Obeziteti është një problem mbarëbotëror, por tepër kompleks. Mungesa e aktivitetit fizik cilësohet si rrënja e këtij problemi që tashmë është i trashëguar edhe tek të rinjtë. Doktor Lluka Heqimi, pjesë e stafit “Te Stela Resort” tregon për një model që do të krijohet për një rënie të shëndetshme nga pesha.
Lidhur me nismën “Të dobësohesh shëndetshëm”, ku marrin pjesë tre persona mbipeshë që do të trajtohen falas nga stafi i “Te Stela Resort”, mjeku flet për rrugën që do të ndiqet për të arritur rezultatet pozitive. Analizat paraprake të këtyre personave (të realizuara nga Spitali Europian) konsiderohen të rëndësishme, pasi trajtimi do të jetë në total dhe i plotë.
Doktor, si e vlerësoni shërbimin që po u ofrohet nga “Te Stela Resort” tre personave obezë?
Pasi u informova se çfarë planesh kishin partnerët e “Te Stela Resort” që po e organizojnë këtë nismë, mendova që është një gjë shumë e drejtë dhe e rregullt për t’u bërë. Shumica e njerëzve e shikojnë rënien në peshë si një formë për të veshur një fustan të bukur apo dhe thjesht për t’u dukur bukur. Por, rënia në peshë është e rëndësishme që të shikohet me seriozitet. Duke humbur lëngjet, trupi futet në një rrezikshmëri shumë të madhe shëndetësore. Kështu që vërtet bie në peshë, por ke shkatërruar në brendësi organizmin.
Çfarë parashikohet të ndodhë me ta? Si është menduar të funksionojë e gjitha?
Në radhë të parë do t’i vizitojmë. Do të plotësojmë një kartelë ku është anamneza e tyre. Unë do t’u kërkoj historinë e sëmundjeve të tyre, ankesat që kanë, veç obezitetit, pra janë rreth 10 pyetje.
Pacientët vuajnë dhe nga sëmundje të tjera. Kjo nënkupton që për secilin prej tyre do të ketë trajtim të veçantë?
Jo, ne do të hymë në një studim. Bashkë me “Te Stela Resort” kemi vendosur të bëjmë ushtrime standarde, do t’i ushqejmë në mënyrë standarde dhe do të shikojnë si është situata pas përfundimit. Kjo do të ketë rëndësi. Si ndikuam ne me këtë lloj ushqimi, me këtë lloj regjimi, me këtë lloj ngarkese fizike. Ku arritëm? Megjithatë, dikush që mund të jetë i sëmurë dhe nuk e përballon dot ngarkesën e rëndë fizike, sigurisht që do ta ulë ngarkesën. Por ne do të mundohemi të japim gjëra standarde.
Çfarë parashikoni si vështirësi?
Është shumë e rëndësishme përgatitja psikologjike e pacientit. Nepsi ka lidhje me psikologjinë. Me kalimin e kohës, me rritjen e moshës njeriu ka shumë neps. Kjo sepse të vjetrit janë si makinat e vjetra që kanë nevojë për shumë naftë. Ky neps është fiziologjik. Nuk mundet të mbajë dieta një i moshuar se vdes.
Çfarë pritet të arrihet në fund të këtij trajtimi?
Ky është një studim. Nëse nuk arrijmë këtë që dëshirojmë, gjithsesi kemi arritur diçka: kemi krijuar muskulaturë. Sepse personi po bën stërvitje fizike që nuk e ka bërë. Sigurisht, edhe personat që marrin pjesë duhet të jenë të përgjegjshëm. Ne nuk mund t’u rrimë mbrapa që të shikojmë nëse ata do të abuzojnë në shtëpi. Do të muskulohen, do t’u përgatitet një ushqim tek “Te Stela Resort” posaçërisht për ta. Nga ky studim ne do të nxjerrim modelin. Nëse do të nxjerrim model, kemi të drejtë ta imitojmë.
“Të dobësohesh shëndetshëm” është një program i realizuar nga “Te Stela Resort” në bashkëpunim me gazetën “Shëndet+”. Në këtë program paraprakisht marrin pjesë tre persona, që përfitojnë trajtimin falas. Ato do të trajtohen nga mjeku Llukan Heqimi dhe trajneri Sadik Mema. Për palestrën do të shfrytëzohet “Te Stela Sport Center“, ndërsa ushqimi do të përgatitet nga kuzhinierët e “Te Stela Resort”.
“Spitali Europian“, që siguroi kryerjen e analizave të nevojshme para dobësimit, është pjesë e GVM Care&Research, grup italian që ka pjesë të tij më shumë se 30 spitale dhe poliambulatorë në Itali dhe Europë, qendra ekselence për specialitetet që mbulon. Një rrjet strukturash të avancuara, të shtrira në të gjithë territorin, që bëjnë diferencën në standardet e cilësisë dhe të teknologjive parandaluese më të fundit.



