Ligji nr. 10454, dt. 21.7.2011 “Për transplantimin e indeve, të qelizave dhe të organeve në Republikën e Shqipërisë”
Neni 3
Fusha e zbatimit
- Ky ligj zbatohet në të gjitha strukturat shëndetësore që ushtrojnë veprimtari në fushën e transplantimit të organeve, indeve dhe qelizave, sipas legjislacionit në fuqi.
- Ky ligj zbatohet për të gjitha transplantimet që kryhen:
a) brenda të njëjtit individ nga një pjesë e trupit te një tjetër;
b) midis individëve që kanë lidhje gjaku (gjyshi, gjyshja, prindi, fëmija, tezja, daja, xhaxhai, halla, nipi, mbesa), me përjashtim të qelizave riprodhuese;
c) midis individëve që nuk kanë lidhje gjaku (vjehrri, vjehrra, bashkëshorti, bashkëshortja), sipas kushteve të përcaktuara në këtë ligj;
ç) për indet dhe qelizat, përfshirë qelizat gjakformuese nga gjaku periferik, për kordonin umblilikal (gjaku) dhe qelizat nga palca e kockave, për qelizat riprodhuese (vezët, sperma), indet dhe qelizat fetale.
Neni 6
Ndalimet
- Ndalohet transplantimi i indeve, qelizave dhe organeve për përfitime financiare.
- Ndalohet transplantimi i trurit dhe gonadeve.
- Ndalohet manipulimi gjenetik i embrionit, qoftë dhe për qëllime transplantimi.
- Ndalohet dhurimi i organeve nga dhurues të mitur, të gjallë.
- Heqja e indit, qelizave apo organit nuk mund të kryhet ndaj një personi të paaftë për të dhënë pëlqimin, me përjashtim të përcaktimeve të nenit 20 të këtij ligji.
- Ndalohen promovimi dhe reklamimi me qëllim kërkese apo oferte të organeve.
Neni 12
Etika mjekësore gjatë procesit të transplantimit
- Komiteti i Etikës Mjekësore i jep institucionit shëndetësor miratimin ose refuzimin për sa i përket realizimit të heqjes së:
2. Komiteti i Etikës Mjekësore trajton, sipas detyrimeve të këtij ligji, çështje të transplantimit të indeve, qelizave dhe organeve.
a) një organi në dobi të përfituesit, i cili nuk ka lidhje gjaku (bashkëshorti, bashkëshortja, vjehrri, vjehrra) me dhuruesin;
b) indit rigjenerues nga i mituri ose personi i paaftë për të shprehur pëlqimin;
c) indet, qelizat në dobi të përfituesit, i cili nuk ka lidhje gjaku me dhuruesin.
3. Anëtarët e Komitetit të Etikës Mjekësore nuk duhet të jenë në konflikt interesi me pozicionin e tyre të punës. Ata nuk duhet të jenë pjesë e stafit mjekësor që merr pjesë në procesin e transplantimit.
4. Anëtarët e Komitetit të Etikës Mjekësore ruajnë konfidencialitetin e të gjitha të dhënave që kanë mësuar për sa i përket realizimit të veprimtarive të tyre. Përjashtim bëjnë rastet kur të dhënat bëhen të njohura me pëlqimin e dhuruesit, përfituesit ose një përfaqësuesi ligjor. Sigurimi i një pëlqimi apo refuzimi të tillë bëhet pjesë e të dhënave mjekësore të dhuruesit, të miturit, ose personit të paaftë për të shprehur pëlqimin e tij/saj.
Neni 14
Informimi i dhuruesve
- Mjeku, që vlerëson aftësinë shëndetësore të dhuruesit, e informon atë për qëllimin, natyrën dhe pasojat e dhurimit të transplantit dhe për rreziqet e mundshme që lidhen me to.
- Kur dhuruesi është i mitur ose një person i paaftë, të dhënat në fjalë i dërgohen përfaqësuesit të tij/saj ligjor. Informacioni që jepet duhet të jetë i qartë dhe i kuptueshëm. Dhuruesi dhe përfaqësuesi ligjor i të miturit apo i personit të paaftë gëzon të drejtën për të parashtruar pyetje për informacionin e marrë.
