Kryefaqja Leviz Kopshti Raporto Kopshti “Beni ecën vetë”, një vit pas përurimit, në kushte të këqija

Kopshti “Beni ecën vetë”, një vit pas përurimit, në kushte të këqija

0
Shpërndaje

Nga Blertina Koka

Kopshti ‘Beni ecën vetë’ në njësinë bashkiake nr.1 ishte pjesë e 23 kopshteve të Tiranës që përfituan nga nisma “Adopto një kopsht”, duke iu nënshtruar një rikonstruksioni total të godinës.

“Fëmijë që edukohen me kushte të njëjta e standarde të njëjta si në qendër, ashtu edhe në periferi”. Ky ishte edhe synimi i Bashkisë së Tiranës, kur nëpërmjet nismës “Adopto një kopsht” premtoi rikonstruksonin dhe standardizimin e plotë të 23 kopshteve në Tiranë.

Vetë kryetari i Bashkisë, Erjon Veliaj, është angazhuar në inspektimin e punimeve dhe inaugurimin e kopshteve pas rikonstruksionit.

“Sa bukur në Shkozë. Bashkë me Ditmir Bushatin çelëm kopshtin e ri “Beni ecën vetë”, hapësira ideale për engjëjt tanë”, shkruan Veliaj në Twitter, ku ka postuar edhe disa foto nga ceremonia e inaugurimit të kopshtit.

Ndërsa stafi i Bashkisë së Tiranës është kujdesur që pas çdo rikonstruksioni të kopshteve të shfaqë nëpër media me foto dhe video punën fantastike që është bërë.

 “Një tjetër kopsht në kryeqytet ka marrë një pamje krejt të re falë ndërhyrjes së bërë nga Bashkia e Tiranës. Kopshti “Beni ecën vetë” në njësinë nr. 1 është kthyer në një hapësirë cilësore për fëmijët, duke ofruar ambiente të brendshme tërësisht të rikonstruktuara, me një kënd lojërash”, është hyrja klishe që përdoret në të gjitha mediat dhe portalet online.

Bashkëngjitur artikullit dhe fotove është edhe një video, edhe kjo e njëjta tek të gjitha mediat.

Foto e shkrepur gjatë përurimit të kopshtit “Beni cën vetë” (Marrë nga uebi)

Teksa shikon këto foto dhe video është e pamundur të mos e përgëzosh kryetarin e Bashkisë për punën që ka bërë me anë të nismës “Adopto një kopsht”.

Por, nëse e shikon me sytë e tu kopshtin, dhe jo nga pamjet e ofruara në foto dhe video,  kupton që realiteti është krejt ndryshe nga ajo që syri i mprehtë i fotografit dhe operatorit të Bashkisë ka arritur të kapë.

Kopshti është larg standardeve të vendosura nga Ministria e Zhvillimit Urban apo asaj “hapësire ideale” që kryebashkiaku shkruan në Twitter.

Nuk mjafton vetëm të bëhet rikonstruksioni i mureve, dyshemesë, dyerve (bravat e të cilave kanë filluar të prishen akoma pa u bërë viti), tualeteve (për këtë nuk jemi edhe aq shumë të sigurt, duke qenë se WC-të akoma janë të modelit allaturke) që një kopsht të quhet “hapësirë ideale” për fëmijët.

Minimumi që një kopsht mund të ofrojë është një ndenjëse e rehatshme për t’u ulur, dhe jo karriget prej kauçuku ku nga momenti në moment fëmija rrezikon që të rrëzohet, apo ato prej druri, pjesës më të madhe të të cilave u kanë dalë gozhdët; një tapet poshtë këmbëve dhe e fundit (por jo më pak e rëndësishmja) mjete didaktike dhe lodra për t’u argëtuar.

Drejtoresha e këtij kopshti, Lorena Dorzi, tregon se në kohën kur u bë rikonstruksioni i kopshtit, në gusht të vitit 2016, u kishin thënë që të nxirrnin të gjitha objektet jashtë pasi do t’u sillnin të reja, por, edhe pse kanë kaluar më shumë se 10 muaj, akoma nuk është bërë një ndërhyrje e tillë.

“I lamë gati një javë jashtë, pamë se nuk po sillnin të reja, i futëm përsëri brenda”, tregon drejtoresha.

