Kryefaqja Aktualitet “Lumenjtë” e mbetjeve të naftës vazhdojnë të rrjedhin

“Lumenjtë” e mbetjeve të naftës vazhdojnë të rrjedhin

0
Shpërndaje

Edmond Hoxha

Aktiviteti i nxjerrjes dhe përpunimit të naftës shkakton ndotje të pariparueshme në përrenjtë, tokat bujqësore dhe ajër në territorin e Bashkisë Patos, pushteti qëndror dhe ai vendor të pafuqishëm të reagojnë

“Nuk marim dot frymë o vëlla në mëngjes! Ja të helmon era, të helmon era. Kjo është puseta që shkarkon e vete në përrua. Thanë që do ta rregullojmë, por hidhet kjo brenda më? Shiko… ! Ja ku e ke pusetën.” Kështu shprehet një prej banorëve të fshatit Zharrëz të Bashkisë Patos, shtëpia e të cilit gjendet rreth 50 metra larg stacionit të dekantimit të mbetjeve hidrokarbure, që administrohet nga shoqëria e vetme shtetërore naftënxjerrëse Albpetrol sh.a. . Përreth gjenden dhjetëra shtëpi të tjera, toka bujqësore dhe pemtari. Nëpër territorin e banuar kalon tubacioni që çon mbetjet e hidrokarbureve drejt e në përroin e fshatit “Zharrëz”, ujërat e ndotura të të cilit përfundojnë në kolektorin e quajtur “Vija e Ngjalës”, në lumin Seman e më pas në detin Adriatik.      
Edhe pse preferon të qëndrojë anonim, banori i lagjes ku ndodhet stacioni i dekantimit në Zharrëz, thekson se kjo ndotje u ka sjellë pasoja të rënda në shëndet dhe se askush nuk përgjigjet për këtë që po ndodh. “Sjell pasoja në frymëmarrje sa të duash. Ka njerëz që janë me karbon në gjak. I ke nëpër spitale që venë bëjnë atë… që bëjnë analizat. Kemi bërë ankesa sa herë, asnjeri nuk na ka kthyer përgjigje. Kjo është ndotja më e tmerrshme. Me derdhjet e serës, me derdhjet e atyre që mblidhen që andej, se ku i shkarkojnë këtu ata. Po  pompojnë prapë sot ata”, shprehet ai duke pohuar më tej se nuk ka apel për institucionet shtetërore, pasi nuk ka shpresa që të marin masa. “Shteti nuk di ku është për vete, jo të shikojë për neve më. Ne jemi në mëshirë të zotit. Fëmijtë s’kemi ku t’i nxjerrim”, përfundon ai.
Një tjetër banor shton se ndotja është aq e madhe saqë askush veç atyre që janë mësuar me këtë situatë nuk mund ta përballojnë. “Ndotja është aq e madhe sa nuk e imagjinoni dot. Tani, me mua që punoj tek tokat, të marësh një politikan ose një kryetar bashkie të vijë atje me mua. Ma mer mendja se nuk do të rri atje pesë minuta e jo më të rrijë tërë ditën të punojë me mua në ugar. Më kupton? Aq ndotje e madhe është. Tani është problem për shëndetin”, pohon ai.
“Lumenjtë” e naftës
Nëse udhëton në territorin e Bashkisë Patos është e vështirë të gjesh fshatra ku nuk është zhvilluar industria e nxjerrjes së naftës. Aroma e rëndë është ajo që konstaton fillimisht çdo udhëtar që mbërrin në fshatrat Zharrëz, Kuqar e Visokë. Stacionet e depozitimit dhe pompimit të naftës që gjenden në fshatin Kuqar vazhdojnë të krijojnë ndotje masive më mjedisin përreth, në përrenj, toka bujqësore e ullishta. Mbetjet e naftës gjarpërojnë nëpër përrenjtë e këtij fshati për të përfunduar në përroin e Zharrëzës që kalon mes për mes zonës së banuar. Aty shtohen edhe mbetjet e përhershme të hidrokabureve që shkarkohen nga stacioni i dekantimit në Zharrëz. Në mjaft puse, ka mbetje të dukshme të naftës që ndotin tokat bujqësore përreth. Madje, në fshatin Zharrëz dhe në Visokë, aktiviteti i nxjerrjes dhe dekantimit të hidrokarbureve është zhvilluar mes zonave të banuara, duke i bërë thuajse të pajetueshme këto zona.
Ndotjet e naftës
Sipas raportit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit të vitit 2015 “Ndotjet që vijnë nga hidrokarburet”, në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, industria e naftës nuk është menaxhuar sipas standardeve mjedisore, duke e renditur zonën përkrah rrjetit të vatrave të nxehta mjedisore (hot spote) që kanë nevojë për ndërhyrje dhe rehabilitim. “Në këtë zonë është e pranishme ndotja e tokës, ku ekzistojnë rreth 1480 pellgje llumrash nafte, në një sipërfaqe prej rreth 95 ha dhe duke përbërë edhe një ekspozim të hapur të banorëve ndaj kësaj ndotje. Përsa i takon ndotjes së ujërave sipërfaqësore vlerësohet se rreth 117 km trupa ujore janë të ndotura nga substancat/polimeret e naftës, ku përfshihen ujërat e lumit Gjanicë, Seman dhe përrenjeve të zonës. Kjo gjëndje e ujërave përbën rrezik direkt për zinxhirin ushqimor bujqësor, si pasojë e përdorimit të ujit për ujitjen e tokave”, theksohet në raport.
Lidhur me këtë argument, i pyetur gjatë një takimi të zhvilluar me gazetarët në 20 Prill të këtij vitit në qytetin e Fierit, Kryeministri Edi Rama u shpreh se është ende e pamundur të ndërhyhet. “E për sa i përket asaj tjetrës që thatë, është e vërtetë, por nga ana tjetër besoj që të gjithë janë të vetëdijshëm që të gjitha këto operacione kushtojnë, kanë kosto kështu që ne e kemi në vëmendje, por ende nuk mund të them që kemi nesër një operacion të gatshëm financiar për të trajtuar çështjen e fundit që ju shtruat”, theksoi Rama lidhur me pyetjen se a kishte qeveria një strategji për të reabilituar këtë zonë të ndotur ku ndodhen mijëra pellgje nafte.
 
