Kanceri i buzës është një tumor malinj që prek zakonisht racën e bardhë, sidomos meshkujt në 80% të rasteve. Në 50% të rasteve ky tumor malinj jep metastaza në qafë edhe në organe të tjera të trupit
Elona Tereziu
Kanceri i buzës është një tumor malinj që zë 25-30% të gjithë tumoreve malinje të zonës së fytyrës. Prek kryesisht meshkujt dhe faktorët e riskut janë të ndryshëm. Nëse jeni një duhanpirës i rregullt, e kafshoni
shpesh buzën, nuk përdorni kremra mbrojtës, pa përjashtuar dhe faktorin gjenetik, jeni i riskuar. Lozana Binjaku, mjeke maksilo-faciale në Spitalin e Traumës prej më shumë se 20 vitesh, shpjegon në mënyrë të detajuar për lexuesit e “Shëndet +” simptomat dhe klasifikimin e tij, duke kujtuar që nëse kapet në faza të hershme kalon pa asnjë problem.
Çfarë është kanceri i buzës dhe si bëhet klasifikimi i tij?
Kanceri i buzës (kankum lati) është një tumor malinj që zë 25-30% të tumoreve malinj të zonës së fytyrës. Në 95% të rasteve prek buzën e poshtme, për shkak se buza e poshtme është më e lëvizshme dhe më e ekspozuar ndaj rrezatimit diellor dhe mikrotraumave. Prek zakonisht racën e bardhë, sidomos meshkujt në 80% dhe është në formën e karcinomës epidermoide në 90% të rasteve. Në 50% të rasteve ky tumor malinj jep metastaza në qafë edhe në organe të tjera të trupit.
Klasifikimi
Klasifikimi i kancerit të buzës njihet si klasifikimi TNM ku T do të thotë tumor, N- noduse, M-metastaza.
Tumori
Tumori klasifikohet në tumor T1, T2, T3 dhe T4.
- T1: në rastin kur përmasat e tumorit janë më pak se 1 cm dhe është sipërfaqësor.
- T 2: tumor me përmasa 1-3 cm, edhe ky është sipërfaqësor, pra nuk depërton në thellësi.
- T3: kur përmasa është më e madhe se 3 cm dhe depërton në thellësi.
- T4: është forma më agresive, me përmasa mbi 4 cm, është i thellë dhe përhapet në faqe, mjekër, nofullën e poshtme (mandibul) dhe në buzën e sipërme.
Nodusi
Nodusi ka të bëjë me gjendrat limfatike dhe ka këtë klasifikim: N0, N1, N2, N3.
- N0: nënkupton që nuk kemi limfonodula të prekshme.
- N1 : mund të kemi praninë e një limfonoduli në një anë të qafës, të lëvizshëm,
- N2: kemi praninë e të paktën një limfonoduli dhe në anën tjetër të qafës ose në të dyja anët, të lëvizshëm.
- N3: kemi praninë e të paktën një limfonoduli në një anë ose në të dyja të qafës mbi 6cmm, i fiksuar në formë paketi
Metastaza:
- M0 – Kur nuk ka metastazë në distancë
- M1- Kemi metastaza në distancë, si: mushkëri, kocka, tru, mëlçi etj.
Si vendoset diagnoza?
Për të vendosur diagnozën nga anamneza (pyetjet që i bëhen të sëmurit), si psh: Sa kohë ka me këtë formacion (kohëzgjatja)? Si i është shfaqur? Ku banon dhe profesioni që ka?
Kjo për faktin se ai që banon në fshat dhe që merret me bujqësi, është më i ekspozuar ndaj diellit dhe më i rrezikuar se pjesa tjetër e popullatës.
Rëndësi kanë shenjat klinike. Kanceri i buzës paraqitet në formë ulcerativo-erozive, papilomatoze dhe nodulare. Në fillim i sëmuri nuk ka shqetësime, më pas fillojnë dhimbje të lehta, gjakosje, rënie të kores, djegie, kruarje etj. Ndërsa për stade më të avancuara përdoret imazheria, domethënë ekzaminimet radiologjike dhe histopatologjia, heqja e kancerit si masë dhe dërgimi për biopsi.