Kopshti “Beni ecën vetë” një vit pas rikonstruksionit

Ndërkohë edukatoret na kërkojnë që t’ u bëjmë foto karrigeve prej druri të cilave u kanë dalë gozhdët dhe u grisin rrobat fëmijëve.

“Fotografoji mirë karriget, – thotë edukatorja, –  edhe bravën e prishur. Gjasme i kanë vendosur të reja. Akoma pa bërë viti janë prishur. Kanë bërë punë vetëm për sy e faqe”.

Ambientet ku fëmijët kalojnë një pjesë të mirë të ditës, të cilat përdoren njëkohësisht për të luajtur, mësuar dhe ngrënë, gjithashtu janë thuajse bosh.

Ndryshe nga ajo që na shfaqet në videon e postuar nga të gjitha mediat, ku sigurisht gjithçka të duket perfekte, nga monitorimi i bërë, vërehet se aty mungon edhe diçka më minimale, por shumë e domosdoshme: një tapet në parket.

Në standardet e vendosura nga Ministria e Zhvillimit Urban për projektimin e kopshteve kërkohet që kopshtet të jenë të pajisura me “tapet sfungjeri me ngjyra”, ku fëmijët të kenë mundësi të luajnë. Ndërkohë, në kopshtin “Beni ecën vetë”, ‘tashmë të rikonstruktuar sipas standardeve’, nuk gjen edhe një tapet të thjeshtë që fëmijët mos të jenë në kontakt të drejtpërdrejtë me parketin.

Kopshti “Beni ecën vetë” një vit pas rikonstruksionit

Një mungesë tjetër që vihet re menjëherë sapo hyn në ambientet e brendshme të kopshteve është ajo e lodrave dhe mjeteve didaktike.

E sigurisht nuk mund të cilësohet si i standardizuar një kopsht ku lodrat për 190 fëmijë numërohen me gishtat e dorës.

Ndryshe nga shumë kopshte të tjera ku kontributi i prindërve ka qenë shumë i madh në këtë pikë, kushtet jo shumë të mira ekonomike të prindërve në kopshtin nr. 56 e bëjnë të pamundur për drejtoreshën që t’u kërkojë atyre të financojnë për blerjen e mjeteve didaktike dhe lodrave.

“Nuk kemi çfarë t’u kërkojmë prindërve. Pjesa më e madhe janë të papunë. Edhe paratë që mund të mbledhim në fillim të vitit nga kontributi prej 1000 lekësh që japin  një pjesë e prindërve, i përdorim për të paguar rojën gjatë gjithë vitit”, tregon drejtoresha.

Kopshti “Beni ecën vetë” një vit pas rikonstruksionit

Studimet të ndryshme të kryera ndër vite kanë treguar se lodrat janë më shumë se argëtim dhe lojë për fëmijët. Sipas ekspertëve, dy nga faktorët më të rëndësishëm të lidhura me zhvillimin mendor të foshnjave dhe fëmijëve parashkollorë janë prania e lodrave për të luajtur dhe aftësia e nënës në angazhimin për mirërritjen e fëmijës.

Është zbuluar se fëmijët që luajnë me lodra të ndryshme kanë mundësi të arrijnë nivele më të larta intelektuale kur të rriten, pavarësisht gjinisë, racës apo klasës sociale të fëmijës (Bradley 1985, Elardo 1975).

“Loja me lodrat në fazën e hershme të fëmijërisë nuk ndihmon vetëm në zhvillimin motorik, por edhe konjitiv (njohës) të fëmijës.  Ato e ndihmojnë fëmijën të mësojë rreth vetes dhe botën që e rrethon. Lodrat janë të rëndësishme për zhvillimin e kreativitetit, të menduarit logjik dhe bashkëpunimin në grup. Ndërkohë që luajnë, fëmijët mësojnë të zgjidhin problemet, të socializohen dhe bashkëpunojnë me fëmijët e tjerë dhe të zhvillojnë aftësitë motorike që ju duhen për t’u rritur dhe mësuar. Nuk mund të konceptohet një kopsht pa lodra”, thotë psikologja  Anastasi Hoti, e cila punon aktualisht si psikologe në 2 prej kopshteve në Tiranë./ Shendeti.com.al/

“Ky botim u realizua me mbështetjen e LëvizAlbania. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e LëvizAlbania”.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here