Nga Apostol Vaso, mjek specialist në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë
Dje më erdhi një mesazh: “Përshëndetje doktor! Jam vajza e hallës së Shpresës. Kam ardhur këtu se kjo është bllokuar kur ju nuk bëtë asgjë dhe kjo nuk ka asnjë përmirësim. Përse ia kërkuat lekët dhe e përzutë sikur të ishte një rrugaçe, ndërkohë që është një zonjë? Ju i premtuat asaj që do ta trajtonit dhe e paskeni fyer dhe përzënë edhe herë të tjera. Mos e keni metodë me pacientët sa t’u marrësh lekët dhe pastaj me paturpësinë më të madhe i flakni? Ju sikur hiqeni humanitar, shani qeverinë që vjedh, por ju jeni vetë si ata për një gjilpërë. Ktheni lekët përndryshe do ta bëj problem me fakte. Kam plot. Dua përgjigje nga ju”.
Unë ju përgjigja: “Do të vish ti nesër të të sqaroj, dhe jo Shpresa. Nuk ta kam për borxh të dëgjoj të këtilla fjalë. Nesër në mëngjes të pres në spital nëse e do kaq shumë kushërirën”.
Rasti nuk ka të bëjë vetëm me mua. Sidoqoftë unë dua ta diskutoj. Po, unë i kam kryer një procedurë epidurale foraminale për dhimbjen e saj kronike. Këtë procedure unë e realizoj privatisht, sepse nuk kam asnjë mundësi ta realizoj në spitale të sistemit publik. Dua të sqaroj. Këtë procedure e realizoj unë dhe një mjek tjetër i sistemit tonë shëndetësor. Nuk po diskutoj se kush nga ne e bën më mirë, por janë vetëm dy specialistë, që kanë ekspertizën për ta kryer.
Pra kam të drejtën e monopolit të vë një çmim sa të dua. Nga ana ime, unë mund të them që jam i trajnuar dhe i pajisur me Diplomën Europiane të Trajtimit të Dhimbjes. Diplomën nuk e kam marrë, sepse kartoni i saj kushtom 750 Euro. Por nëse dikush interesohet e mëson që unë nuk gënjej.
Është e vërtetë që unë i kam ndërprerë trajtimin disa herë, por jo siç interpretohet, por sepse unë kam strategjinë time të mjekimit. Cilin mjekim do pyesni ju….? Epidualen…? Jo, por procedurat manuale me trajnimin dhe edukimin për përballimin e dhimbjes kronike. Dua të sqaroj që kjo është një seancë një orëshe e përditshme, të cilën unë e kam realizuar falas. Këtë ekspertizë e realizoj vetëm unë, jo vetëm në Shqipëri, por shume më gjerë. Edhe kësaj procedure që është monopol mund t’i caktoj një çmim, sa të gjykoj unë. Llogarisni sa kushton një masazh falas, të kuptoni se sa e shtrenjtë është një procedurë manuale, nga një specialist me diplomën e dhimbjes, që janë të rrallë në Europë.
Unë për shumicën e të sëmurëve e bëj falas, sepse kështu e kam gjykuar. Duhet sqaruar që kësaj të sëmure i kam bërë deri tani minimalisht mbi 10 seanca, duke e sqaruar që do të bëjë shumë.
Duhet sqaruar që i sëmuri me dhimbje kronike, është një lloj si një i sëmurë me tension arterial ose i sëmurë nga veshkat, pra i një i sëmurë që kërkon trajtim të gjatë dhe të herë pas hershëm. Ne ndryshim nga të sëmurët e mësipërm, i sëmuri me dhimbje ka disa veçori, që e vështirësojnë akoma më shumë punën e specialistit të dhimbjes.
E para, që të gjithë të sëmurët jo vetëm nuk e dinë që janë të sëmurë me dhimbje kronike, por qe as nuk e besojnë edhe kur ua thua. Kështu që në më të shumtën e rasteve ata janë të sorrollatur nga specialistët e tjerë me vite ose me dekada, kështu që këta të sëmurë vijnë me një sërë hallesh dhe problemesh tek unze, konktetisht.