Kjo është ajo që e përcakton përfundimisht diagnozën, pasi vlerësimet e tjera janë thjeshtë vizive.
Si bëhet trajtimi?
Trajtimi i kancerit të buzës bëhet në varësi të klasifikimit. Për trajtimin e tij përdoret trajtimi kirurgjikal, radioterapia, kimioterapia, si dhe kombinimi midis tyre. Duke iu referuar sistemit TNM, trajtimi i kancerit të buzës rekomandohet si më poshtë:
- Në T1-T2: Përdoret ose kirurgji ose Ro-Terapi e vetme.
- Në T2-T3: Përdoret Kirurgji plus Ro-terapi.
- Në T4: Përdoret Kirurgji plus Ro-terapi.
Gjithashtu, trajtohet qafa nëpërmjet diseksionit të limfonodulave. Teknikat më të përdorura për trajtimin kirurgjikal të kancerit të buzës janë: vermilionoplastika, ekscizioni elipsoid (në formë elipsi), ekscizioni kunëiformë ( në formë pyke, V-ekscizion), ekscizion në formë katërkëndëshi ose trapezi, ekscizion në formën e Ë-së dhe kur preket nofulla e poshtme me buzën bëhet heqja e pjesshme e saj ose në bllok. Në kohët e sotme bashkë me heqjen e tumorit bëhet edhe rindërtimi i menjëhershëm i buzëve me lembo muskulo-kutane. Pra, pacienti nuk duhet të presë deri në 6 muaj derisa të mbyllet plaga për të bërë plastikën e saj, por bashkë me heqjen e kancerit modelohet dhe defekti i buzës.
Cilët janë faktorët e riskut?
Faktorët e riskut ndahen në të brendshëm dhe të jashtëm.
Si faktorë të jashtëm njihen: faktorët kimike (hidrokarburet), faktorët fizikë (rrezatimet diellore ultravjollcë, rrezatimi jonizues, faktorët viralë (EBV, HPV etj), duhani, alkooli, inflamacionet kronike të buzëve (keiliti glandular aktinik), gjendjet prekanceroze (leukoplakia), higjiena jo e mirë e gojës, kequshqyerja dhe mikrotraumat e ndryshme (dekubituse, vesi i kafshimit të buzëve, disa profesione si marangoz, këpucar që mbajnë sende metalike në buzë). Si faktorë të brendshëm njihen ato gjenetike, faktorët endokrinë, imunitarë dhe nutritive.
Në çfarë moshe dhe ku e hasim më shpesh?
Kanceri i buzës haset më tepër në moshën e tretë dhe më pak në mosha të reja. Në 90% të rasteve prek meshkujt, sidomos meshkujt duhanpirës, këpucarët, marangozët, pasi këpucarët apo marangozët kanë tendencën e vendosjes së gozhdës në gojë, pa e kuptuar që kjo është shumë e dëmshme për ta.
I kuqi i buzëve që përdorin femrat, përmban plumb. A kemi të bëjmë këtu me një faktor risku?
Jo, nga ana shkencore nuk dihet të ketë një faktor të tillë. Unë nga përvoja ime do të thoja se është më shumë mbrojtës. Personat që kanë tendencë të kafshojnë buzën dhe në rastin e formimit të një plage në buzë nga kafshimi kanë përdorur të kuq buzësh apo zbutës, kanë patur rezultat në rigjenerimin e shpejtë të plagës së krijuar në buzë. Gjithashtu, i kuqi e mbron buzën edhe ndaj rrezatimeve të ndryshme.
Sa shpesh i hasni këto raste në punën tuaj?
Në vitet 96, kur unë jam specializuar në SQUT, ka pasur raste të shumta në stade të thjeshta e të avancuara të kancerit të buzës, ndërkohë që kohët e fundit numri i tyre sipas statistikave është ulur. Kjo mund të shpjegohet me përdorimin e mbrojtësve të buzëve, të cilët para 20 vitesh kanë qenë pak të përdorur, ndërgjegjësimin e njerëzve për një higjienë të mirë, si dhe përdorimi i duhanit me filtra, në kontrast me duhanin e përdorur më parë që vendosej direkt mbi buzë, efektet djegëse të nikotinës në buzë kanë qenë shumë të mëdha.


