Kryefaqja Femijet Këshilla prindërimi në kohë pandemie (dhe jo vetëm)

Këshilla prindërimi në kohë pandemie (dhe jo vetëm)

0
Shpërndaje

Nga Alketa Berzani, psikologe

Pa diskutim që kjo pandemi është një sfidë e vërtetë për prindërit, e sidomos ata me dy ose më shumë fëmijë, për ata që jetëojnë në familje të mëdha ose me pak të ardhura.  Shumë prej tyre do të pyesin veten nëse unë jam e martuar dhe sa fëmijë kam, por këshillat që do të ndajmë këtu nuk janë të mbështetura (vetëm) në përvojën time personale, por në teoritë dhe praktikën e shumë profesionistëve nëpër botë. Personalisht, jam përpjekur t’i përshtas sa më shumë në kontekstin shqiptar, pasi këto janë strategji prindërimi pozitiv të mundshme për t’u përdorur në çdo kulturë e moment.

Pandemia dhe izolimi shoqëror krijoi një realitet të ri: kompani, shkolla, kopshte, bare e restorante, palestra, parqe e kënde lojërash të mbyllura, ku çdo familje, i rritur dhe fëmijë duhet të përshtateshin. Në momentet fillestare pjesa më e madhe e popullsisë shfaqën shenja stresi, mërzie dhe padurimi për t’ju rikthyer normalitetit, madje në shtete të ndryshme (përfshi Shqipërinë) ka raportime për shtim të dhunës në familje. Pas 2-3 javëve, njerëzit kuptuan që duhet të fokusoheshin më shumë tek aspektet pozitive dhe të punonin me veten për të përballuar efektet negative. Ndër këto, shumë sfida lidhen pikërisht me prindërimin dhe marrëdhëniet mes fëmijëve.

Kjo është një situatë unike përjetuar në nivel global, e megjithatë mund të mos jetë e vetmja që do të përballojmë në këto dekada. Prandaj edhe është mjaft e rëndësishme të ndërgjegjësohemi për mënyrën tonë të prindërimit dhe të zbatojmë strategji efektive.

Ndërtimi i marrëdhënieve pozitive prind-fëmijë është primare, e megjithatë kujdesi dhe dashuria pa kushte është më e lehtë të thuhet sesa të zbatohet sidomos kur prindërit janë të lodhur apo të stresuar.  Prandaj na duhet të mësojmë dhe zbatojmë strategjitë e duhura për të ndikuar pozitivisht sjelljet dhe ndjenjat e fëmijëve tanë sot dhe në të ardhmen.

