Kryefaqja Aktualitet Kontrata PPP e sterilizimit i kushton shtrenjtë sistemit shëndetësor

Kontrata PPP e sterilizimit i kushton shtrenjtë sistemit shëndetësor

0
Shpërndaje

Pesë vjet pas nënshkrimit, kontrata e seteve kirurgjikale po i kushton gjithnjë e më shtrenjtë financave të shëndetësisë, ndërkohë që mjekët dhe kirurgët i kanë rikthyer sytë nga autoklavat e vjetra për të kryer detyrën dhe mbajtur kostot nën kontroll.

Pas një operacioni rutinë në spitalin Universitar të Traumës në Tiranë, kirurgu kthehet në zyrë me një pajisje në dorë, që sapo e ka marrë fshehurazi nga salla e operacionit. Ai e vendos atë mbi tavolinë, e çmbështjell nga një copë letër higjienike dhe tregon me gisht elektrobisturinë në ngjyrë blu, ende të paketuar në qese.

“Ky instrument do të hidhej në mbeturina,” tha kirurgu, i cili foli me BIRN në kushtet e anonimatit. “Ky është shembulli flagrant sesi shpërdorohen paratë tona,” shtoi ai gjatë bisedës së zhvilluar në zyrën e tij, në mesin e tetorit.

Elektrobisturia mbi tavolinën e kirurgut është pjesë e njërit prej seteve kirurgjikale, që kompania koncesionare “SaniService” i shet Ministrisë së Shëndetësisë për çmime që variojnë nga 16 mijë lekë deri në 45 mijë lekë [me TVSH] për çdo ndërhyrje.

Mjeku thotë se ka për qëllim që ta shpëtojë instrumentin duke e sterilizuar “ilegalisht” atë –në mënyrë që të kursejë para përmes përdorjes në një seri operacionesh të tjera.

Episodi i spitalit të Traumës nuk është një rast i izoluar. Të gjendur nën presionin e çmimeve të shtrenjta të seteve kirurgjikale, mjekët i kanë kthyer sytë tek autoklavat e vjetra, që janë rikthyer tashmë në qarkullim në disa prej spitaleve të rëndësishme të Tiranës.

Kontrata e Partneritetit Publik Privat për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale është në vitin e pestë të operimit, por ka shënuar rritje të kostove të parashikuara me gati 30%. Nga 9.6 miliardë lekë të parashikuara në vitin 2015, sterilizimi pritet tashmë të kushtojë 12.3 miliardë lekë në total.

Pagesat realizohen sipas skemës “përdor dhe paguaj”, ndaj rritja e numrit të ndërhyrjeve sjell rritje “pa tavan” të pagesave. Megjithatë, numri i operacioneve nuk është kalkulimi i vetëm i gabuar që rëndon sot mbi financat e sektorit të shëndetësisë.

BIRN intervistoi mjekë dhe kirurgë të spitave të ndryshme të Tiranës, të cilat pohuan se formula e zgjedhur i rrit shpeshherë kostot edhe fiktivisht. Mjekët pranuan se kishin përdorur sete të shtrenjta për mikrokirurgjitë dhe ishin detyruar shpeshherë që të hapnin dy ose tre sete gjatë një operacioni, për të gjetur instrumentin kirurgjikal që u nevojitej.

Sipas një vlerësimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, kontrata e sterilizimit është hartuar në kushte favorizuese vetëm për koncesionarin dhe pritet të sjellë probleme në vazhdimësi për financimin e saj.

Kontrata PPP është gjithashtu një nga dosjet e para të bujshme që përfundoi në dyert e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe po hetohet prej 11 muajsh për tre vepra penale që lidhen me korrupsionin.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja e mbrojti kontratën në një përgjigje me shkrim për BIRN, pavarësisht kostove të rritura dhe akuzave të regjistruara nga Prokuroria.

