Ju sjell habere të mira nga spitali i rilindur i Përrenjasit!

Nga Andrea Danglli

Ju sjell habere të mira nga spitali i rilindur i Përrenjasit!
Tashmë në këtë qendër spitalore në tre vite është bërë sa për 20+1 vite me radhë.
Nëse më parë shkoje në këtë spital dhe nuk gjeje një mjek, tashmë falë ndërhyrjeve të qeverisë mjekun mund ta gjesh në lokalin pranë.spitali-i-perrenjasit
Nëse më parë nuk gjeje dot një serum në depon e spitalit, tashmë serumin dhe çdo medikament tjetër mund ta blesh në farmacinë në krah.
Nëse më parë nuk gjeje krevat për t’u shtruar pasi ishin të dëmtuar, tashmë një saldator partie qëndron në gatishmëri dhe pacienti veç batanije, çarçaf dhe jastëk i ngelet të sjellë nga shtëpia.
Nëse më parë urgjenca nuk kishte asnjë pajisje bashkëkohore për ekzaminime, tashmë disa mjekë kanë bërë revolucion duke zbuluar diagnozën brenda filxhanit të kafes turke.
Nëse më parë si ambulancë shërbente makina e shefit të urgjencës, tashmë ambulancë ka por duhen profesionistë partie që ta lëvizin nga vendi.
Nëse më parë spitali i Përrenjasit kishte ndonjë specialist, tashmë realiteti i avulloi, duke i varur stetoskopin të paaftit të partisë.
Nëse më parë nuk kishte pothuajse asnjë solucion për të higjienizuar ambientin çlodhës, tashmë falë një investimi janë blerë dy dushe dhe ka ujë të ngrohtë për të luftuar mikrobet.
Nëse më parë në këtë spital shkoje për t’u shëruar, tashmë, falë ndërhyrjeve, shkon me idenë se do të sëmuresh.
Spitali i Përrenjasit ka rilindur!
Shëndetësia falas tashmë nuk është një ëndërr, por ekziston!

Shënim: E pata të vështirë të bëj ironi me dhimbjen që hyn dhe del e pamjekuar në dyert e këtij spitali.
Nuk kam për qëllim as të tund një flamur blu dhe as të ul në gjysmështizë një rozë! Qëllim për mua janë ata që çdo ditë kërkojnë një grusht të fortë për të ndryshuar atë çka i rrethon!
Mund të mendohet se në këto ambiente ka laboratorë korrektë?!
A besohet që këtu ka skaner, eko, ezhe e të tjera pajisje bashkëkohore kur mungon një shtrat për t’u shtruar?
Pretendohet se në këtë vend mund të realizohet një check-up i rregullt?
Gjykohet se në këto rrethana bëhet fjalë për shëndetësi?
Arrihet të quhet kjo ngrehinë një spital që sjell jetë dhe jo vdekje?

Pasi ndesha këtë situatë, menjëherë do të shkruaja edhe një apel ndaj Ministrisë së Shëndetësisë. Letrën e grisa rrugës kur një nënë rreth të 65-ave më rrëfente për plagët e saj! Ajo hapi bluzën e zbardhur dhe më tha: “E shikon këtë shenjë? Pesë herë e kanë prerë dhe e kanë qepur kasapët dhe përsëri nuk e kanë gjetur diagnozën! Shikoje!”
Këtu m’u prenë fjalët! Ngriva përpara plagës që i përngjante një arne të qepur keq.
Në mendje më vinin njëri pas tjetrit fjalimet e pushtetarëve tanë për shëndetësinë falas, për shëndetësinë bashkëkohore, për shëndetësinë që lufton dhimbjen dhe jo që është aleate e vdekjes.
Desha aq shumë që të mallkoj… Dhe për herë të parë në jetën time mallkova!
Nejse, e di shumë mirë që të keqen nuk e zë mallkimi…
Por a rrëzohet e keqja me mallkim?

O Zot!

 

Postime të ngjashme

Vitamina D3: Përfitime për shëndetin dhe si ta merrni në mënyrën e duhur
Uri fizike apo emocionale? Endokrinologia shpjegon si ta kuptoni pse po hani
Dërgonin pacientë me kancer në klinikat private, SPAK mbyll hetimet për Onkologjikun
Fruthi rikthehet fuqishëm në SHBA, 5 viktima në Pensilvani/ Mbi 3,650 raste gjatë vitit 2026
Mjekja: Obeziteti te moshat pediatrike, kambanë alarmi
Shqipëria zgjeron mbrojtjen ndaj HPV-së, nis edhe vaksinimi kundër gripit sezonal
Pediatrja Lira Gjika: Pse nuk duhet ushqyer fëmija pas moshës 2 vjeç
Mjekja zbulon ushtrimet më efektive për rënien në peshë