Kënaqësia e punës? Shpërblim moral!

Bisedoi: Elona Tereziu / Shëndeti Online dhe gazeta ‘Shëndet+’

“Jam ndier gjithmonë krenare për profesionin tim, megjithëse sot ai nuk vlerësohet sa duhet!” Kështu e nis rrëfimin 30 vjet në shërbim të pacientit kryeinfermierja e Qendrës Shëndetësore Nr.3, Majlinda Beluli.

Teksa rrëfen eksperiencën e saj të gjatë dhe dashurinë për profesionin e infermieres, ajo tregon dhe vështirësitë që i është dashur të hasë, që nga puna në fshat, përballimi i pacientëve me shok anafilaktik, mbulimi i sektorit të vaksinimit e gjer tek pritja e barrës binjake në shtëpi.

Por, a vlerësohet sa duhet profesioni i infermierit! Pse infermierët e rinj po tentojnë të ikin në Gjermani? Sa e rëndësishme është ta duash për ta bërë mirë një profesion? Këto dhe detaje të tjera mjaft interesante mund t’i lexoni në intervistën më poshtë.

Majlinda, jeni një nga infermieret më të vjetra të Qendrës Shëndetësore Nr. 3. Kur ka nisur puna juaj këtu?

Unë kam një përvojë 30-vjeçare në mjekësi, dhe kam punuar në sektorë të ndryshëm, duke filluar që nga sektori i vaksinimit, shërbimi i mjekut të familjes, shërbimi nëna-fëmija, por dhe në maternitet.

Puna ime si infermiere ka nisur në Peshkopi ku kam punuar për gati 10 vjet (1985-1995). Fillimisht kam punuar në sektorin nëna-fëmija, ndërsa në 5-vjeçarin e fundit në maternitetin e zonës së Maqellarës. Dua ta theksoj këtë, pasi eksperenca në Peshkopi, kryesisht në Maternitetin e Maqellarës shenjon jo vetëm fillimet e mia, por aty kam mësuar vërtet profesionin.

Më vonë bëra shkëputjen për t’u vendosur përfundimisht në Tiranë ku fillimisht në ’95-’97 punova në Spitalin Distrofik në Kombinat, dhe më vonë prej vitit 1997 e në vazhdim, në Qendrën Shëndetësore Nr.3 Përgjatë 20  viteve këtu, 17 vjet kam punuar në gjinekologji me mjeken gjinekologe Lindita Myzyri, e cila është një mjeke që e dua dhe respektoj fort, pasi nga ajo kam pasur fatin të rritem profesionalisht, si nga ana teorike, ashtu dhe praktike. Në momentin që jam shkëputur nga doktoreshë Lindita, jam bërë kryeinfermiere dhe tashmë prej 3 vitesh jam në këtë post.

Ku fokusohet puna e kryeinfermieres?

Puna e kryeinfermieres është drejtim, menaxhim, organizim dhe nuk ka të bëjë direkt me profesionin, por në momentin që në një sektor ka mangësi, qoftë me vaksinat, qoftë me manipulimet, unë duhet të jem e aftë të ndërhyj. Gjithashtu, në qendrën tonë ku ka shumë infermiere të reja, më është dashur t’i trajnoj.

Tjetër, kur mungon një punonjës, qoftë doktor, infermiere apo sanitare më njoftojnë mua dhe unë duhet të vë në dijeni drejtoreshën që x punonjës mungon sot për këtë arsye, apo i kam dhënë leje.

Në rast se prishet një aparaturë të cilat janë të ndara sipas reparteve që u përkasin, në bashkëpunim me ekonomisten dhe drejtoreshën, bëjmë shkresat sipas rregullit dhe ligjit në institucionet përkatëse.

Në çfarë rastesh shkon një infermiere në shtëpi për të bërë injeksione?

Injeksionet në shtëpi i mbulon infermierja e mjekut të familjes, por përgjithësisht kjo ofrohet vetëm për ata të sëmurë që nuk lëvizin dot nga shtrati, dhe aplikohet më shumë në fshat. Për shembull, në kohën që unë punoja në fshat, ndiqja fëmijët 0-1 vjeç  nëpër shtëpi dhe kur shkoja për të parë fëmijët, bëja dhe injeksionet që kisha.

Infermiere në fshat apo qytet. Ku është puna më e vështirë?