“Kanë kaluar tashmë më shumë se 4 vjet nga ndërhyrja e parë kirurgjikale e realizuar me këtë shërbim të ri, por në dijeninë time asgjë nuk ka shkuar keq,” tha Beqja, firmëtar i kontratës.

“Përkundrazi, tashmë është e provuar se shërbimi kirurgjikal në çdo sallë operacioni të Shqipërisë është ndryshuar radikalisht dhe se çdo kirurg apo obstretër në Shqipëri operon në kushte shumë më të mira steriliteti me instrumenta kirurgjikale të gjeneratës së fundit,” shtoi ai.

Kompania koncesionare, SaniService nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.

Dhurimi i stacionit të sterilizimit

Kontrata e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është një prej 4 projekteve të Partneritetit Publik-Privat me mbështetje buxhetore në sektorin e shëndetësisë, me zanafillë te programi i qeverisjes së kryeministrit Edi Rama pas ngjitjes së tij në në pushtet në vitin 2013.

Kontrata u firmos në dhjetor 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare SaniService –aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

Paketën më të madhe me 40 për qind të aksioneve e zotëron Investital LLC- një kompani e vogël e themeluar me kapital 1 mijë euro në Kosovë nga Ilir Rrapaj. Në një investigim të mëparshëm, BIRN zbuloi se Rrapaj u kthye në Shqipëri pas zgjedhjeve të vitit 2013 dhe para se të fitonte koncesionin, vendosi kontakte të shpeshta me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Dokumentet e siguruara nga BIRN përmes një hetimi të zhvilluar në vitin 2016 nga Prokuroria e Tiranës tregojnë se kompania koncesionare e nisi punën nga një stacion modern sterilizimi i ndërtuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me kredi të qeverisë shqiptare, por që nuk ishte vënë për asnjë ditë në punë.

Sipas një raporti të KLSH, pajisje me vlerë mbi 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë.

Qendra e sterilizimit ishte ndërtuar në vitin 2009 përmes një kredie që qeveria shqiptare kishte marrë në Bankën e Këshillit të Europës –CEB. Transferimi i saj nën administrimin e koncesionarit u bë pjesë e hetimit të kryer nga Prokuroria e Tiranës –i cili u pushua në shtator 2016 pa pasoja.

Anëtarët e komisionit që përgatiti studimin e fizibilitetit për koncesionin e sterilizimit i thanë Prokurorisë se qendra nuk ishte vënë në punë prej tetë vitesh për shkak të mungesës së stafit të trajnuar. Ata e përdorën atë si një argument më shumë se pse shërbimi duhej dhënë me koncesion.

“Ky koncesion pikërisht për të ruajtur këtë investim, parashikon ta jetësojë këtë qendër, duke e vënë në punë atë,” deklaroi në Prokurori një nga anëtaret e komisionit.

Dokumentet e hetimit tregojnë gjithashtu se Ministria e Shëndetësisë e paracaktoi dhënien e shërbimit me koncesion dhe u përball me hezitimin e ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani për ta miratuar atë.

Dy ish-ministrat shkëmbyen korrespondencë nga tetori 2015 deri në janar 2016, ku Cani kërkoi fillimisht që të argumentohej se pse ishte zgjedhur koncesioni dhe jo prokurimi i zakonshëm.

Ish-ministri i Financave paralajmëroi gjithashtu rritjen e kostove përtej tavaneve buxhetore, por e miratoi kontratën me kushtin që financimi i projektit të respektonte në mënyrë rigoroze limitin buxhetor të parashikuar për këto shërbime.

“Lidhur me riskun e kërkesës, duke qenë dakord me mënyrën e përballimit të tij… do të kërkonim që Ministria e Shëndetësisë të marrë të gjitha masat e duhura, që ky risk të minimizohet sa më shumë që të jetë e mundur përgjatë periudhës së koncesionit,” shkruante Cani në janar 2015.

