Koma diabetike hipoglicemike, shkaqet dhe shenjat e para

Nga mjeku Isuf Kalo, endokrinolog

Është e kundërta e komës diabetike. Ajo është pasojë e uljes tej mase të glicemisë. Zakonisht shkaktohet nga gabime në mjekim, sidomos nga teprimi i dozave të insulinës apo sulfamideve hipoglicemiante. Koma hipoglicemike është në dukje më dramatike. Ajo krijon alarm të madh si tek i sëmuri, ashtu dhe te diabet 222njerëzit që e rrethojnë. Arsyeja është që kjo komë shfaqet pothuaj pa pritur, kur i sëmuri është mirë p.sh. gjatë një aktiviteti. Brenda pak çastesh ai mund të rrëzohet papritur pa ndjenja. Ai shpesh përpëlitet në konvulsione muskulare që të kujtojnë epilepsinë (“sëmundjen e tokës”), i skuqur në fytyrë e i mbytur në djersë.

Një i sëmurë diabetik kur bie në komë hipoglicemike nuk e ndihmon dot më vetveten. Glicemia e tij në këto çaste është nën 50 mg%.

Fatmirësisht që organizmi ka një sërë mekanizmash që vihen automatikisht në lëvizje për të vetëkorrigjuar këtë gjendje. Në sajë të tyre, kriza gradualisht kalon. Niveli i glicemisë normalizohet dhe jo rrallë rritet edhe më shumë duke arritur në shifra tepër të larta sa bën që të shfaqet edhe glukoza në urinë. Kjo përgjigje reflektore, rritja e tepërt e glicemisë pas kalimit të gjendjes hipoglicemike, quhet efekti Somogy. Atë duhet ta njohin edhe diabetikët se jo rrallë i ngatërron në interpretimin e analizave ditore.

Koma hipoglicemike jo gjithmonë kalon vetvetiu, kaq thjesht dhe pa pasoja. Veçanërisht në të sëmurët e moshuar ajo mund të bëhet shkak i aksidenteve vaskulare që janë kërcënuese për jetën e tyre. Si e tillë koma hipoglicemike duhet të parandalohet me çdo kusht.

Si mund të parandalohet koma hipoglicemike?

Pavarësisht nga dramaticiteti dhe shpejtësia e shfaqjes, ajo ka një sërë shenjash paralajmëruese që, po të njihen mirë nga të sëmurët dia­betikë, bëjnë të mundur zbulimin e tyre në kohë dhe mjekimin shumë efikas.

Dr. Isuf Kalo duke folur për gazetën "Shëndet+"

Dr. Isuf Kalo duke folur për gazetën “Shëndet+”

Cilat janë shenjat e para të hipoglicemisë?

Si shenja fillestare të saj janë: dridhja e duarve, e trupit, rrahjet e shpeshta të zemrës, djersitja e theksuar, skuqja e fytyrës, errësimi i pamjes, marrje mendsh, trrullosje, ndjenjë urie si “gërryerje” apo “boshllëk” në stomak etj. Ndonjëherë shenjat e para të hipoglicemisë mund të jenë sjellja e çuditshme dhe jo e zakonshme e të sëmurit, nervozizëm pa shkak i tij, të folur pa kuptim, lëvizje të pakoordinuara të gjymtyrëve etj.

Këto shenja nuk është e thënë të shfaqen të gjitha bashkë gjatë një krize të vetme apo te secili i sëmurë. Më shpesh shfaqen një, dy apo disa prej tyre. Rëndësi vendimtare ka që i sëmuri t’i njohë këto shenja e të dijë t’i vlerësojë drejt dhe në kohë. Një i sëmurë i tillë, i mësuar dhe i stërvitur di si të veprojë kur i shfaqen këto shenja, nuk arrin asnjëherë deri në humbjen e ndërgjegjes, në komën e plotë hipoglicemike. Kjo e fundit shfaqet vetëm tek ata të sëmurë që nuk i vlerësojnë shenjat e mësipërme si sinjale me shumë domethënie të uljes së sheqerit në gjak, por i keqinterpretojnë ose i nëvleftësojnë si të rastit, kalimtare apo të pa lidhura me ndryshimet e glicemisë.

Ata bëhen kështu fajtorë të drejtpërdrejtë për rënien e tyre në komë, sepse humbasin kohën më të mirë për të marrë masa mje­kuese që e frenojnë menjëherë keqësimin e gjen­djes dhe madje e korrigjojnë me shumë lehtësi. (Mjafton të hamë apo të pimë diçka që përmban sheqer).

Gjendje të tilla hipoglicemike janë veçanërisht të rrezikshme për fëmijët e vegjël që mund të ndodhen pranë zjarrit apo në rrugë, për disa diabetikë me profesione delikate, si: shoferë, muratorë, elektricistë, polumbarë etj., ku një krizë e tillë, me turbullime të ndërgjegjes, mund të rrezikojë jetën dyfish.

Postime të ngjashme

Biznesi i shëndetit po rritet sërish, gati 130 mln euro në 2025-n për t’u kuruar në spitalet private
A mund të jesh obez pa komplikacione shëndetësore? Ja çfarë thotë mjekja
“Video të manipuluara me inteligjencë artificiale në emër të mjekut Flamur Topi”/ AMA ngre alarmin: Dyshohet për mashtrim me të dhënat bankare
Rasti i 13-vjeçarit me autizëm në QSUT, KMD nis verifikimet
VIDEO/ A është obeziteti i pashëndetshëm në të njëjtën formë?
Nobeli i Mjekësisë shkon për “çelësin e dritës” që ndez dhe fik neuronet
Gjashtë fëmijë të një kopshti përfundojnë në spital në Korçë, dyshohet për helmim
829 raste të reja me kancer gjiri në 2025, ISHP: Ulet vdekshmëria, ja qarqet me incidencën më të lartë