  1. Krijoni planin (e ri) të familjes
  • Besoj të gjithë jeni mësuar të bëni plane pune, me detyra e afate kohore, me burime njerëzore e buxhet të përcaktuar. Diçka e ngjashme nevojitet edhe për organizimin tuaj në familje. Akoma më shumë në kuadër të pandemisë, duhet të krijoni një rutinë të re, edhe pse nuk ka nevojë të jeni aq të rreptë pasi jeni të gjithë në shtëpi, nuk ikën kush në punë apo kopësht e shkollë.
  • Filloni nga caktimi i orareve të përcaktuara nga palët e treta p.sh kur fëmijët duhet të ndjekin mësimet online apo kur ju duhet të jeni të lidhur online apo kryeni telefonata me punën, sikurse vijoni me caktimin e orareve për aktivitetet e rutinës biologjike si p.sh ngrënia e vakteve ushqimore.
  • Për pjesën tjetër të rutinës ditore, bëni pjesëmarrës edhe fëmijët: kur është koha për përgatitjen e detyrave, koha e lirë për argëtim, koha për ushtrime fizike (aerobi, joga, etj, koha për të bërë pastrimin e shtëpisë, etj. Dëgjoni mendimet e fëmijëve, tregoni interes për sugjerimet që mund të japin për aktivitetet dhe bëhuni gati për kompromis. Ky duhet të jetë një plan ose organizim që funksionon për të gjithë familjen, jo vetëm për ju.
  1. Flisni me fëmijën për pandeminë dhe rregullat mbrojtëse
  • Fëmijët nga natyra janë tepër kuriozë dhe gjithmonë duan të dinë ‘përse’-në. Ju këshilloj të flisni me ta dhe t’u shpjegoni çfarë është një pandemi, çfarë është një virus, si përhapet ai dhe si mbrohet njerëzit. Për këtë sigurisht ju duhet të lexoni disa rreshta në ndonjë libër ose në internet në faqet zyrtare si psh Organizata Botërore e Shëndetësisë apo Instituti i Shëndetit Publik. Shmangni leximin e artikujve nga burime jo zyrtare pasi mund të ketë informacione të pavërteta.
  • Dëgjoni pyetjet e fëmijës dhe përgjigjuni në mënyrë sa më të vërtetë. Në rast se nuk e dini përgjigjen, ju këshilloj t’ja pohoni këtë fakt fëmijës tuaj. është e kuptueshme dhe e pranueshme për një prind të mos ketë përgjigje për gjithçka. Por ju mund të shikoni nqse ka ekspertë të cilët japin përgjigje për këto pyetje ‘të vështira’. Kjo sjellje i tregon fëmijës se ka shumë gjëra që njerëzit mund të mësojnë në çdo moshë, përpos mënyrës se si mund të kërkoni në internet, në një libër enciklopedik, në një fjalor, etj.
  • Flisni me fëmijët për frikërat e tyre apo lajme alarmuese që mund të dëgjojnë mbi virusin, por flisni edhe për frikërat tuaja. Sidomos me fëmijët e moshës shkollore apo adoleshentët ju mund të ndani shqetësimet tuaja për shëndetin e gjyshërve të tyre ose të afërmve tuaj që punonjë në ‘frontin e luftës’ dhe rrezikut të lartë për infektim.
  • Respektoni rregullat e higjienës personale dhe distancimit fizik sipas udhëzimeve nga qeveria dhe organizatat e shëndetësisë. Por mos harroni, ju si prindër jeni modeli më i mirë për ta, ndaj ju duhet t’i zbatoni të gjitha këto të parët. Larja e duarve 20 sekonda, të mos prekurit sende kur dilni në rrugë (kangjellat e shtëpive, stola në park, etj.), dizifektimi i duarve kur jeni jashtë, ruajtja e distancës me njerëzit e tjerë në sheshin para pallatit ose marrja e shkallëve në vend të ashensorit, të treguarit të kujdesshëm dhe të mos përqafuarit ose prekur fëmijët e tjerë në park, janë disa veprime që duhen zbatuar nga ju e inkurajuar po aq tek fëmijët.
  1. Dedikoni kohë për secilin nga fëmijët tuaj
  • Në çdo kohë, përtej pandemisë aktuale, është e rëndësishme të kalojmë kohë cilësore me fëmijët tanë, kohë kur flasim e ndërveprojmë me ta, ju dedikohemi tërësisht atyre qoftë duke luajtur apo parë një film, qoftë duke bërë disa punë shtëpie apo duke i përfshirë në gatimin e mëngjesit, etj.
  • Duke përfituar nga koha e pandemisë ku shumica e prindërve kanë qendruar në shtëpi bashkë me fëmijët e tyre, mundet fare mirë të rezervojmë rreth 15-30 minuta kohë të tillë. Mendoni për kohën që dikur udhëtonit për në punë ose shpenzonit pas pune në kafene me miqtë. E gjitha kjo kohë mund të përqëndrohet tek vetja juaj, partneri/ja dhe fëmijët tuaj.