Prokuroria e Tiranës iu rikthye arsyeve se pse Ministria e Shëndetësisë zgjodhi procedurën PPP përballë prokurimit të zakonshëm në seancën e pyetjeve me anëtarët e komisionit, ndërkohë që këta të fundit dhanë si argument mungesën e fondeve për investim në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, i cili ishte edhe kryetar i komisionit i tha Prokurorisë se rinovimi i instrumenteve kirurgjikale kapte shifrat e 11 milionë eurove, ose dyfish e gjysmë mbi zërin që Ministria e Shëndetësisë kishte në dispozicion për investime.

“Skema PPP është më e favorshme për shkak të investimit fillestar të madh, që nuk përballohet nga shteti si dhe për shkak të marrjes së riskut totalisht nga privati,” shton Rrjepaj në dëshmi.

Ndryshe nga parashikimi në studimin e fizibilitetit, Ministria e Shëndetësisë paguan çdo vit një faturë edhe më të shtrenjtë sesa investimi fillestar prej 11 milionë eurosh –me kosto që luhaten në një mesatare vjetore prej 1.6 miliardë lekësh ose gati 13 milionë euro.

Fryrja e kostove

Në dy maternitetet e Tiranës, Koço Gliozheni dhe Mbretëresha Geraldinë, janë rikthyer instrumentet tradicionale për një pjesë të madhe të lindjeve natyrale. Metoda e vjetër e sterilizimit me autoklavë funksionin gjithashtu në gjysmë-ilegalitet, pas kërkesave verbale të eprorëve për të ulur përdorimin e seteve.

Një mjek gjinekolog i tha BIRN se setet kirurgjikale janë të panevojshme për lindjet natyrale.

“Ndryshe nga operacionet, një lindje natyrale ka nevojë për dy-tre instrumente ndaj na është kërkuar verbalisht, nën rekomandimin e Ministrisë së Shëndetësisë, që në këto raste të minimizohet përdorimi i paketave me instrumenta të sterilizuar,” tha ai.

Si shumë kolegë të tij, edhe mjeku gjinekolog pranoi të intervistohej nga BIRN me kushtin që të mos i përmendej emri.

“Ne realizojmë mesatarisht 30 ndërhyrje dhe lindje në ditë. Të blesh një set kirugjikal kushton mesatarisht 40 mijë lekë të reja…E kuptoni se sa shumë është rritur kostoja e një ndërhyrjeje kirugjikale?” pyeti ai.

Dy maternitetet e Tiranës u fajësuan pjesërisht për rritjen e kostove në vitin 2018, pasi një grup kontrolli nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor verifikoi se për lindjet natyrale ishin përdorur paketa të kompleksitetit të ulët. Mjekët u këshilluan që për lindjet normale të përdornin sete të sterilizimit me avull, të cilat kushtojnë 319 lekë copa.

Pjesa tjetër i faturohet mikrokirurgjive, të cilat nuk numëroheshin si ndërhyrje përpara dhënies së shërbimit me koncesion.

Kirurgu Arben Gjata, rektor i Universitetit të Mjekësisë dhe pjesë e komisionit që përgatiti studimin e fizibilitetit e mburri koncesionin si “gjëja më e mirë” për sistemin shëndetësor. Megjithatë, Gjata pranoi se një kategori mikrondërhyrjesh nuk deklaroheshin më parë dhe nuk ishin llogaritur. Ai përmendi në këtë kategori ndërhyrje të tilla si rrethprerja (syneti), heqja e një thoi apo e një nishani.

“Pas futjes së koncensionarit duheshin deklaruar, pasi do të përdoren setet kirurgjikale. Kanë rezultuar të jenë rreth 8 mijë të tilla në të gjithë vendin dhe sigurisht kanë rritur numrin e ndërhyrjeve kirurgjikale, duke rritur edhe kostot,” tha kirurgu Gjata.