Puna në fshat është shumë herë më e vështirë se sa në qytet. Në qytet ti je në një qendër shëndetësore /spitalore ku ke disa mjekë dhe të gjitha kushtet e mjetet e nevojshme për të dhënë ndihmë, ndërsa në fshat ke vetëm çantën dhe kutinë e shokut anafilaktik me vetë, asgjë tjetër.

Në fshat një qendër shëndetore ka vetëm një mjek të përgjithshëm i cili rri brenda qendrës (pra, nuk del) dhe pret banorët e 5 fshatrave për vizitë. Secili fshat ka vetëm nga një infermiere dhe ti je fillikat vetëm, nuk ke nga ta kthesh kokën qoftë për një mendim a ndihmë.

Mua më janë paraqitur dhe raste me rrezik aborti që kanë pasur hemorragji, kam pasur dhe lindje në shtëpi, pra janë situata të vështira që një infermier në qytet nuk i has dot, pasi nuk është asnjëherë vetëm dhe pa ndihmë.

Sa e vështirë është të merresh me vaksinimin?

Vaksinimi është një sektor shumë i rëndësishëm, sepse ka të bëjë drejtëpërdrejt me profilaksinë tek fëmijët, domethënë me ruajtjen e shëndetit të fëmijës, dhe duhet shumë rigorozitet në respektimin e kalendarit. Nëse prishet ky zinxhir në rregullin e marrjes, radhët apo distancat kohore, atëherë edhe krijimi i imunitetit të antitrupave në organizmin e fëmijës do të prishet. Por që të bësh vaksina tek fëmijët, nuk është e lehtë. E para sepse fëmija trembet që kur shikon përparësen e bardhë, dhe e dyta është e dhimbshme sepse shpohet. Duhet shumë taktikë që ta bindësh fëmijën, por dhe të punosh me prindin se si ta mbajë që fëmija mos lëvizë, dhe si ta trajtojë atë pas vaksinimit.

Por vaksina, përpos efekteve pozitive me krijimin e antitrupave dhe mbrojtjen nga sëmundje të caktuara, ka dhe efekte anësore. Për shembull, mund të japë një reaksion anafilaktik, mund të japë një reaksion lokal të lëkurës në vendin e aplikimit, ndaj them që kërkon shumë kujdes.

A ju ka ndodhur ndonjëherë që fëmija të bëjë reaksion nga vaksina?

Në momentin që aplikohet vaksina tek fëmija, qëndrohet aty për gjysmë ore, bashkë me prindin, për të parë dhe mbajtur në kontroll nëse ndodh ndonjë reaksion anafilaktik. Përgjithësisht nuk është se na kanë ndodhur, por edhe nëse ka ndodhur ndonjë gjendje lipotimie (të fikti) e kemi kaluar lehtë duke i trajtuar me pak alkool, dhe me masa të tjera mobilizuese, si mbajtja në pozicion shtrirë dhe ngritja e këmbëve lart, në mënyrë që qarkullimi i gjakut të shkojë në tru.

Po ndonjë pacient me shok anafilaktik?

Po, kam pasur një rast me shok anafilaktik nga penicilina gjatë kohës që punoja në Peshkopi. Në atë kohë unë punoja në fshat dhe nuk e hiqja kurrë kutinë e urgjencës nga çanta pasi herë pas here më kërkonin t’u shkoja në shtëpi për injeksione.

Rasti në fjalë sapo ishte operuar dhe pas daljes nga spitali duhej të vazhdonte mjekimin në shtëpi. Pasi i bëra injeksionin, penicilina i dha shokun anafilaktik, por nuk ia dha menjëherë. Unë qëndrova për 15-20 minuta dhe pasi mora çantën të largohesha, pacientja filloi të kishte konvulsione, pati kontraksione të fytyrës dhe iu nxi buza. Pra, pati të gjitha shenjat e shokut anafilaktik. Menjëherë i bëra adrenalinën, ultrakartenin, kalçikloratin, pra zbatova gjithë protokollin e shokut anafilaktik dhe gjendja u stabilizua. Nuk pati nevojë ta çoja në spital, por sigurisht pacientes iu ndërpre dhe ndryshua lloji i mjekimit.

Si e ruani qetësinë në raste të tilla?

