Bisedoi: Elona Tereziu, gazeta “Shëndet+” dhe Shëndeti Online
“Nuk ka kirurg në botë që të mos i ngelin pacientë të pakënaqur”, thotë për gazetën “Shëndet+” kirurgu plastik Sokol Isarai. “Gjatë një ndërhyrjeje mund të ndodhin edhe gabime teknike, një deviacion i vogël, një lartësi maje jo ashtu siç duhet, varet dhe nga mënyra se si shëron organizmi, ka shumë gjëra që
mund të ndodhin dhe ti si mjek nuk i fut dot tek parashikueshmëria dhe të thuash që garancia për këtë hundë është 100%”, vijon mjeku.
“Ne e kemi si parim: nëse në krye të vitit deri në 15% e pacientëve të tu ngelin të kënaqur, je në rregull dhe vazhdo punën. Por nëse ke dështime në më shumë se 50% të rasteve, atëherë ndalo, shiko se çfarë nuk shkon dhe mundohu të korrigjosh teknikën.
“Në kirurgjinë estetike thuhet se ti duhet të zbatosh atë që do pacienti, por personalisht para se të futem në sallë unë konsultohem gjatë me një pacient. Dua të jem i bindur nëse kjo është ajo që do vërtet pacienti dhe nuk është një zgjedhje e kushtëzuar nga shoqëria, familja apo partneri.
“Kam hasur edhe raste të tilla që më vijë e më thonë, dua të bëj një ndryshim patjetër se nuk i pëlqej më partnerit apo dua të rris numrin e gjoksit se partnerit tim i pëlqen gjoksi i madh! Por nëse partneri të thotë kështu ndërkohë që ti ndihesh mirë më veten, atëherë ndërro partner. Do të jetë patjetër dikush që do të të pëlqejë ashtu siç je, me gjoks, vithe, hundë e buzë siç i ke. Me pak fjalë, kërkesa për të ndryshuar dhe për të bërë përmirësime duhet të jetë e brendshme, jo e diktuar nga njerëzit që na rrethojnë, vendi ku jetojmë e punojmë, ndryshe nuk do të ngelemi asnjëherë të kënaqur. Ti si mjek ke në dorë t’i ndryshosh dikujt anën estetike. Por, kur kërkesa nuk është e brendshme por e diktuar nga të tjerë, aty do të mbetet përsëri problemi!”


