Në zonën periferike të ish-kënetës së Durrësit ngado të shoqërojnë kanalizime me ujëra të ndenjura që kundërmojnë aromën e rëndë të solucioneve të ndotura që pluskojne rëndom në këto ujëra. Era e pakëndshme të bezdis, sidomos këto ditë kur tashmë ka filluar të nxehet koha. Por megjithëse koha ka qenë e thatë, kanalet janë të tejmbushura me ujë.
Në tre raste konstatojmë se ujërat kanë dalë nga kanalet dhe kanë mbushur rrugët, ndonjëra prej të cilave ka qenë dikur edhe e asfaltuar dhe tashmë është kthyer në kanal nga më të zakonshmit.
Në të gjithë territorin informal të zonës së ish-kënetës së Durrësit dhe rrethinat deri në Spitallë, jeton një komunitet i madh prej afërsisht 108 mijë banorësh të ardhur nga zona të ndryshme të vendit. Ndërsa vetëm në ish-kënetë popullsia përbëhet nga rreth 60 mijë banorë.
Në infrastukturën e zonës shikohet me sy të lirë se megjithë investimet e bëra, shumë prej tyre kanë rezultuar të paefektshme. Dhe kjo e ka rënduar gjendjen çdo ditë e më shumë. Një nga zonat më skandaloze është rruga “Mynyr Dobi” në qendër të këtij komuniteti, e cila nga rrugë e projektuar, që përbën një investim të dështuar, është kthyer në një kanal ujërash të zeza në të cilën kalojnë edhe tubacionet e ujësjellësit, duke rrezikuar shëndetin e popullsisë.
Një banor intelektual i njohur i zonës, Nikollë Prenga, thekson se në këtë gjendje janë rreth 137 km rrugë të brendshme që bashkëshoqërohen me kanalet e ndotura. Po në një situatë të rënduar janë kryesisht rreth 70 km kanalizime të cilat janë realisht të tejmbushura me ujëra të zeza që qarkullojnë në natyrë. Ujërat kanë mbushur kanalet dhe nuk lëvizin.
Disa banorë thanë se kanalet ka ndodhur që janë bllokuar për shkak të tubacioneve tek urat që janë me diametër të ngushtë, dëme të shkaktuara nga ndërhyrjet joprofesionale të banorëve, që tregon dhe anarkinë e zhvillimit.
“Duke qenë ujërat nën efektet e ndotjes së vazhdueshme, rreth 65% e popullsisë së zonës së kënetës ka frekuentuar spitalin”, thotë Nikollë Prenga.
Ai tregon me duar disa rrugë, të cilat vërehen me sy të lirë se kanë filluar të humbasin asfaltin dhe gropat e reja kanë filluar që të jenë kërcënim për gomat e mjeteve që kalojnë nëpër to. Madje ka shumë rrugë që nuk kanë as asfalt dhe që të sjellin në vëmendje rrugët e dikurshme të kooperativave bujqësore mbi të cilat kalonin çdo ditë traktorët me zinxhirë.
Përmes zonave shfaqen kanalet e famshme të mbushura me ujëra të të gjitha llojeve, duke filluar nga ujërat e bardha dhe të zeza dhe mbi to pluskojnë si për të mbuluar pamjen ngjyrat e detergjentëve të përdorura për larjet në lavatriçe. Kur ka fluks, mbushen dhe pusetat e ujërave të zeza ose të gropave septike dhe atëherë mbushen kanalet. Më pas ujërat e kanaleve derdhen nëpër oborre dhe deri në banesa duke rikthyer në to edhe ujërat e zeza. Në këto kanale shihen me sy të lirë edhe tubacionet prej plastike nga ku furnizohen me ujë të pijshëm banorët. Merret me mend lehtë se si janë kushtet higjienike.
I. Selmani, banor prej shume vitesh në këtë zonë, thotë se ai nuk arrin që të kuptojë se çfarë turizmi promovohet kur nuk ka investime serioze në rrugë, pasi sapo mbarojnë fushatat elektorale, asfalti fillon e shqyhet dhe gropat septike që në dimër mbushin oborret nga ujërat që i tejmbushin, në verë lëshojnë një erë mjaft të rëndë e cila shkon edhe drejt plazhit.
“Ne banojmë këtu, – thotë ai, – por edhe kur na vijnë miqtë e ndiejnë fëlliqësinë e shpërndarë në ajër. E ç’mund të kërkojë një turist në këtë atmosferë të ndotur që është e gjitha vetëm sëmundje?! Përqendrimi i ndotjeve me këtë densitet të lartë që ka në këtë zonë, zakonisht vetëm epidemi mund të shpërndajë në mes të banorëve dhe të ardhurve qoftë dhe për pak kohë”, përfundon bisedën Selmani duke folur mbi shqetësimet e komunitetit
Sipas Nikollë Prengës, nëse kalon një rrugë e asfaltuar mespërmes rajonit, thotë ai, rrugët lidhëse me këtë lagje janë të gjitha pa asfalt dhe plot baltë edhe në ditët e nxehta, sepse nuk ka kullime ujërash. “Në këtë zonë sëmundjet janë shtruar rrafsh”, thotë ai me shqetësim.
Për këtë mjafton që të theksohet se ndotjet mikrobiologjike, subsatancat e marra nga tubacionet e ujërave prej plastike dhe gome, kanë bërë që të prevalojnë sëmundje të shumta, dhe sot rreth 65 % e të shtruarve në Spitalin Rajonal të Durrësit janë nga zonat informale, numri i banorëve të të cilave ka arritur në 108 000.
Në të njëjtën valë shpreh shqetësimin edhe një nënë. Ajo thotë se situata është e rëndë sidomos për fëmijët e vegjël që rriten në këtë ambjent të ndotur. Fëmijët janë të shumtë. Rreth 14 600 fëmijë.
Ndërkohë rendit dhe shqetësimet sociale të zonës, ku varfëria është e madhe në komunitet. Përveç të sëmurëve, – thotë ajo, – këtu ndodhen edhe rreth 296 persona me aftësi të kufizuar. Janë 197 fëmijë jetimë. 230 fëmijë janë me prindër të divorcuar, ndërsa nëna kryefamiljare me jetimë janë rreth 185 gra.
***
Këto informacione mbështeten nga programi SENiORA-a drejtuar nga REC, rrjeti ECIM, grupim i shoqatave mjedisore, duke vijuar denoncimin e masakrave mjedisore



