Përshtati për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Një studim i ri ka zbuluar çelësin për të rënë në peshë. Sipas shkencëtarëve, një ushqim i vetëm mund të jetë çelësi për të humbur kilet e tepërta. Bëhet fjalë për fasulet, të cilat nuk janë vetëm të shëndetshme, por ju ndihmojnë të mbani trupin në formë.
Nëse hani vetëm 130 gramë fasule apo perime të tjera bishtajore në ditë, pa ndryshuar asgjë tjetër tek dieta ushqimore, ju do të keni një trup perfekt. Perimet bishtajore, si fasulet, bizelet, thjerrëzat, ju mbajnë të dobët, pasi ju japin ndjesinë e ngopjes, kështu konsumoni më pak ushqime të tjera.
Shkencëtarët analizuan të dhënat e 940 meshkujve dhe femrave. Ata zbuluan se njerëzit që kishin konsumuar një vakt me bimë bishtajore në ditë kishin humbur rreth 0.34 kg për gjashtë javë.
“Edhe pse pesha që kanë rënë është e vogël, ky studim sugjeron që përfshirja e bimëve bishtajore në dietën ushqimore ju ndihmon të dobësoheni, si dhe më e rëndësishmja, ndihmon që ju mos të shtoni në peshë”, shpjegon autori kryesor i studimit, dr. Russell de Souza, nga Spitali Sant Michael në Toronto, Kanada.
Perimet bishtajore janë të mira edhe për zemrën, pasi ulin në mënyrë të ndjeshme nivelet e kolesterolit të keq. Konsumi i lartë i fasuleve mund të ulë rrezikun kardiak deri në 80%. Fasulet stabilizojnë edhe nivelin e sheqerit në gjak, në saj të fibrave, magnezit dhe kaliumit.
Burimi: Daily Mail / https://shendeti.com.al/


