Kolegji i Mjekëve Kirurgë Shqiptarë ka shkruar në faqen e tij në rrjetet sociale, se Beqaj do të testohet më 21 qershor.
“Nëse në aleancën qeverisëse nuk ka njerëz me integritet dhe përgjegjshmëri për ministër Shëndetësie përveç z.Beqaj, ne bluzat e bardha me gjithçka kemi, do të testojmë ata me 21 qershor 2015!
Në emisionin “Studio e hapur” më datë 10 shkurt 2015, Ministri përballë mjekëve, na përfaqësuan denjësisht prof. Tritan Kalo dhe dr. Dine Abazi.
Të gjithë pamë arrogancën dhe papërgjegjshmërinë e ministrit tonë, që jo vetëm nuk njeh prioritet në mjekësi, por nuk njeh as ligjet, as institucionet që na mësojnë, testojnë dhe licencojnë.
Kjo është e patolerueshme, nuk mund të pranohet, nuk und të lejohet.
Ne të bashkuar nuk do ta lejojmë ministrin që akoma vetëm në media flet për testimin nga një institucion që nuk e ka tagrin ligjor për këtë, sepse nuk ka shpjeguar bazën ligjore, platformën, programin si do të bëhet ky testim antiligjor.
Ne do t’i themi JO çdo denigrimi/dhunimi të profesionit tonë të rregulluar me ligj.
Nëse ky ministër del në mënyrë të hapur kundra bluzave të bardha, del hapur kundra ligjeve (këtë s’e ka për herë të parë), atëherë ne do ta testojmë atë dhe kushdo që e mbështet atë me datë 21 qershor 2015. Ne do ta testojmë atë me çdo mjet demokratik, sepse Ministria e Shëndetësisë nuk është pronë e tij, nuk ia ka lënë babai trashëgim. Nuk besoj se meshkujt dhe femrat e tjerë të aleancës qeverisëse kanë shtetuar, që të marrin një kosto kaq të madhe, sepse ne do ta testojmë ministrin në diplomimin e tij të afërt me 21 qershor 2015.
Ju faleminderit dhe të qëndrojmë të bashkuar”.


