Konjuktiviti, si të parandalojmë infeksionet e syrit

Dr. Vjona Kurti, mjeke okuliste pranë Qendrës shëndetësore të specialiteteve nr.3, Tiranë

Konjuktivitet janë inflamacione të konjuktivës. Konjuktiva është një cipë e hollë e vaskularizuar e cila vesh pjesën e dukshme të sklerës (e bardha e syrit) dhe pjesën e brendshme të palpebrave (kapakëve). Konjuktiva është e pasur me vaza gjaku dhe një nga funksionet e saj është mbrojtja e syrit nga faktorët e jashtëm të dëmshëm. Në rastet e dëmtimit të elemeteve mbrojtës të syrit shfaqen infeksionet sipërfaqësore ose konjuktivitet. Kjo ndodh në rast të rënies së imunitetit (gjendje virale ose patologji të ngjashme që prekin organizmin), në raste të dëmtimit anatomik të konjuktivës ( në raste të traumave si gërvishtje), në rast të prishjes së strukturës së përbërjes së lotit.

Konjuktivitet më të shpeshta që hasen rëndom janë:
1. konjuktivitet bakteriale
2. konjuktivitet virale
3. konjuktivitet alergjike

Konjuktivitet bakteriale janë më të shpeshtë. Shkaktarët kryesore janë bakteriet si Staphilococcus aureus, streptococcus pneumonie, haemophilus influenzae. Haset në çdo stinë të vitit dhe në gjitha grupmoshat. Më të ndjeshëm janë fëmijët dhe mosha e tretë, duke pasur dhe sistemin imunitar më të dobët. Zakonisht ka një zhvillim të shpejtë me prekje të njërit sy dhe mbas 1-2 ditësh prekje dhe të syrit tjetër. Ky konjuktivit mund të klasifikohet në akut, hiperakut dhe kronik.
Konjuktiviti bakterial akut fillon zakonisht në njërin sy me skuqje, irritim, lotim, sekrecione purulente (me qelb) dhe prekje dhe të kapakëve. Ky konjuktivit mund të komplikohet me blefarit, keratit marginal (infeksion i kornesë periferike). Trajtimi i tij bëhet me antibiotik lokal me spektër të gjerë veprimi për një periudhë 7-10 ditë.

Konjuktiviti bakterial hiperakut si shkaktar kryesor ka Neisseria gonorrhoeae. Kjo është një sëmundje okulogenitale dhe në fillim shikohet te fëmijët e porsalindur që e marrin nga rrugët natyrale të lindjes dhe gjithashtu mund të haset dhe te persona seksualisht aktiv. Rastet e patrajtuara mund të çojnë në keratite ulcerative dhe deri në perforacion të kornesë dhe rezultati është verbimi i pacientit.

Para trajtimit merret materiali për ekzaminim dhe mjekimi bëhet me antibiotikun e ndjeshëm ndaj mikrobit. Mjekimi bëhet lokalisht dhe intramuskular në fillim, dhe pastaj antibiotikë nga goja.

Konjuktiviti bakterial kronik quhet i tillë nëse simptomat zgjasin më shumë se 3 javë. Shkaktarët më të shpeshtë janë S.aureus, Escheriachia coli, Klebsiella pneumoniae etj. Si shkaktar më i shpeshtë për blefarokonjuktivitet është S.aureus i cili kolonizon bregun e kapakëve.

Shenjat janë skuqje konjuktivale difuze me papila e folikuj, sekrecione minimale purulente dhe trashje e konjuktivës. Në kapakë mund të kemi skuqje, telangiektasi (zgjerim i vazave të gjakut), rënie të qerpikëve, hordeola të shumta (byc). Trajtimi kryesor është higjiena e bregut të kapakut me larje me ujë të ngohtë, antibiotikë dhe kortizonikë lokalë me pika.
E rëndësishme në rastet e konjuktiviteve bakteriale është pastërtia e syve dhe e duarve, pasi shkaktarët e këtyre infeksioneve janë bakterie të ciilat ndodhen në organizmin e njeriut dhe në ambientin ku jetojmë e punojmë.

