash e produktesh.

I besoni shprehjes “Vajzat e bukura nuk janë inteligjente”?

Sigurisht që nuk i besoj, më duket një çmim ngushëllimi për të tjerat apo, në rastin më të keq, një shprehje e thjeshtë xhelozie.

Mendoni se sa më të shtrenjta të jenë produktet, aq dhe më të mirë e kanë rezultatin?

Jo domosdoshmërisht. Ama di që produktet e shtrenjta nuk sjellin kurrë rezultat të keq.

Për një lëkurë të shëndetshme dhe të shndritshme, një ndikim të madh kanë dhe ushqimet. Sa rëndësi i kushtoni konsumimit të tyre?

Të them të drejtën, ushqimi për mua është një nga kënaqësitë më të mëdha. Ha me shumë shije dhe e fundit gjë që mendoj, është ndikimi i tij në lëkurë.

Cilët janë ato produkte që ju nuk i ndani nga tryeza juaj?

Ato që unë nuk ndaj, janë erëzat dhe djathrat… Ajo kujdeset që të mos më mungojnë frutat dhe përbërësit e tjerë të duhur, për të cilët nuk më shkon mendja t’i ha nëse nuk m’i vënë përpara.

iva tico.jpeg 2.jpg 222Po ato për të cilat ju duhet të hiqni dorë?

Do duhej të hiqja dorë nga kripa dhe të mos pija kafe pas buke, sepse që të dyja këto kam lexuar që shkaktojnë celulit. Por nuk kam as vullnetin, as dëshirën për ta bërë këtë, më mirë shtoj dozën e sportit dhe bëj çdo vit disa seanca me baltë dobësuese dhe masazhe anticelulit sesa të heq dorë nga kripa.

Flokët janë një pjesë e rëndësishme e bukurisë sonë fizike, ç’kujdes tregoni për to?

I lyej rregullisht, i kreh dy herë në javë të parukierja dhe marr gjithmonë shampon e duhur ushqyese.

Cili është ai model flokësh që kurrë nuk do t’i bënit?

Modelet e viteve ’80, shkallëzim tip motoristësh… Më bën alergji dhe kur ua shoh të tjerëve.

Ju ka ndodhur ndonjëherë t’ju kenë bërë grimin dhe stilimin e flokëve e më pas të jeni drejtuar drejt lavatestit?

Jo, sepse nuk eksperimentoj. Shkoj vetëm në dy-tre vende prej vitesh, në specialistë të grimit dhe makijazhit që punojnë në mënyrë klasike, siç është pak a shumë shija ime.

A i besoni dietave? Cila është dieta më e vështirë që e mbani mend?

Nuk kam bërë kurrë dietë. Katër vite më parë, kur ndjeva se mund të shëndoshem, fillova të marr drekën për të shmangur ushqimet fast food dhe yndyrnat në përgjithësi.

Po ashtu dhe dhëmbët, sa rëndësi i kushtoni?

Rëndësi normale. Pastat e dhëmbëve i blej me zbardhues, por nuk e di sa të efektshme janë, por i blej vetëm të atilla. Edhe sepse jam mësuar me të njëjtën shije prej vitesh dhe e kam të vështirë ta ndërroj.

Cili është ai produkt i estetikes pa të cilin ju nuk mund të dilni dot nga shtëpia?

Prej disa vitesh, pa kremin e diellit në fytyrë, dimër e verë, me faktor sa më të lartë. Disa vjet më parë m’u shfaqën njolla të zeza në fytyrë dhe vetëm këtë vit kam mundur t’i zhduk me trajtim me lazer. Kanë qenë problemi im i vetëm vitet e fundit dhe s’do riskoja më kurrë që të më ktheheshin.

Jeni për një makiazh të lehtë, sa më natyral apo…?

Varet nga dita, ku do shkoj dhe çdo vesh. Në ditë të zakonshme kam makiazh fare të lehtë, mbrëmjeve pak më shumë. Gjithsesi, kurrë edhe sytë, edhe buzët me ngjyra të forta. Nëse lyej buzët me të kuqe, gjë që më pëlqen shumë, sytë mjaftohen vetëm me rimel.

Po shpenzimet në muaj, si janë tek ju në raport me veshjen, ushqimin apo qendrat estetike dhe profesionale?

Për fat të mirë ose të keq, nuk kam lidhje fare me llogaritjen e shpenzimeve. Janë disa shërbime nga të cilat nuk heq dorë, që janë si ushqimi. Nëse ka periudha më pak të mbara, blej më pak veshje. Pastaj në përgjithësi blej dhe shpenzoj deri në pikën e fundit, domethënë deri në pagën tjetër.

