Nga Elena Beta
Kopshti shtetëror numër 60, i cili ndodhet në rrugën Kongresi i Manastirit në Tiranë, është funksional që prej vitit 1956. Mjafton një vështrim i shpejtë për të vënë re mangësitë të cilat e rendisin këtë kopsht në alternativën e fundit për t’u përzgjedhur nga prindërit si vendin ku fëmijët e tyre do të marrin edukimin bazë.
Ndërtesa e vjetër, lagështia brenda klasave dhe jashtë tyre, ambientet e vogla, mungesa e një hapësire të jashtme ku mund të luajnë fëmijët në ditët e ngrohta të vitit, mungesa e ngrohjes dhe ftohjes komode, si dhe mungesa e mjekut dhe psikologut, janë evidente për çdo njeri që mund të vizitojë kopshtin. Edhe pse i rikonstruktuar pjesërisht në vitin 2005, bien në sy muret e nxira nga lagështia, të cilat të bëjnë të mendosh për problemet shëndetësore që këto ambiente në kombinim me temperaturat e ulëta mund të shkaktojnë tek fëmijët e vegjël të cilët janë kontigjenti më i ndjeshëm ndaj faktorëve të jashtëm të mjedisit.
Nga biseda me drejtuesen e kopshtit mund të kuptohet lehtësisht se ambientet kanë nevojë për gjithçka. “U bë kohë tashmë që jemi në listën e pritjes për t’u bërë pjesë e nismës “Adopto një Kopësht”. Na është premtuar një rikonstruktim total nga ana e strukturave përkatëse, por ende asnjë gjë konkrete. Ambientet e kopshtit janë vizituar shpesh herë nga persona që premtojnë dhe vetëm premtojnë, por asnjëri nga ata nuk ka ndërmarrë një hap konkret, edhe pse ambientet këtu lënë shumë për të dëshiruar. Një nga problemet më të dukshme është lagështia në nivele të larta. Nuk është vështirë për t’u kuptuar. Por një tjetër pikë e dobët me të cilin përballem çdo ditë është edhe numri i lartë i fëmijëve të larguar nga kopshti për shkak të kushteve të vështira”, shprehet drejtuesja e kopshtit nr. 60, e cila gati çdo ditë është gjithashtu në rolin e edukatores.
Drejtoresha konfirmon se kapaciteti i kopshtit është 120 fëmijë, por numri i fëmijëve të regjistruar është 65 dhe numri i atyre që e frekuentojnë kopshtin çdo ditë është akoma më i ulët, 2 grupe me 14 veta apo më pak secili.
Një paradoks në këtë kopsht janë dhe impiantet për shuarjen e zjarrit, të cilat edhe pse janë të pranishme në korridore, asnjëra prej edukatoreve nuk është e trajnuar për t’i përdorur.
Mungesa e sirenave të zjarrit, sistemit të detektimit, një dalje emergjente në rast zjarri apo çfarëdolloj rasti tjetër rreziku , mund të konsiderohet gjithashtu problematike pasi vë në rrezik jetën e personave që mund të ndodhen në ambientet e brendshme të kopshtit.
Të pakënaqur me këtë situatë janë dhe shumica e prindërve, të cilët për shkak të kushteve ekonomike, si dhe afërsisë me vendin e banimit “detyrohen” të çojnë fëmijët çdo ditë drejt dyerve të sëmundjeve bronkopneumonare. Disa prej tyre nuk ngurrojnë të shprehin pakënaqësi për ambientin pritës, i cili ndodhet brenda klasave dhe nuk është i mjaftueshëm për vetë ata dhe fëmijët.
“Mjekun apo psikologun nuk i kam parë asnjëherë në ambientet e kopshtit, apo në kontakt me fëmijët edhe pse një dhomë e veçantë për psikologun e kam parë që ekziston. Sa për kontributet mund të them se kushtet tepër të vështira ekonomike nuk na lejojnë të tregohemi bujarë në këtë aspekt dhe të lehtësojmë sado pak punën e edukatoreve të cilat përpiqen të zhvillojnë orët e mësimit në mungesë të theksuar të mjeteve të nevojshme didaktike.” Kështu shprehet A. D një prej prindërve të kopshtit. Prindër të tjerë shtrojnë gjithashtu nevojën për një rikonstruktim të oborrit të kopshtit dhe vendosjen e një këndi të përshtatshëm lojërash ku fëmijët mund të argëtohen gjatë ditëve më të ngrohta.
“Shtimi apo përmirësimi i sistemit termoizolues do të ishte një fillim i mirë për rivendosjen e kushteve të nevojshme për jetesën e shëndetshme brenda ambienteve kopshtit, theksojnë edukatoret të cilat së bashku me fëmijët përballen çdo ditë me rrezikun e virozave.
Mjekët konfirmojnë se shpeshherë virozat e stimuluara nga frekuentimi i ambienteve me lagështi mund të kalojnë në sinozit, otit ose në komplikacione që prekin rrugët e poshtme të frymëmarrjes: bronshite, bronkopneumoni, sidomos te fëmijët që janë të prirur për t’u prekur nga infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.
Ndërsa sipas një studimi të raportuar nga U.S. Environmental Protection Agency (Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Mbrojtjen e Mjedisit) ekziston edhe një lidhje e ngushtë ndërmjet lagështisë, mykut dhe fëmijëve të prirur për astmë. Myku gjithashtu shkakton reaksione alergjike, dhe probleme të frymëmarrjes dhe për këtë arsye duhet të eliminohet, sidomos në ambiente të frekuentuara nga fëmijët.
Në fillim të vitit 2017, U.S. Environmental Protection Agency ka publikuar një dokument në lidhje me këtë çështje ku theksohet se myqet janë kërpudha që rriten si brenda, si në bodrume, kantina dhe garazhe ose në suvanë e ndërtesave. Ata preferojnë ambiente të nxehtë dhe të lagësht në veçanti. Këto ambiente favorizojnë riprodhimin e tyre që ndodh nëpërmjet sporeve të cilat, duhet theksuar se mbijetojnë edhe në kushtet më të vështira. Prandaj, për të hequr mykun, është e nevojshme të ndërhyhet në thellësi duke eliminuar faktorin që çon në përhapjen e tij: lagështinë./Shendeti.com.al/
*Ky botim u realizua me mbështetjen e LëvizAlbania. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e LëvizAlbania”
Une mendoj ky te mos egzistoje si kopesht pasi nuk eshte vend I pershtatshem pasi eshte ne ane te rruges
Tjeter arsye eshte se eshte I rrezikzhem per shendetin e femijve Pasi femijet do te semuren me myk nga lageshtira