Kryefaqja Aktualitet Komunikimi infermier-pacient, thelbësor për një shërbim efektiv

Komunikimi infermier-pacient, thelbësor për një shërbim efektiv

0
Shpërndaje

Ornela Xhangolli Dervishi, infermiere në Poliklinikën e Specialiteteve nr.3, Tiranë

Komunikimi i mirë mes infermierëve dhe pacientëve është thelbësor për arritjen e rezultateve të suksesshme të kujdesit infermieror. Për të arritur këtë, infermierëve u kërkohet ligjërisht dhe moralisht që të ndihmojnë pacientët e tyre, duke treguar mirësjellje, mirësi dhe sinqeritet. Gjithashtu duhet t’i kushtojmë kohë pacientit për të komunikuar me konfidencialitetinn e nevojshëm, nuk duhet të harrojmë se ky komunikim përfshin personat që rrethojnë personin e sëmurë, e cila është arsyeja pse mjek infermiere pacientgjuha e komunikimit duhet të jetë e tillë, e kuptueshme nga të gjithë.

Komunikimi i mirë nuk është i bazuar vetëm në aftësinë fizike të infermierit, por edhe në fushën e përgatitjes profesionale dhe përvojës. Praktika e punës së një infermieri kërkon jo vetëm njohuri shkencore, por fokusohet edhe në shërbim të nevojave të njeriut si një qenie me nevoja fizike dhe shpirtërore. Komunikimi është një element thelbësor në infermieri, në të gjitha ndërhyrjet që kryen infermieri: në parandalim, trajtim, terapi, rehabilitim, edukim dhe promovim të shëndetit.

Pacienti përcjell frikën dhe shqetësimet dhe janë infermierët nga ana tjetër që japin informacionin e saktë, me maturi dhe delikatesë.

Komunikimi është një karakteristikë e brendshme e natyrës njerëzore. Komunikimi ka përmbajtje dhe vlerë. Përmbajtja ka të bëjë me atë që u tha, marrëdhënia konsideron mënyrën se si është thënë. Dështimi në komunikim çon në përfundime negative dhe mbajtjen e qëndrimeve.

A ndodh në vendin tim të punës që të kemi probleme me pacientët?

Sigurisht që po. Nuk mund të flas për përplasje fizike, sepse kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, por përplasjet verbale janë kthyer në një praktikë të përditshme e fatkeqësisht edhe të pranueshme.

Një ndër problemet më të mëdha që kemi me pacientët, është refuzimi i respektimit të sistemit të referimit. Ardhja tek mjeku me rekomandimin e mjekut të familjes ose pagesa e një fature te dera e poliklinikës është detyrim, jo dëshirë. As e infermierit, as e pacientit.

Nëse duam të flasim për një sistem shëndetësor të shëndetshëm është e nevojshme që secila prej hallkave të saj mjek, infermier, pacient të kryejnë detyrat e veta. Si një nevojë jo vetëm ligjore, por edhe qytetare.

Përveç kësaj, vëmë re një fenomen ndoshta edhe jo fort të çuditshëm për vendin tonë. Njerëzit kanë besime të ndryshme. Vijnë tek ne me pretendime të çuditshme, që i kanë të mbartura nga gjyshërit, stërgjyshërit. Besime që shkenca në shumë raste jo vetëm që nuk i ka mbështetur, por edhe i ka hedhur poshtë. Sigurisht që puna e mjekut është e fokusuar në diagnostikim, puna e infermierit konsiston në sqarimin e pacientëve. Gjetja e një gjuhe të përbashkët me ta, ku në thelb qëndron arritja e një stabiliteti shëndetësor të pacientit, është jo rrallë herë e vështirë. Kjo është një tjetër pikë konflikti. Duhet sqaruar pacienti që ato metoda trajtimi popullor mund të mos jenë të përshtatshme.

Pika të tjera janë radha, ku infermierit i duhet të bëjë rolin e arbitrit. Në zyrën tonë kanë ardhur dy herë mbikëqyrës të lajmëruar nga pacientët të cilët janë përballur me infermierin apo mjekun.

InfermiereNdodh që pacientët të mos respektojnë rregulloren e brendshme dhe hyjnë në dhomën e mjekut më shumë se dy veta. Është detyrë e infermierit që të komunikojë dhe t’ia sqarojë këtë gjë pacientit. T’i shpjegojë se është një rregullore që e detyron që pacienti të hyjë vetëm me një shoqërues. Kjo sepse bllokohet puna e mjekut dhe infermierit. Janë të rrallë pacientët që respektojnë këtë fjalë dhe dalin me bindje. Kjo na detyron që për të shmangur ndonjë konflikt, të bëjmë “një sy qorr”.

Duhet kuptuar se “lufta” me pacientin është sa e lehtë, aq edhe e vështirë. Megjithatë një infermier i kualifikuar është në gjendje të bëjë dallimin se kur ky “agresion” nga ana e pacientit vjen për shkak të mosdijes dhe kur për shkak të kapërcimit të stresit, merakut dhe frikës. Edhe pse kjo shpesh bëhet barrë për ne, duhet të ngremë një komunikim efektiv, një marrëdhënie që është inkurajuese dhe profesionale.

Edhe pse shpesh ndodh të mos vlerësohet roli i infermierit, duhet thënë dhe duhet pranuar se infermierët mund të luajnë rol të madh në suksesin e shërimit të pacientit. Ne si infermierë kemi bërë trajnime të herëpashershme të mundësuara nga drejtoria e Poliklinikës, ku në qendër ka qenë përmirësimi i komunikimit me pacientin. Një marrëdhënie e shëndetshme infermier/pacient i siguron pacientit përfitime të mëdha, si dhe i siguron infermierit një punë më të lehtë dhe më të kënaqshme. Kjo stimulon një atmosferë pozitive që është e dobishme për të dyja palët.

 

Box

Detyrimet e Etikës profesionale sipas nenit 4

“Marrëdhëniet e profesioneve të Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë me pacientët” të Kodit Etik-Deontologjik të profesioneve infermier/e, mami, fiziterapsit/e, teknik/e laboratori, teknike/e imazherie, logopedist/e:

Profesionet e UISh dëgjojnë dhe informojnë personin e asistuar (pacientin), duke vlerësuar nevojat e kujdesjeve infermierore për të, dhe i mundëson të pacientit të shprehë zgjidhjet e tij personale.

Profesionet e UISh respektojnë mendimin e pacientit, dhe lehtësojnë raportet me profesionet më të rëndësishme, që përfshihen në planin e kurimit.

Puna ime e infermierit në Poliklinikë konsiston në:

Plotësimin e regjistrit të vizitave

Plotësimin e statistikave mujore

Plotësimin e formularëve të vizitës

Kryerjen e EKG-së.

Pavarësisht kësaj, puna më e madhe është e përqendruar në raportin me pacientin. Thuhet dhe është e vërtetë, nisur nga praktika e punës, që më shumë se gjysma e punës së një infermieri apo dhe mjeku është komunikimi.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here