- Dhuruesi dhe përfaqësuesi ligjor i të miturit ose i personit të paaftë mund të kërkojë që një tjetër dëshmitar të jetë prezent kur janë duke marrë informacionin. Mjeku informon personat e lartpërmendur për këtë mundësi paraprakisht.
- Të gjitha të dhënat, që mjeku përdor për të informuar dhuruesin, përshkruhen prej tij në një fletë informative, e cila më pas bëhet pjesë e dokumentacionit që mbahet për dhuruesin.
Neni 15
Dhënia e pëlqimit nga dhuruesit
- Dhurimi i transplanteve mund të kryhet vetëm pasi dhuruesi të ketë dhënë pëlqimin e lirë. Pëlqimi jepet me shkrim dhe ruhet në të dhënat mjekësore të dhuruesit.
- Për rastet e heqjes së indit rigjenerues nga një i mitur ose person i paaftë për të dhënë pëlqimin lidhur me dhurimin, dhurimi mund të kryhet vetëm me autorizimin e përfaqësuesit të tij/saj ligjor. Opinioni i të miturit merret në konsideratë si një faktor gjithnjë e më përcaktues në raport me moshën e tij/saj dhe shkallën e pjekurisë.
- Dhuruesi ose përfaqësuesi ligjor i të miturit apo i personit të paaftë mund të tërheqin pëlqimin e tyre në çdo moment. Mjeku, që realizon heqjen, respekton një tërheqje të tillë, përveçse kur ekzistojnë procedura të pakthyeshme, ndërprerja e të cilave do të rrezikonte shëndetin dhe jetën e dhuruesit po të realizoheshin gjatë periudhës së heqjes.
Neni 19
Realizimi i heqjes së indeve, qelizave dhe organeve në dhurues të gjallë
- Heqja e indeve, qelizave dhe organeve nga një dhurues mund të realizohet vetëm, nëse:
a) kryhet vetëm për përfitime mjekësore të përfituesit;
b) nuk ekziston, në momentin e heqjes, asnjë metodë tjetër terapeutike me efektshmëri të krahasueshme;
c) dhuruesi ose përfaqësuesi i tij/saj ligjor kanë dhënë pëlqimin, sipas nenit 15 të këtij ligji;
ç) indet janë rigjeneruese ose organi i përket një prej çiftit të organeve që funksionojnë;
d) heqja e indeve, qelizave dhe organeve nga një dhurues mund të realizohet për përfitime mjekësore të përfituesit, i cili është një person që ka lidhje gjaku (gjyshi, gjyshja, prindi, fëmija, tezja, daja, xhaxhai, halla, nipi, mbesa) me dhuruesin, atëherë kur dhuruesi ka dhënë pëlqimin e tij/saj për përfituesin në fjalë;
dh) heqja e organeve nga një dhurues mund të realizohet për përfitime mjekësore të përfituesit, i cili është një person që nuk ka lidhje gjaku (vjehrri, vjehrra, bashkëshorti, bashkëshortja) me dhuruesin, vetëm me kusht që:
i) dhuruesi të deklarojë me shkrim në mënyrë të qartë dëshirën për t’i dhuruar përfituesit organin e tij/saj;
ii) dhurimi në fjalë të jetë miratuar nga Komiteti i Etikës Mjekësore;
e) heqja e indeve dhe qelizave nga një dhurues mund të realizohet për përfitime mjekësore të përfituesit, i cili është një person që nuk ka lidhje gjaku me dhuruesin, vetëm me kusht që:
i) dhuruesi të deklarojë me shkrim në mënyrë të qartë dëshirën për t’i dhuruar përfituesit indet, qelizat e tij/saj;
ii) dhurimi në fjalë të jetë miratuar nga Komiteti i Etikës Mjekësore.
2. Heqja e indeve, qelizave apo organeve nga një dhurues mund të kryhet vetëm pasi dhuruesi dhe përfituesi të kenë deklaruar gatishmërinë për të marrë pjesë në programin e kujdesit të rekomanduar nga mjekët në fazën pas heqjes.