Konjuktivitet virale shkaktar kryesor kanë viruset. Një nga llojet më të shpeshtë të këtij grupi konjuktivitesh është adenovirusi. Diagnoza vihet pa qenë nevoja e ekzaminimit të materialit të marrë në sacusin konjuktival. Zakonisht ai shfaqet në stinën e dimrit dhe ka virulencë të lartë (aftësi të transmetohet nga një individ te tjetri).

Periudha e inkubacionit (e hyrjes së mikrobit) është 5-12 ditë dhe shenjat klinike janë të pranishme për një periudhë prej 5-15 ditësh. Paraqitet me edemë (enjtje) të konjuktivës dhe kapakëve, sekrecione të ujshme dhe limfadenopati preaurikulare (gjendra para veshit) në anën e prekur. Zakonisht këto konjuktivite shërohen vetë prej një periudhe nga disa ditë ose javë, megjithatë duhen përdorur kompresa të ftohta dhe lotë artificialë. Ka raste kur komplikohet me keratit dhe në këtë rast përdoren kortizonikë lokal me pika.
Një shkaktar tjetër i konjuktivit viral është Herpes Simplex, i cili mund të komplikohet me keratit. Zakonisht edhe ky shërohet vetë pas disa ditësh ose javësh, megjithatë disa mjekë preferojnë përdorimin e pomadës antivirale duke evituar përdorimin e kortizonit.

Ç’është konjuktiviti alergjik?
Konjuktiviti alergjik është një konjuktivit sezonal. Vjen si pasojë e hipersensibilitetit (ndjeshmërisë) të nxitur nga igE dhe aktivizimi i mekanizmit mbrojtës nga ekspozimi i sipërfaqjes së konjuktivës ndaj alergenteve si pluhuri, bari, polenet, kafshë të ndryshme etj.

Reagimi alergjik mund të jetë i kufizuar në sy ose mund të kemi një reagim sistemik të organizmit me shenja respiratore dhe nazale. Shenjat klinike janë zakonisht bilaterale ( të dy sytë) dhe kemi dhimbje të lehtë, djegie, skuqje e lehtë ose më e shprehur që mund të shkojë deri në chemosis (enjtje e konjuktivës),  sekrecione të ujshme.

Mjekimi varet nga kohëzgjatja dhe rëndesa e sëmundjes. Zakonisht mjekimi konsiston në qetësimin e simptomave si kompresat e ftohta, lot artificial me pika. Në rastet më të rënda përdoren antihistaminike dhe agjentet antiinflamatore.  Në rastet e rënda mund të përdoren kortizonikët lokal bashkë me antihistaminikët për një periudhë disa javore dhe ndërpriten gradualisht.
Për vendosjen e diagnozës së konjuktivit duhet të bëhet vizita te specialisti (okulisti) pasi me sy të lirë nuk mund të zbulosh llojin e infeksionit dhe rëndesën e tij.

Një pjesë e konjuktiviteve mund të shërohen vetë pas një periudhë disaditore, por duke qenë se këto mund të komplikohen me keratite (infeksion i kornesë) të cilat pa trajtim çojnë në verbim të pacientit, mjekimi duhet bërë menjëherë. Prognoza e konjuktiviteve  është shumë e mirë dhe me një mjekim të rregullt kemi shërim të pacientit./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Miopia - pandemia e shekullit 21! Okulisti: Alarmante tek fëmijët, ja shkaku
Gabimet më të zakonshme që mund të ndikojnë në kolesterolin tuaj
Kur stresi i provimeve bëhet i rrezikshëm për fëmijën tuaj – si ta dalloni dhe si ta ndihmoni
Mjeku Sotiraq Lako: Preparatet me bazë hekuri për mjekimin e anemisë
Impetigo Bakterial: Një infeksion i shpeshtë në sezonin e verës – Këshilla nga Dr. Tritan Kalo
Si trajtohet inkontinenca urinare (mosmbajtja e urinës) te meshkujt?
Si bëhet manaxhimi i një aritmie akute në hemodializë?
Dhimbjet kronike të veshit, mjekja: Duhet të trajtohet, shkakton probleme serioze