Bisedoi: Denisa Canameti, gazeta Shëndet + dhe Shëndeti Online
Numri i personave të prekur nga kanceri i tiroides është dyfishuar vitin e fundit, ndërkohë që më të prekurat janë gratë. Në konferencën ndërkombëtare mjekësore u bë me dije se 81.8 % të rasteve të diagnostikuara janë femra, ndërkohë që Tirana ka numrin më të lartë të të prekurve, e ndjekur nga Durrësi, Korça dhe Elbasani.
Grupmosha që rezulton më e prekur nga kanceri i tiroides është 40-60 vjeç.
Sipas specialistëve, rastet me këtë tumor janë rritur për shkak të mungesës së përdorimit të kripës së jodizuar, por edhe si pasojë e rrezatimeve të ndryshme, përfshirë edhe celularët.
Çdo person për të pasur një shëndet të mirë duhet të ketë një dietë të pasur me jod, jo më pak se 100-150 ml/gram jod në ditë.
Kjo sasi siguron një funksionim të mirë të gjendrës tiroide dhe gjithë efekteve të tjera që jodi ka në organizëm. Në një intervistë për Shëndet+ mjeku Gerond Husi shpjegon problematikat e këtij kanceri dhe simptomatikën me të cilën shoqërohet.
Doktor, çfarë është kanceri i tiroides dhe sa i shpeshtë është në popullatë?
Fillimisht duhet të themi diçka për gjendrën tiroide. Gjendra e tiroides ndodhet e vendosur në pjesën e përparme të qafës, forma e secilës ngjason me krahët e një fluture. Kjo gjendër është përgjegjëse për prodhimin e hormoneve të tiroides, të cilat kanë ndikim të rëndësishëm në të gjithë indet e trupit duke ndihmuar rritjen e aktivitetit qelizor. Metabolizmi i mirë i trupit i referohet funksionimit normal të tiroides.
Kanceri i tiroides përbën rreth 1% të të gjithë tumoreve tek njeriu, por vlen të theksohet se vdekshmeria nga ky tumor është e vogël. Kjo si pasojë e trajtimit, por edhe për shkak se vetëm një pjesë shumë e vogël e tumoreve të tiroides është me agresivitet të lartë.
Kush preket më shumë nga ky kancer, gratë apo burrat?
Patologjitë e tiroides janë më të shpeshta te gratë sesa tek burrat. Raporti është 1:5.
A njihen shkaktarët e kancerit të tiroides?
Jo. Nuk dihet arsyeja se kush e shkakton kancerin e tiroides, flitet për faktorët favorizues. Siç janë rrezatimet e ndryshme apo faktorët ambiental.
Lidhur me faktorët ambiental duhet thënë se nuk është vënë re ndonjë lidhje me ndotjen. Kanceri mund të prekë si personat që banojnë në fshat dhe ato që jetojnë në qyetet, si personat që jetojnë në qytete të vogla si personat që jetojnë në qytete të mëdhaja. Nuk ka ndonjë disporporcion shumë të madh. Por mendohet se personat që jetojnë nëpër qyetete të mëdha industriale, me këto valët, me rrezatimet e jashtme që vijnë për arsye të ndryshme mund të jenë më të riskuar se personat e tjerë. Por realisht nuk është parë ndonjë lidhje midis ndotjes së mjedisit dhe kancerit të tiroides.
Cilat janë simptomat me të cilat shoqërohet kjo sëmundje?
Simptomat nuk janë të shumta . Në përgjthësi simptoma që mund të vihet re nga të sëmurët vetë është zmadhimi i gjendrës tiroide në nivelin ku ajo projektohet, në nivelin e qafës. Kjo mund ta bëjë personin që të dyshojë për një problem. Në përgjithësi nuk ka ankesa, nuk janë të dhimbshme, por vetëm rritja mund të jetë tregues. Rritja mund të evidentohet si nga i sëmuri ashtu edhe nga mjeku i cili e mban në ndjekje të sëmurin duke i bërë kontrolle ekografike gjendrës tiroide.
Ndër format që paraqet ky lloj kanceri do të përmenden:
Kanceri Papilar, dallon nga format e tjera të kancerit të tiroides. Ai ka natyrë malinje dhe shfaqet në 80% të rasteve të kancerit të tiroides. Ky lloj kanceri është më pak i rrezikshëm në krahasim me të tjerët. Ai përhapet ngadalë dhe mund të trajtohet lehtësisht.
Kanceri Medullary, përbën një formë tjetër të kancerit i cili përllogaritet të shfaqet në 10% të rasteve. Disa raste të kancerit Medullary janë të ndikuar nga faktori gjenetik dhe në këtë rast ai shfaqet si sindromë e kancerit të gjendrës endrokrinike. Rastet që nuk kanë ndikim të faktorit gjenetik konsiderohen si raste sporadike.
Kanceri Folikular, shfaqet në 10% të rasteve, rrezikshmëria e tij vjen nga fakti sepse edhe pas kurimit ai mund të përsëritet.
Kanceri Anaplastic, ky lloj kanceri përbën formën më agresive të kancerit të tiroideve. Ai shfaqet shumë rrallë por është vështirë që të trajtohet.
Limfomat e Tiroides, një formë e rrallë e kancerit të tiroides i cili fillon në qelizat imune që lokalizohen brenda gjendrës së tiroides.
Për të parandaluar të gjitha format e kancerit të tiroides apo inflamacion e saj, rekomandohet që çdo individ duhet të ekzaminojë një herë në vit gjendrën e tiroides. Shqetësimet që shfaqin këto gjendra krahas kancerit janë të formave të ndryshme, ato ndikojne në presionin e gjakut, tensionin, sëmundjet e zemrës, në shfaqjen e simptomave të stresit etj. Të gjithë këta elementë vendosin në rrezik jetën tuaj , per kete arsye nje ekzaminim i thjeshte mund t’ju kursej shumë probleme.
Thuhet se kanceri i tiroides ka prognozë të mirë, cfarë duhet të kuptojmë me këtë?
Për arsye se është një kancer i mjekueshëm në shumicën e rasteve. Këtu bëhet fjalë për kancerin e diferencuar të tiroides, për kancerin papilar të tiroides i cili zë përqindjen më të madhe të kancerit të gjendrës së tiroides.
Mund të shërohet deri në masën 100%?
Mund të shërohet deri në masën 90%(edhe pse nuk është mirë të flasim me shifra e përqindje kur vjen puna në mjekësi).
A ka pasur një rritje të rasteve klinike?
Është vënë re një rritje e numrit të rasteve të diagnostikuar me kancer të tiroides. Arsyet mund të jenë të shumta.
A mund ta ndihmojë dieta ushqimore një të sëmurë me kancer të tiroides?
Nuk ka lidhje me dietën ushqimore.
Si vendoset diagnoza e këtij kanceri?
Diagnoza vendoset nëpërmjet citologjisë së nodujve të tiroides.


