Shpëlarja e gojës me ujë të kripur kur jeni të infektuar me Covid mund të zvogëlojë mundësinë për përkeqësim të simptomave.
Në një studim të paraqitur javën e kaluar, studiuesit vëzhguan efektin e gargarës dhe shpëlarjes së hundëve me një solucion të kripur mbi simptomat dhe normat e shtrimit në spital te pacientët me Covid.
Ata zbuluan se normat e shtrimit në spital për njerëzit që bënin gargarë ose ujë të kripur të shpëlarë hundët ishin deri në 40 për qind më të ulëta.
Dr Jimmy Espinoza, autor i studimit dhe profesor i obstetrikës, gjinekologjisë dhe shërbimeve riprodhuese në Universitetin e Teksasit, tha se qëllimi ishte të shihej nëse gargara dhe shpëlarja e hundëve mund të përmirësonin simptomat e frymëmarrjes të lidhura me Covid.
Ai tha: “Ne zbuluam se të dy regjimet e kripës duket se lidhen me norma më të ulëta të shtrimit në spital krahasuar me kontrollet në infeksionet SARS-CoV-2“.
Midis 2020 dhe 2022, ekipi vlerësoi 9,398 të rritur midis 18 dhe 65 vjeç, të cilët kishin rezultuar pozitivë për Covid nëpërmjet një testi PCR. Prej tyre, 58 u zgjodhën për të ndjekur një regjim të kripur me dozë të ulët ose me dozë të lartë të përzier me ujë të ngrohtë.
Pjesëmarrësit bënë gargarë dhe shpëlarje të hundëve katër herë në ditë për 14 ditë.
– Shpëlarja e hundëve përfshin përdorimin e një solucioni të kripur në rrugët e frymëmarrjes për të pastruar mukozën dhe alergjenët. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit (NIH), kjo bëhet duke e përkulur kokën anash majtas mbi një lavaman ose vaskë dhe duke derdhur ose shtrydhur butësisht solucionin përmes vrimës së hundës.
Grupi i kontrollit që nuk ishte udhëzuar të bënte gargarë me ujë të kripur ose shpëlarje nazale, kishte një shkallë shtrimi në spital prej 58.8 për qind.
Studiuesit zbuluan se shkalla e shtrimit në spital për pjesëmarrësit në regjimin me dozë të ulët ra në 18.5 përqind dhe shkalla për grupin me dozë të lartë ishte 21.4 përqind.
Dr Zach Rubin, një alergolog dhe zëdhënës i Kolegjit Amerikan të Alergjisë, Astmës dhe Imunologjisë (ACAAI), tha për Medscape: “Ky është një lloj ndërhyrjeje me rrezik të ulët me disa përfitime të vogla të mundshme“.
Studiuesit nuk shpjeguan pse regjimet e kripës rezultuan në më pak shtrime në spital, por Dr Rubin tha se gargara dhe shpëlarja mund të ndihmojnë në pastrimin e virusit nga sinuset dhe të zvogëlojnë mundësinë e depërtimit të tij në mushkëri, gjë që mund të rezultojë në pneumoni, një shkak kryesor i shtrimi në spital.
Ai tha: “Mund të ndihmojë në reduktimin e simptomave të tilla si kongjestion i hundës, [rrjedhja e hundës], dhimbje dhe presion në sinus.”
Studimi përjashtoi pacientët me hipertension kronik, i njohur gjithashtu si presioni i lartë i gjakut, pasi ata mund të gëlltitnin aksidentalisht një pjesë të kripës dhe kripa e tepërt mund të ngushtojë dhe ngurtësojë enët e gjakut, duke rritur më tej presionin e gjakut.
– Të gjithë pacientët ishin gjithashtu pothuajse obezë, me BMI që varionin nga 29.6 në 31.7, gjë që rrit mundësinë e komplikimeve që do t’i çonin në spital. Grupet e kontrollit dhe të studimit kishin ‘norma të ngjashme vaksinimi’, thanë studiuesit.
– Gjetjet janë në përputhje me studime të tjera më të vogla që kanë testuar efektet e gargarës dhe shpëlarjes së hundës.
Një përmbledhje e qershorit në revistën Frontiers in Public Health, zbuloi se kjo praktikë mund të lehtësojë ftohjet e zakonshme, infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe Covid duke shpëlarë viruset.
Është e paqartë nëse gargara dhe shpëlarja e hundëve do të kishin të njëjtin efekt te pacientët kryesisht të vaksinuar ose ata me BMI më normale, thanë studiuesit.
Studimi u prezantua javën e kaluar në Takimin Vjetor të ACAAI në Anaheim, Kaliforni./ Daily Mail
Përktheu për Gazetën Shëndeti, Griselda Ozuni.