Kuvendi miraton ndryshimet në Kodin Penal, rrezikohet burg nëse thyhen urdhrat e karantinës me pasoja të rënda

Janë miratuar sot nga Kuvendi ndryshimet në Kodin Penal, që parashikojnë masa të forta ndëshkimore deri me burg, në rast se shkellen rregullat dhe urdhërat e karantinimit gjatë periudhave të pandemive.

Sipas ndryshimeve, të cilat u miratuan me vetëm një votë kundër:

Një qytetar për shkelje të masave rrezikon gjobë- burg 6 muaj kurse kur e ka bërë atë në një subjekt tregtar do të jetë deri në 2 vite burg.

-Moszbatimi i urdhërit të karantinimit nga mbartësi ose jo i sëmundjes infektive dënohet me 2-3 vite burg.

-Përhapja me dashje e sëmundjes infektive nëpërmjet veprimeve apo mosveprimeve dënohet me burg 2-5 vite.

-Nëse moszbatimi i urdhrit shkakton pasoja të rënda me dashje në jetën e njerëzve duke përhapur COVID-19 atëhere dënimi është nga 3-8 vite burg.

Pasi doli nga Kuvendi, kryeministri Rama tha se Shqipëria ishte vendi i vetëm në Evropë me një Kod Penal, që nuk parashikonte asgjë për një situatë epidemie. Ai tha se këto masa shtrojnë rrugën për një hapje graduale të ekonomisë.

“Sot kemi mbushur një boshllëk të Kodit Penal, që rezultonte i vetmi Kod Penal në Evropë pa asgjë të shënuar për një situatë epidemie. Për më tepër, në këtë fazë ku ne po përgatitemi që të hyjmë në procesin e hapjes graduale të aktivitetit ekonomik dhe të normalizimit sa është e mundur të jetës. Ishte e pamundur të konceptohej që paralelisht të mos kishim edhe këto masa që të garantojnë hapjen, sepse ajo që kemi vënë re, një shqetësim i ardhur dhe nga drejtuesit e policisë, kryetarët e bashkive, është një lloj relaksimi dhe lëshimi, që nuk mund të kthehet në fenomen, se është i rrezikshëm”.

NDRYSHIMET

Neni 242/1

Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë

Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore, në funksion të gjendjes së epidemisë apo të zbatimit të masave të jashtëzakonshme, nga personi ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 (gjashtë) muaj.

Po kjo vepër, kur është kryer në ushtrim të aktivitetit tregtar, duke vendosur në rrezik shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 (dy) vit.

Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinimin ose izolimin apo shkelja e rregullave të karantinës ose të izolimit, nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, të cilit i është njoftuar  ky detyrim nga autoritetet shtetërore përkatëse, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 3 (tre) vjet”,

“Neni 89/b

Përhapja e sëmundjeve infektive

Përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo mosveprimeve nga personi që është diagnostikuar si mbartës I sëmundjes apo nga personi që ka qëllim përhapjen e saj, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 5 (pesë) vjet.

Kur kjo vepër është kryer nga pakujdesia dënohet me gjobë ose burgim deri në 2 (dy) vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose është rrezikshme për jetën e njerëzve, dënohet me burgim nga 3 (tre) deri në 8 (tetë) vjet”.

Burimi: Monitor

Postime të ngjashme

Administrata e Trump bën gati planin, hiqet vaksina e Covid-19 për fëmijët dhe gratë shtatzëna
Vaksina anti-Covid ofron 80 % mbrojtje, Bino: Kush rrezikojnë më shumë nga virusi
Studimi i ri: Gargara me ujë të kripur mund të largojë Covid-in
Dy vaksina në një ditë/ Personeli shëndetësor vaksinohet për gripin dhe Covid-in
Variant/e Covid-19, grip stinor apo te dyja?
covid
“COVID-i i gjatë” mund të shkaktojë anomali në organet kryesore! Çfarë tregon studimi i ri, si ka ndikuar koronavirusi tek veshka, mushkëritë e truri
Turizmi shtoi virozat/ Në qendrën shëndetësore të Divjakës këtë vit u trefishuan pacientët
A po kthehet COVID-19? Mjeku: Qarkullim më të lartë në vjeshtë, të njëjtat simptoma