A është Iva një femër praktike, pra që diçka mund dhe ta bëjë në ambientet e shtëpisë, p.sh thonjtë apo flokët?

Më pëlqen që të tjerët të kujdesen për mua, më pëlqen ta llastoj vetën nëpër qendra dhe jo t’i bëj trajtimet në shtëpi. Gjithsesi, thonjtë duarve i mbaj përgjithësisht të palyer, sepse kështu më pëlqejnë më shumë. Prandaj shumicën e kohës i pastroj vetë dhe i bëj thjesht me një limë shkëlqyese.

Ç’mendim keni për femrat të cilat orët dhe kohën më të madhe të tyre e harxhojnë për këto shërbime?

Mendim shumë të mirë kam, përderisa kanë mundësitë, pse jo.

Sa e rëndësishme është pamja në jetën profesionale?

Varet nga profesioni. Në administratë thjesht duhet të kesh një pamje sa më klasike dhe sa më të pastër, nëse je mësuese do duhet të heqësh dorë nga aksesorët e tepërt, nëse je personazh publik atëherë do duhet të vishesh siç mendon se të duan njerëzit…

Nëse marrim një paralelizëm midis femrave shqiptare dhe atyre të huaja, si janë këto në raportet e kujdesit për veten?

Varet cila të huaja… Personalisht nuk më pëlqen pamja e shkujdesur e disa femrave që duket sikur duan të thonë “unë vesh ç’më kap dora sepse kam cilësi të tjera”. Më pëlqejnë gratë e zonja që janë edhe të kuruara. Si italianet për shembull, që do ishin perfekte nëse nuk do flisin me orë të tëra për ushqimin dhe nuk do përcëlloheshin aq shumë me solarë.

Higjiena personale, a do të ishte më mirë një femër e veshur thjesht, por pastër, apo një e kundërt e trukuar dhe firmato?

Tani të thuash të vërtetën, pambuku i rrobave firmato është më i miri dhe më higjieniku… Por është e kotë të flasim për veshje dhe grim në njerëz të palarë dhe rroba të palara. Shqiptarët vijojnë të mos i kenë të mira marrëdhëniet me ujin.

Ju ka ndodhur ndonjëherë të shqetësoheni nga kjo gjë dhe si reagoni?

Shqetësohem si gjithë të tjerët. Përpiqem të evitoj ambientet e mbyllura, sidomos në ditë me shi dhe më është bërë refleks që kur shkëmbehem me njerëz, e mbaj frymën që të mos ndiej asnjë aromë. Sepse ka dhe ca parfume që janë më të këqija se çdo lloj ere.

Jeni femër shumë e rregullt, bëni rrëmujë apo një kombinim?

Përpiqem shumë të mbaj rregull, por rrëmuja është talenti im i vërtetë.

Po meshkujt shqiptarë a kujdesen për veten, lëkurën apo veshjen?

Shumica jo për lëkurën, sa kujdesen për veshjen dhe flokët. Ndoshta u duket tipar më femëror ky.

Çfarë nuk duroni dot tek një mashkull?

Ato që nuk duroj dot edhe tek femrat.

Nëse do të niseshit tani për udhëtim, në bagazhin tuaj çfarë nuk do të harroni?

Çantën e produkteve të tualetit, të cilën e kam gjithmonë gati me produkte format udhëtimi. Dhe është e sigurt që do harroja krëhërin e flokëve.

Postime të ngjashme

“Është makth”- Gazetarja Mira Kazhani tregon betejën me kancerin e gjirit
11 personazhe të famshëm që kanë folur hapur për çrregullimet e tyre të tiroides
Aktori Stanley Tucci flet për efektet e rënda anësore të trajtimit me rrezatim për kancerin
Papa Françesku ka një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes. Çfarë është dhe sa serioze është?
Mirela Kuka, nga Shqipëria në San Raffaele: Drejtoj një ekip kërkimor mbi sistemin imunitar, në Itali realizova ëndrrën time
Kate Middleton përfundon seancat e kimioterapisë dhe publikon një video-mesazh emocionues
Mjeku shqiptar 25 vjet kardiokirurg në Itali: E vështirë të lësh vendin, por rezultati i karrierës sime më dha të drejtë
“Do të zvarritem…”/Celine Dion flet sëmundjen e rrallë neurologjike në dokumentarin e ri dhe jo vetëm!