Ju nuk keni nevojë që të konsultoheni me pediatrin çdo herë që fëmija kollitet, por në disa raste kollitjet tek fëmijët sinjalizojnë probleme serioze shëndetësore.
Për fëmijët deri në 3 muajsh: foshnjet deri në 3 muajsh janë më të prirur të ftohen dhe kollitjet janë një nga simptomat e para të tyre. Nëse kollitja vazhdon për më shumë se një javë, atëherë ka gjasa që fëmija të jetë i ftohur ose, në raste më të rënda, mund të ketë pneumoni a bronkiolit.
Kur kolla është e fortë dhe “e gjallë”: kollitjet e rastit nuk përbëjnë shqetësim, në disa raste kollitjet mund ta ndihmojnë fëmijën në heqjen e mukusit dhe substancave të tjera irrituese nga rrugët e frymëmarrjes. Por nëse kollitja zgjat për 2-3 javë dhe bëhet shumë e fortë, fëmija juaj mund të ketë probleme të tilla si: infeksione, probleme të sinuseve, astmë apo edhe probleme të tjera në rrugët e frymëmarrjes.
Vështirësitë në frymëmarrje: kollitjet e shumta dhe të shpeshta të fëmijëve shkaktojnë enjtje të rrugëve të frymëmarrjes dhe kufizojnë rrjedhjen e oksigjenit. Nëse kolla fillon të tingëllojë shumë e fortë, përkeqësohet gjatë natës, shfaq shenja lodhje dhe shkakton vështirësi në ngrënien e ushqimit, atëherë ka gjasa që fëmija juaj vuan nga problemet e frymëmarrjes.
Rastet pneumonike: disa shenja tipike të pneumonisë tek fëmijët janë kollitja e shpeshtë, hundë të bllokuara dhe vështirësi në frymëmarrje, dhimbje gjoksi, ethe, ngjyrë e kaltër e buzëve ose thonjve. Në këto raste duhet të konsultoheni menjëherë me pediatrin, sepse kjo sëmundje avancohet më shumë dhe shkakton probleme të tjera, si: dhimbje nyjesh dhe eshtrash, të vjella, enjtje etj.
Nëse kolla shoqërohet me temperaturë të lartë: tregojnë se sistemi imunitar është shumë i dobët dhe fëmija juaj ka nevojë për shumë lëngje. Kur temperatura e fëmijës tejkalon 39° C, kjo mund të sinjalizojë një sëmundje më serioze.
Përshtati në shqip për “Shëndet+”: Daniela Bardhi