  • Në mënyrë ideale, mund të caktoni një orar të përcaktuar për secilin nga fëmijët tuaj në planin ditor; rutina i ndihmon fëmijët. Në këtë orar ju mund të zgjidhni një aktivitet për të bërë me fëmijën sipas moshës dhe interesave personale p.sh lexoni një libër, ndërtoni lodra prej plasteline, krijoni një kukull prej lecke, këndoni e kërceni, bëni ushtrime fizike, etj. Bëjeni fëmijën pjesëmarrës në këtë zgjedhje, kështu do ta kuptojë se kjo është vërtet një kohë e dedikuar për të. Shmangni sa më shumë angazhimin elektronik (TV, telefon, lojëra elektronike) meqë jam e sigurtë se këto janë aktivitete të pashmangshme në rutinën e fëmijëve të sotëm.
  • Ju lutem kuptoni që koha e dedikuar për mësimet online ose jo, detyrat për t’u dorëzuar në shkollë nuk konsiderohen në këtë kategori.
  • Kalimi i kohës individuale me secilin fëmijë dhe jo me të gjithë fëmijët së bashku, ju mundëson të fokusoheni tek nevojat dhe dëshirat specifike të fëmijës, si edhe të krijoni një lidhje më të fortë mes jush.
  1. Menaxhoni në mënyrë racionale e efiksase sjelljet e papëlqyeshme të fëmijëve
  • Mendoni sa e sa herë frustroheni ju si të rritur kur nuk arrini qëllimet tuaja, kur qeveria ju thotë se nuk lejohet të dilni, kur keni reduktim të pagës dhe mundësi të ulta për të marrë kredi bankare, etj. Po kështu edhe një fëmijë përjeton jo mirë situatën e pandemisë dhe kufizimet e saj: fëmijët janë larg nga miqtë apo gjyshërit dhe rutinat e tyre normale, ndaj është një kohë e vështirë edhe për ta. Nga ana tjetër, edhe sjelljet tuaja që nuk i shkojnë për shtat qëllimit të tij mund të shtojnë stresin tek fëmijët p.sh ata janë të lodhur por ju këmbëngulni që duhet të bëjnë mësimet; ata janë të uritur por juve ju duhet akoma edhe pak kohë për ta përgatitur ushqimin; ata janë të frikësuar nga errësira por ju i thoni se ‘djemtë nuk qajnë, janë trima’, etj.
  • Është e rëndësishme të pranojmë se nuk ka njerëz idealë, as të rritur e as të vegjël. Është mëse e zakonshme të sillesh jo mirë kur je në një situatë parehatie, kur ke emocione negative ose kur nuk realizon dot qëllimin personal. Sa më parë ta pranojmë këtë, dhe sa më pak t’i krahasojmë fëmijët tanë me “fëmijën model”, aq më e lehtë do të jetë menaxhimi i situatës për të dyja palët.
  • Ndonjëherë fëmijët sillen keq sepse nuk dinë çfarë të bëjnë dhe kanë nevojë për udhëzime. Gjeni një aktivitet të ri që të bëjë fëmija juaj duke ja ridrejtuar vëmendjen tek një sjellje e pëlqyeshme. P.sh. kur fëmijë ankohet që është i lodhur dhe nuk mund të bëjë mësimet, mund ta udhëzoni të shtrihet për 15-20 minuta apo mund t’i bëni një banjë që të qetësohet, e pastaj të uleni për mësimet e ditës.
  • Nqse vini re se fëmija juaj po mërzitet, ju këshilloj të bëni një ndërprerje dhe kryeni një aktivitet argëtues, luani së bashku përpara se të fillojë të sillet keq. Parandalimi është masa më e mirë për të mos lejuar që nga mërzija të kalojë në sjellje të papëlqyeshme.
  • Ka raste kur injorimi i sjelljes së keqe mund të jetë një mënyrë efektive për ta ndaluar atë. Nga ana tjetër, kjo teknikë gjithashtu mund t’i mësojë fëmijët se veprimet e tyre kanë pasoja. P.sh. nqse vazhdon ta përlasë lodrën në dysheme, do të mësojë që nuk mund ta ketë më atë lodër sidomos në këto kohëra kur dyqanet janë të mbyllura; apo nëse e hedh ushqimin, ju nuk do t’i përgatisni diçka tjetër për atë vakt, etj.
  • Në të gjitha rastet, ndëshkimi fizik nuk është strategjia e duhur prindërore, këtë ja u them me bindje të plotë. Edhe pse për disa mund të duket se ka efektet e duhura afatshkurtra, ndëshkimi fizik lë gjurmë të thella në sjelljen afatagjate të fëmijës.
  1. Përpiquni të jeni pozitiv, të sjellshëm e të duruar
  • Pandemia është një situatë specifike, stresante për të gjithë pavarësisht moshës, gjinisë apo roleve sociale. E megjithatë, ndoshta më stresante për prindërit e punësuar të cilët duhet të kujdesen punën në distancë, ndoshta të papërgatitur nga aspekti teknologjik për ta mundësuar këtë, për punët e shtëpisë, shto këtu edhe të qenit “mësues në kushte shtëpie”. Megjithatë ju duhet forca e përhershme prindër për të qenë pozitiv e optimist, dhe si të tillë të përçoni një frymë pozitive tek fëmijët tuaj.
  • Përdorimi i fjalëve magjike (të lutem, faleminderit, më fal) kanë vërtet efekt tek të gjithë ne.
  • Tregojini fëmijës se çfarë duhet të bëjë më mirë se çfarë nuk duhet të bëjë. Shembull: të lutem vendosi lodrat në dollap vs sa herë të kam thënë, mos i lër lodrat në ballkon.