Më të rëndësishmet mes tyre janë ato që u përmendën në mesazhin e mësipërm, pra dëmtimi i buxhetit dhe mosbesimi deri në furtracion ndaj sistemit dhe sigurisht mjekut të radhës. Ata, meqë kanë qenë të paragjykuar nga sistemi për të mos u dëgjuar dhe ndihmuar përshtatshëm, çdo veprim apo mosveprim tëndin e shikojnë me negativizëm. Kjo në gjuhën e specialitetit të dhimbjes quhet sjellja ndaj dhimbjes. Kjo është arsyeja që unë këta të sëmurë përpiqem t’i trajtoj ndryshe, pra edukim dhe trajnim të sjelljes.
Metoda ime veç procedurave invazive, siç përmenda më lart, dhe puna manualisht me dorë, konsiston në radhë të parë të ndryshoj ritmin e mendimit te i sëmuri, e cila quhet edukim dhe trajnim i sjelljes ndaj dhimbjes..
Siç e thashë më lart sjellja ndaj dhimbjes është këndvështrimi që ata kane ndaj problemit të dhimbjes dhe sigurisht dhe padurimi, frustracioni, grimasat, të qarat, ankthi, pagjumësia, agresiviteti, frika, nxitimi, egoizmi ose përqendrimi vetëm te ndjesia e tyre, përpjekja për t’i bërë bisht përgjegjësie ose aktivitetit të tyre, varësia ndaj ilaçeve dhe më e rëndësishmja varësia nga mjeku. Të gjitha dhe dhimbja e vazhdueshme e vendosin të sëmurin në një alarm të shprehur, i cili bën që ky të mos besojë te vetvetja, që rezulton në një varësi tërësore te mjeku dhe familjari.
Pikërisht kjo e sëmurë ishte një rast i tillë, që nuk priste të mbaronte i sëmuri i radhës, por insistonte që ajo duhet të kishte shërbimin kur asaj i duhej, ose në çdo rast merr në telefon që ta ndajë me mua. Në këtë situatë unë ndërtova një strategji, që ajo të kuptonte që çdo shqetësim do ta kalonte dhe të mos perpiqej ta transferonte me alarm.
Duke qenë se asaj kjo gjë iu duke e pamundur, pra ta transferonte tek unë, gjeti rrugën tjetër, e trasferoi te të afërmit, të cilët filluan ta përjetojnë dhe ta shkarkojnë tek unë dhe është normale. Tani le të kthehemi e të analizojmë situatën. Në të gjitha situatat të drejtë ka i sëmuri dhe familjari, sepse ata kanë problemin.
Po unë a kam të drejtë? Që kam mbi 20 vjet që insistoj në çdo qeveri duke kërkuar që të ngrihet Qendra e Dhimbjes jo vetëm në Tiranë, pasi kjo sëmundje prek 30% të popullsisë? Kam unë të drejtën të mos përflitem, kur jam një njeri i vetëm që e bëj këtë punë, jo se jam i detyruar, por sepse më pëlqen dhe sigurisht me dhembin këta të sëmurë? Nëse mua më bie pjesa ime e fajit para të sëmurëve, po shteti a ka përgjegjësi? Mirë ndaj të sëmurëve, sepse dihet, që nuk e çan kokën, por ndaj një mjeku tejet të profilizar, në këtë rast fatlum, sepse të kërkon lekët, por në një rast tjetër mund të të kërkoj kokën? Kam faj unë që procedura nuk bëhet në spital, apo familjarët, apo e sëmura…apo shteti? Nëse do të realizohej në spital, a do të paguante e sëmura? E fundit, kush ka më shumë faj në këtë mes, unë që bëra “gabimin”, sipas të sëmurës, apo shteti që nuk i jep asaj mundësinë të ndërrojë doktor? Ajo ndoshta mua nuk do të më shikoj më me sy, por s’ka ku të shkojë, për një shërbim të njëjtë apo më të mirë në këtë vend.

