Përshtati në shqip për “Shendeti.com.al“: Marsela Aliaj
Meshkujt që janë të lodhur në mbrëmje dhe duan të flenë sa më herët, janë më të rrezikuar të të preken nga sëmundjet e zemrës. Studimet sugjerojnë se nëse personi e ka të vështirë të mbajë sytë hapur në mbrëmje dhe përgjumet shpesh përpara televizorit, mund të jetë një shenjë se vuan nga tensioni i lartë i gjakut.
Edhe pasi të shtrihet për gjumë, ka shumë mundësi të mos bëjë një gjumë të qetë dhe të zgjohet shumë herë gjatë natës.
Një studim japonez i bërë tek më shumë se 2400 persona të rritur tregoi se, midis meshkujve, ata që ishin me tension të lartë binin të flinin mesatarisht 18 minuta më herët se ata që kishin një nivel normal të tensionit.
Në të gjithë botën, sipas statistikave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, vdesin mesatarisht 7.5 milionë njerëz nga tensioni i lartë i gjakut.
Kjo gjendje shëndetësore, e cila rrit rrezikun nga atakët në zemër, mund të kurohet me ilaçe ose thjesht duke përmirësuar stilin e jetesës.
Duke qenë se simptomat e tensionit të lartë janë të vështira për t’u deshifruar, shumë njerëz nuk e dinë që janë të sëmurë deri sa pësojnë ndonjë goditje të fortë ose nëse kryejnë analiza paraprake.
Duke u nisur nga fakti që personat me tension të lartë priren të flenë më shpejt natën, disa mund të mendojnë se po të flenë më herët kjo mund të përmirësojë shëndetin. Kjo teori është e gabuar, duke qenë se edhe pse flenë më herët, meshkujt me tension të lartë kanë tendencën të bëjnë gjumë të parehatshëm dhe të zgjohen shumë herë gjatë natës.
Sipas dr. Nobu Sasaki, shkencëtar tek Universiteti Hiroshima, ndodh që problemet me tensionin e gjakut të ndryshojnë orën e brendshme të trupit, të njohur si ritmi biologjik, duke shkaktuar lodhje në darkë dhe prishje të gjumit gjatë natës.
Ky studim i kryer tek mbi 2400 njerëz të moshave nga 40 në 60 vjeç provoi se tek femrat nuk shfaqeshin këto efekte që konstatoheshin tek meshkujt.
Burimi: Daily Mail / https://shendeti.com.al/


