Përshtati në shqip për “shendeti.com.al”: D.Bardhi
Në stinën e verës flokët dëmtohen shumë. Ato thahen, humbasin qëndrueshmërinë, digjen dhe formojnë maja të dyfishta. Faktorët kryesorë në ndikojnë në djegien dhe dëmtimin e flokëve janë: stina e verës, përdorimi i tharëses, piastrës apo produkteve të tjera për stilimine flokëve, dieta e varfër ushqimore, përdorimi i shampove të papërshtatshme etj.
Shpesh herë trajtimet natyrale mund të rezultojnë edhe më efektive se maskat e gatshme. Ja 3 metoda natyrale mjaft efektive që trajtojnë flokët e djegur dhe majat e dyfishta.
Aloe vera dhe vaj ulliri ekstra i virgjër: Aloe Vera ushqen dhe rigjeneron flokët, parandalon rënien e tyre dhe nxit rritjen. Vaji i ullirit i bën flokët më të butë dhe luan një rol “mbulese mbrojtëse” ndaj dëmtimit. Përzieni 5 lugë çaji xhel Aloe Vera me 2 lugë çaji vaj ulliri.
Aplikoni maskën e krijuar në flokë nga rrënja deri tek majat. Lëreni maskën të veprojë për 1 orë dhe më pas shpëlajeni kokën me një shampo bimore. Përsëriteni këtë proçedurë 2 herë në javë.
Majonezë dhe vaj ulliri: në një tas hidhni 3 lugë çaji majonezë, 5 pika vaj ulliri, 2 kapsula vitaminë E (opsionale). Aplikojeni maskën nga mesi i flokëve deri tek majat. Lëreni të veprojë për 1 orë dhe më pas shpëlajeni kokën me ujë të vakët dhe shampo bimore. Përsëriteni këtë proçedurë 1 herë në javë.
Mjaltë dhe vezë: ky kombinim është i mrekullueshëm për flokët e dëmtuar. Maska me mjaltë dhe vezë trajton majat e dyfishta, forcon flokët, i bën ato më të qëndrueshëm dhe me më shumë volum. Përzieni një kokërr vezë dhe një lugë mjaltë derisa të krijohet një masë homogjene. Aplikojeni maskën në të gjithë flokët nga maja deri tek rrënja dhe mbështilleni kokën me një qese plastike. Lëreni maskën të veprojë për 1 orë dhe më pas shpëlajeni kokën me ujë të vakët.
Burimi: Step to Health
