Kanceri në vezore është më agresiv te gratë që kanë probleme me mbipeshën. Ky është konkluzioni i një studimi të kryer nga “Cedars-Sinai Medical Center” në Amerikë, i cili kishte për qëllim të tregonte se si dhjami ndikon negativisht në zhvillimin e tumorit dhe ul shanset për mbijetesë te pacientët e prekur nga kanceri.
Studimi është publikuar në faqen online të revistës ”Cancer”. Studime të shumta kanë treguar për rolin e mbipeshës në zhvillimin dhe përhapjen e disa tipave tumoresh, për shembull atij të gjirit, mitrës dhe zorrës së trashë.
“Ky është studimi i parë që tregon se si dhjamosja dhe mbipesha janë një faktor rreziku për përhapjen e kancerit në vezore por dhe për mbijetesën e pacienteve”, nënvizoi Andrju Li, një prej shkencëtarëve që ka punuar në këtë studim.
Ekipi i shkencëtarëve ka marrë në shqyrtim rastet e 216 pacienteve të prekura nga tumori në vezore, nga të cilat 35 ishin mbipeshë. Analiza e karakteristikave qelizore të kancerit ka evidentuar disa ndryshime mes dy grupeve. Sipas studiuesve, kjo ndodh sepse dhjami prodhon një hormon ose një proteinë që shtyn qelizat tumorale të rriten në mënyrë më të shpejtë dhe agresive.