Lindjet natyrale dhe mikrokirurgjitë nuk janë të vetmet ndërhyrje që sollën rritje të paparashikuar të kostove. Mjekët përmendën si arsye edhe grupimin e instrumenteve brenda një seti apo mungesat e shpeshta të paketës së vogël prej 319 lekësh, që i detyron ata të shpërdorojnë setet kirurgjikale.

“Problemi qëndron se për një ndërhyrje, ne mund të hapim edhe deri në tre sete, sepse nuk gjejmë dot të gjitha instrumentet që na duhen në njërin set,” tha njëri prej kirurgëve. “Unë në sallë operacioni mendoj se si të shpëtoj jetën e pacientit dhe jo sa lekë po harxhoj,” shtoi ai, duke pohuar se presioni mbi kostot rëndon vazhdimisht mbi punën e tyre.

Një ish-drejtues i njërit prej spitaleve universitare u ankua se koncesionari e ofron rrallë paketën e vogël të sterilizuar në avull dhe kjo i detyron mjekët që të shpërdorojnë shpesh sete për të përdorur qoftë edhe vetëm një instrument.

“Kjo mendoj se është kleçka që e rrit shumë koston që duhet t’i paguajmë pastaj në fund,” tha kirurgu, pa dashur që t’i përdoret emri.

Kirurgu urolog, Artan Koni, i cili denoncoi në SPAK kostot e shtrenjta të sterilizimit i tha BIRN se rigrupimi i instrumenteve brenda një seti është një formulë që nuk funksionon.

“…asnjëherë nuk mund të bësh një renditje optimale të seteve, sepse operacioni nuk shkon asnjëherë siç do ti,” tha Koni. “Mund të ndodhë që gjatë operacionit të duhet diçka që nuk e parashikon dhe nuk e planifikon dot. Ndaj do të ketë gjithmonë përdorim të dy ose tre seteve,” shtoi ai.

Cilësi vs. kosto

Cilësia e dobët e instrumentave kirurgjikalë dhe infeksionet e larta spitalore ishin dy argumentet kryesore në favor të dhënies me koncesion të shërbimit të sterilizimit në sallat kirurgjikale. Rinovimi i instrumentarit dhe ulja e infesioneve spitalore mbeten edhe sot argumente në mbrojtje të saj.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se kontrata e sterilizimit ishte e nevojshme dhe treguesi më i mirë për këtë është shkurtimi i ditëve të qëndrimit në spital për pacientët që i janë nënshtruar operacioneve.

“Edhe ecuria e infeksioneve prej SARS-CoV-2 në sallat kirurgjikale që prej marsit 2020 e në vijim [zero mjekë apo infermierë të sëmurë me COVID-19] provon se nëpërmjet kësaj kontrate është arritur cilësi maksimale në sterilitetin e sallave operatore,” pretendoi Beqja.

Kirurgu Arben Gjata kujton se në kohën që po jepej koncesioni i sterilizimit, ai përdorte ende një bisturi të markës “Urna”, që ishte donacion i qeverisë amerikane i vitit 1945. Ai thotë se operon sot me instrumente të markës “Martin”, që i konsideron ndër më cilësoret në Europë.

“Të krahasosh kushtet me të cilat operojmë sot, me ato që kishim para dhënies me koncension të sterilizimit, është njësoj si të kesh një supermakinë e të thuash se gazi ‘69 i kohës së Enverit ishte më i mirë se harxhonte pak,” tha Gjata, duke i konsideruar ankesat për koncesionin si politike.

“Sigurisht që kemi debate me koncensionarin, sepse ka vegla që na prishen apo na amortizohen dhe kërkojmë që të na sjellë të reja, por të vësh në dyshim cilësinë më duket e pakuptimtë,” shtoi ai.

Por kirurgu urolog, Artan Koni bën një llogari të thjeshtë matematikore, ndërsa thotë se setet kirurgjikale po blihen “sa frëngu pulën”.