Neni 20
Realizimi i heqjes së indeve rigjeneruese nga dhuruesi i mitur ose personi i paaftë
Për personat e mitur dhe personat e paaftë mund të realizohet vetëm heqja e indit rigjenerues kur plotësohen të gjitha kushtet e mëposhtme:
a) nuk ekziston një dhurues i mundshëm, i përshtatshëm, në gjendje të japë pëlqimin e tij të qartë dhe konkret;
b) përfituesi është prind, fëmijë, vëlla ose motër e dhuruesit;
c) dhurimi përfaqëson një mundësi për të shpëtuar jetën e përfituesit;
ç) përfaqësuesi ligjor i dhuruesit, të miturit apo një personi të paaftë, ka shprehur pëlqimin e tij/saj për dhurimin sipas nenit 15 të këtij ligji;
d) Komiteti i Etikës Mjekësore ka miratuar dhurimin në fjalë.
Neni 21
Heqja e indeve apo organeve nga një dhurues që nuk jeton
- Heqja e indit apo organeve nga trupi i një personi që nuk jeton mund të realizohet vetëm nëse personi në fjalë gjatë jetës së tij/saj ose përfaqësuesi ligjor itë miturit apo i personit të paaftë nuk kanë shprehur hapur mosmiratimin e tyre. Në këto raste, dhënia e pëlqimit për heqjen e indit apo organit merret nga të afërmit e tij/saj, sipas kësaj radhe: bashkëshortja, bashkëshorti, fëmija madhor, prindi, motra, vëllai.
- Heqja e organit apo indit nga një person që nuk jeton mund të realizohet vetëm në rastin kur vdekja provohet në përputhje me kriteret mjekësore, të përcaktuara në rregulloren e miratuar me urdhër të Ministrit të Shëndetësisë për certifikimin e vdekjes.
- Vërtetimi i vdekjes së një dhuruesi të mundshëm realizohet gjithmonë nga tre mjekë të kualifikuar, të cilët e ekzaminojnë dhuruesin në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.
- Mjekët, që certifikojnë vdekjen, nuk marrin pjesë në procesin e transplantimit.
Neni 22
Ndalimi i heqjes së indit dhe organit nga një dhurues që nuk jeton
- Heqja e indit dhe organit nga një dhurues që nuk jeton ndalohet kur:
a) personi, që nuk jeton gjatë jetës së tij/saj ose përfaqësuesi ligjor i personit në fjalë, i cili është një i mitur ose një person i paaftë, ka kundërshtuar shprehimisht heqjen pas vdekjes së indeve dhe organeve;
b) të afërmit e tij nuk japin pëlqimin për heqjen e indit apo organit të personit të vdekur;
c) në bazë të vlerësimit të aftësisë shëndetësore, nuk është e mundur të përjashtohet se personi, që nuk jeton, vuante nga një sëmundje apo gjendje, e cila mund të rrezikojë shëndetin dhe jetën e përfituesit;
ç) është e pamundur të identifikohet personi që nuk jeton.
- Procedurat e vlerësimit të aftësisë shëndetësore, si dhe ekzaminimet që i bëhen dhuruesit që ka ndërruar jetë, përcaktohen me rregullore, të miratuar me urdhër të Ministrit të Shëndetësisë.
- Heqja e indit apo organit nga një shtetas i huaj, që nuk jeton, mund të bëhet në bazë të marrëveshjeve përkatëse ndërkombëtare.
Neni 25
Mosrealizimi i heqjes së transplantit
Heqja e transplantit nga dhuruesi nuk realizohet nëse:
a) gjykohet se transplanti mund të rrezikojë seriozisht shëndetin ose jetën e dhuruesit;
b) dhuruesi është një person, i cili është në paraburgim ose po vuan dënimin me heqje lirie. Përjashtim bëjnë rastet e dhurimit ndërmjet prindërve dhe fëmijëve të tyre, ndërmjet vëllezërve dhe motrave ose ndërmjet bashkëshortëve;
c) gjatë vlerësimit të gjendjes shëndetësore të dhuruesit, shfaqet dyshimi se dhuruesi vuan nga një sëmundje apo gjendje, e cila mund të rrezikojë shëndetin apo jetën e përfituesit. Kjo nuk aplikohet për rastet kur rreziku ndaj shëndetit të përfituesit është i vogël krahasuar me transplantin që i shpëton atij/asaj jetën.