Sigurisht janë raste të frikshme, sepse ke të bësh me jetën e njeriut, por në momentin që vendos të punosh në këtë profesion, duhet t’i marrësh parasysh të gjitha. Ti duhet të bësh një autopsikoterapi me veten dhe ta bindësh atë që ti je aty për të ndihmuar dhe s’mund ta humbasësh toruan. Të gjithë njohuritë e tua duhet të shkojnë në funksion të pacientit. Unë e kam këtë siguri tek vetja, dhe me gjithë modesti, gjithmonë ia kam dalë.

Të lindësh binjakë në shtëpi! Na trego pak më tepër për këtë rast?

Në atë kohë nuk kishte ekzaminime ekografike siç ka tani, kështu që çdo gjë ne e përcaktonim me dorë, si moshën e barrës, si datën kur do të lindë.

Unë e plotësoja kartelën e gruas rregullisht çdo muaj, dhe kisha dyshuar për binjakë pasi rrahjet e zemrës fetale i dëgjoja në dy vende. I kisha thënë mjekut, që nuk ishte gjinekolog por mjek i përgjithshëm se dyshoja për barrë binjake, por më thoshte se do të kesh dëgjuar ndonjë aortë.

Gruan e vura në dijeni për dyshimin tim dhe i thashë të shkonte të bënte një vizitë gjinekologjike në Spitalin Gjinekologjik në Peshkopi. Ashtu si ishte mentaliteti dhe niveli kulturor në atë kohë, nuk shkoi. Si përfundim, kur erdhi momenti i lindjes, më njoftuan familjarët dhe lindja do pritej në shtëpi.

Pasi doli fëmija i parë, unë në mendjen time prisja të dilte dhe fëmija tjetër, pasi kisha dyshuar për barrë binjake, dhe në fakt ashtu rezultoi. Pasi doli fëmija i parë, unë prek barkun e gruas dhe po vinte dhe një beb tjetër. Ishte një rast i veçantë, por fatmirësisht gjithçka shkoi mirë.

Jeni nënë e dy fëmijëve, por asnjëri nuk zgjodhi të ecte në gjurmët e mamasë. Pse?

Arsyeja që unë nuk ua ushqeva fëmijëve mjekësinë, ishte sepse mjekësia kërkon shumë mund dhe sakrifica. Është një shkollë e gjatë dhe e vështirë, por kur mjeku fillon të punojë në profesion, nuk e merr asnjëherë shpërblimin e punës së tij shumë fisnike e shumë humane që bën.

Si e interpretoni fenomenin e ikjes së infermierëve të rinj në Gjermani?

Nëse ndodh fenomeni i ikjes së infermierëve të rinj në Gjermani ndodh për shkak të pagave të ulta. Qoftë mjeku, qoftë infermieri nuk e merr shpërblimin e punës që bën, dhe nuk flas këtu vetëm për rrogën prej 30.000 lekësh, por dhe vlerësimin moral. Në sistemin e mëparshëm vërtet lodheshim, por ama kishim shumë vlerësim moral nga pacienti. Por dhe ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në shëndetësi dhe propaganda që bën media, e  kanë dëmtuar shumë imazhin tonë, qoftë të mjekut, qoftë  të infermierit.

Vërtet ka individë të korruptuar, ashtu si në çdo sektor tjetër, por kjo nuk do të thotë se janë të gjithë. Mjekësia ka shumë njerëz humanë, që punojnë me përkushtim dhe profesionalizëm dhe nuk nisen asnjëherë nga ai ryshfeti që do të japë pacienti. Megjithatë, edhe shteti duhet të bëjë më shumë. Nëse njeriu ka një rrogë të kënaqshme që plotëson nevojat e veta dhe të familjes, nuk do t’ia di për 200-lekëshin që i jep pacienti.

Duhet më tepër vlerësim në çdo aspekt. Puna jonë nuk është e thjeshtë, ne edhe në shtëpi jemi të ngarkuar me stres. Pacienti vjen dhe përveç anës mjekësore, të gjitha hallet e tjera që ka në familje t’i shkarkon ty, dhe ti je i detyruar ta dëgjosh.

Një mesazh të fundit për të gjithë ata që duan ta ndjekin këtë profesion?

Profesioni i infermierit është një profesion shumë i bukur, human dhe fisnik. Infermieri është i pari që ka kontaktin me të sëmurin, është i pari që jep ndihmën. Unë jam ndier gjithmonë krenare për profesionin tim. Megjithatë, në çfarëdolloj profesioni që të punoni, dashurojeni atë. Profesioni zotërohet vetëm atëherë kur punohet me pasion dhe dëshirë.

Postime të ngjashme

3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore