Kryeministri i vendit, Edi Rama, gjatë fjalimit të tij në Komitetin Kombëtar të Sigurisë deklaroi se shtëpia e pushimit të ministrisë së Mbrojtjes në Durrës do të kthehet në karantinë, fill pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë është siguruar që ajo i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme, në rast të përballjes së Shqipërisë me koronavirusin.
“Në rastin e parë që do të kemi nevojën e karantinës, kemi caktuar të ngrihet në shtëpinë e pushimit të ministrisë së Mbrojtjes në Durrës”, tha Rama.
Më tej shtoi:
“Është fakt se nga momenti i parë janë marrë masa; janë përcaktuar protokolle dhe janë shpërndarë udhëzues për gjurmimin e rasteve që në pikën kufitare sipas OBSH-së, janë trajnuar 800 profesionistë të shëndetit në të gjitha nivelet e sistemit tonë shëndetësor. Janë dyfishuar ekipet e shëndetësisë në pikat kufitarë ajrore dhe detare. Monitorimi i pasagjerëve kryhet nga ekipi shëndetësor, si masë e shtuar pas konfirmimit në Itali. Në aeroport dhe në porte gjenden karantina të përkohshme, zona izolimi. Fond 1 milion dollar për rritjen e stokut të mjeteve mbrojtëse. Është për të ardhur keq që ndërkohë që kudo bëhet politikë , ka debate, askund tjetër përveçse në këtë vendin tonë të vogël nuk ndodh që palë të caktuara politike, dhe individë të zëshëm me mandat politik të bëjnë ato që kanë bërë gjatë këtyre ditëve duke u pëpjekur të përhapin panik dhe duke dezinformuar qoftë përsa i përket vendit të përcaktuar për karantinën qoftë përsa i përket kushteve dhe impaktit të një zonë te karaktinuar për popullatën rreth e rrotull. Askund, në asnjë pikë të globit nuk ndodh që karantinat të ndërtohen nëpër male, pyje apo fasilitete larg zonave të banuara; kjo nuk ekziston, kjo është një shpikje në vazhdën e ushqyerjes së infodemisë. Mbi 500 thirrje në ditë do përballojë Urgjenca Kombëtare. Personat që vijnë nga vendet e prekura të telefonojnë në 127, nëse ndjejnë një shqetësim pa u drejtuar në spital.”
“Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë urdhra për masat higjieno-sanitare. Në këtë situatë me përhapjen në disa shtete janë rekomanduar qytetarët të evitojnë udhëtimet jo të domosdoshme në zonat e prekura. Dua të mbyll duke përfituar nga mundësia për t’u komunikuar të gjithëve që na ndjekin me shprehjen e nevojës për qetësi dhe për të mos e lënë veten të çoroditemi nga burimet e infodemisë, nga debatet absurde të mbrëmjeve mediatike që nuk ndodhin në asnjë vend të botës, nga klikimet në burime të absurditetit informativ që me papërgjegjshmëri të plotë shpërndajnë lajme të rreme dhe rrisin efektin shumë të rrezikshme të infodemisë duke krijuar ankth e panik. Të gjithë jemi këtu, jemi në familje, kemi fëmijët tanë e më të moshuarit. Unë ju them të gjithëve ndiqni vetëm burimet e informimit zyrtare! Ballafaqohuni me burimet e informimit zyrtar”, deklaroi Rama.