Sipas Konit, sterilizimi i pajisjeve kirurgjikale me autoklavë do të kushtonte rreth 215 mijë euro në vit në rang kombëtar, ndërkohë që koncesionarit i paguhen deri në 16 milionë euro. Mjeku shton në llogari edhe kosto të supozuara të blerjes nga e para të instrumentarit dhe arrin në përfundimin se koncesionari paguhet në një vit aq sa shërbimi kushton në 10 vite.

“Pak a shumë, kirurgët për një operacion marrin 15 mijë lekë të vjetra, por minimalisht i japin [koncesionarit] 130 mijë lekë për setin,’ tha Koni për BIRN.

“Mendoj se që kjo kontratë ishte keq që në konceptim, sepse nuk mund t’i jepet me koncension privatit një shërbim i tillë. Nuk ka logjikë, as mjekësore, as ekonomike, asnjë vend në Evropë nuk e ka me koncension,” shtoi ai.

Ulje çmimesh? Jo, ulje ndërhyrjesh

Në vitin 2018, numri i ndërhyrjeve të raportuara nga të gjitha spitalet e vendit kapërceu në 90 mijë, nga 63 mijë të parashikuara në kontratë. Nga 1.6 miliardë lekë të planifikuara për t’u paguar në vitin 2018, vlera u rrit në 2.1 miliardë -duke mbartuar një pjesë të detyrimeve edhe për vitin 2019.

Tejkalimi i tavanit të miratuar buxhetor e detyroi Ministrinë e Shëndetësisë të urdhëronte një “moratorium” të shkurtër për ndërhyrjet e planifikuara si dhe të rinegocionte termat e kontratës me kompaninë koncesionare.

Negociatat me kompaninë SaniService u mbyllën në janar 2020 me amendimin e kontratës. Ministria arriti të reduktonte me 25% çmimet vetëm për setet që tejkalojnë tavanin e parashikuar në kontratë prej 63 mijë ndërhyrjesh. Ministria tha gjithashtu se kjo zbritje shtrihet edhe për paketimet në avull mbi limitin prej 63 mijë setesh.

E pyetur nga BIRN për luhatjen e madhe të numrit të operacioneve nga njëri vit në tjetrin, Ministria e Shëndetësisë u përgjigj se kishte arritur t’i ulte ato përmes programimit më racional nga spitalet si dhe monitorimit në kohë reale të interventeve sipas tipologjisë për çdo repart.

BIRN mësoi se në negociata ishin diskutuar edhe formula të tjera, të cilat nuk ishin pranuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Rektori Gjata i tha BIRN se ai vetë kishte sugjeruar shtimin e një seti të katërt në vend të reduktimit të miratuar.

“I sugjerova Ministrisë së Shëndetësisë dhe koncensionarit që të ofrojë edhe një paketë të katërt të instrumenteve të sterilizimit, me një kosto prej 2-3 mijë lekë të reja, që do të përdorej për të realizuar ato që ne i quajmë mikrokirugji apo edhe lindjet natyrale,” tha Gjata.

“Koncensionari ishte dakord, por propozimi u refuzua nga Ministria e Shëndetësisë, pasi juristët e konsiderojnë si ndryshim të termave të kontratës dhe kjo mund të sillte pasoja ligjore,” shtoi ai.

Për kirurgun Artan Koni, rishikimi i kontratës nuk ka prekur asgjë nga fitimet e koncesionarit, por ka shtuar presionin indirekt ndaj mjekëve.

“Thonë që kemi caktuar një numër mesatar operacionesh, por kjo në mënyrë indirekte shkakton një lloj presioni tek mjekët, që u duhet t’i shtyjnë ato,” tha Koni. “Nga këto keqllogaritje buxheti është boshatisur, por në vend që të uleshin kostot, u ulën operacionet,” përfundoi ai.

Burimi: Reporter.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here