  • Përdorni tone të buta komunikimi. Tonet e larta, të zemëruara nuk ndihmojnë, por përçojnë më shumë stres e frikë tek fëmijët.
  • Bëni kërkesa realiste sipas moshës dhe interesave të fëmijës. Nuk mund të prisni që ata të sillen si të rritur apo të sillen njëlloj si motra a vëllai i tyre. Nuk mund të ndryshoni totalisht regjimin e tyre apo rregullat dhe të prisni që fëmijët të reagojnë pozitivisht menjëherë.
  • Kini pritshmëri realiste. Ndryshimet kërkojnë kohën e tyre, dhe fëmijët nuk mund ta ndryshojnë një sjellje tipike në mënyrë të menjëhershme. Kënaquni me përparimin graduale.
  • Tregoni vlerësimin tuaj pozitiv, lavdërojeni fëmijën për sjelljet e mira dhe realizimin e kërkesave që ju i caktoni.
  • Jini të hapur për të dëgjuar mendimet e ndjesitë e fëmijëve. Mos e quani gjithçka thjesh si një kapriço fëminore ose adoleshenteske.
  1. Prindër, gjeni kohë për veten dhe çlirimin e stresit
  • Pavarësisht vetmohimit që tregojnë shumë prindër shqiptarë, koha dhe kujdesi për veten është i domosdoshëm. Nqse ju jeni në gjendje të mirë fizike dhe kontrolloni ndjenjat tuaja, reflektoni mbi nevojat dhe veprimet tuaja, atëherë mund të jeni në gjendje të prindëroni në mënyrë të përgjegjshme e pozitive.
  • Pandemia dhe izolimi social ka disafishuar stresin që po përjetojnë shumë prindër. Përpos kujdesit që duhet të tregoni: të ushqeheni mirë apo të flini mjaftueshëm, gjeni 30-45 minuta kohë për veten tuaj, për t’u kujdesur për veten, për të çliruar stresin e akumuluar dhe për të kryer një aktivitet që pëlqeni.
  • Shumë prindër që njoh, ankohen pikërisht për mungesën e kohës së lirë. A mund ta merrni kohën tuaj ndërkohë që partneri juaj po merret me fëmijën apo kur ata janë në gjumë?! Bëni diçka që keni interes dhe ju bën të ndjeheni më mirë p.sh. Joga ose ushtrime aerobike ndihmojnë çlirimin e energjive negative, librat dhe dokumentarët, kujdesi për lulet, krijimi i një objekti me mjete ricikluese apo thjesht një telefonatë e gjatë me mikun/en tuaj do t’ju ndihmojë të qetësoheni.
  • Veçanërisht e nevojshme të tërhiqeni dhe merrni 2-3 minuta ‘pushim’ nga një situatë ku ju jeni tejet të stresuar ose fëmijët tuaj janë të irrituar. Teknikat e frymëmarrjes dhe meditimit janë disa nga më të rekomanduarat. Por edhe thjesht reflektimi mbi situatën ndihmon të racionalizoni dhe largoni panikun ose stresin e çastit. Pyesni veten përse jeni në këtë situatë, a është ky reagim i pranueshëm apo i amplikifuar, a ka faktorë të tjerë stresantë, a është kjo diçka shumë e rëndësishme apo permanente, etj. dhe mbi të gjitha si mund ta zgjidhni në mënyrë positive.
  1. Kërkoni ndihmë
  • Nqse e ndjeni se nuk po e përballoni mirë situatën aktuale të pandemisë ose në çfarëdo kohe gjatë prindërimit, kërkoni ndihmë.
  • Kërkoni ndihmë nga partneri juaj apo familjarët e tjerë si prindërit, motra apo vëllezërit tuaj.
  • Kërkoni ndihmë nga nga profesionistët e fushës. Ju mund të flisni me psikologun e shkollës apo kopshtit ku shkon fëmija juaj apo mjekun e familjes apo profesionistët në qendrat komunitare të shëndetit mendor (Tiranë). Mund të kërkoni ndihmë të specializuar në qendra e organizata për shërbime sociale e komunitare për familjen, prindërit apo fëmijët si p.sh. Qendra e Shërbimeve Psiko-Ligjore “Family”, “Shoqata Shqiptare për Psikoterapinë”, Qendra e sherbimeve psiko-sociale “Vështiresi dhe sfida”, Qendra e shërbimeve multidisiplinore “Mental Health Albania”, apo “Linja kombëtare e ndihmës për fëmijë”, “Nuk je vetëm”, si edhe shumë profesionistë të shëndetit mendor si p.sh. Enkel Bulica, Fleura Shkëmbi, Valmira Skëndi, etj.

*Ky artikull u zhvillua nga Together for Life në kuadër të projektit “Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna dhe abuzimi nëpërmjet edukimit gjithëpërfshirës”, i cili zbatohet në kuadër të skemës së granteve të vogla të projektit “Promovimi i të drejtave të njeriut nëpërmjet arsimit gjithëpërfshirës dhe fuqizimit të Organizatave të Shoqërisë Civile Lokale” i financuar nga BE dhe i zbatuar nga “Shoqata Internacionale për Solidaritetin në partneritet me Fondacionin AVSI dhe shoqatën Gruaja në Zhvillim Shkodër.

Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Together for Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE”.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here