Në përgjigjen që Bashkia Patos i kthyer gazetës “Shëndeti +” pas një kërkese për të drejtën e informimit lidhur me situatën mjedisore, theksohet fakti se nëntoka e territorit të kësaj njësie administrative është e bekuar me pasuri të mëdha, por që fatkeqësisht janë kthyer në një mallkim për banorët e zonave.
“Në territorin e Bashkisë Patos kemi një gjeomonument me vlera ndërkombëtare dhe ai është vendburimi i naftës. Patos Marinza konsiderohet si fusha më e madhe naftëmbajtëse në Europën Kontinentale, me rezerva të provuara prej 2 miliardë fuçi nafte të rëndë”, citohet në krye të përgjigjes së Bashkisë Patos. Por, më poshtë pranohet fakti se ndotja e shkaktuar nga aktiviteti i nxjerrjes së naftës është mjaft e rëndë. “Zona naftëmbajtëse në Zharrëz është e ndotur rëndë me hidrokarbure, në Zharrëz ndotja e ajrit, ujit e tokës nga industria e naftës është e theksuar për shkak të llojit të veprimtarisë dhe teknologjisë së vjetër të përdorur nga industritë e sektorit”, thuhet në përgjen e Bashkisë Patos.
Po sipas Bashkisë Patos, Zona e Patos Marinzës, është një nga zonat më të ndotura në Shqipëri, një nga 31 zona të nxehta mjedisore ose “hostpote” të identifikuara. Në këtë fushë naftëmbajtëse gjenden pellgje me mbetje hidrokarburesh, tokë bujqësore e ndotur dhe përrenj të ndotur, por kjo ndotje është e akumuluar në vite.
Ashtu si edhe në Raportin e AKM, Bashkia Patos sqaron se “përsa i takon ndotjes së ujërave sipërfaqësore, raporti vlerëson se ka një sasi të konsiderueshme trupa ujorë që janë të ndotura nga substancat/polimeret e naftës, ku përfshihen ujërat e lumit Gjanicë, Seman dhe përrenjve të zonës. Kjo gjendje e ujërave përbënë rrezik direkt për zinxhirin ushqimor bujqësor, si pasojë e përdorimit të ujit për ujitjen e tokave”.
“Problematika e ndotjes nga nafta më këtë zonë ka nisur herët ndërkohë që vazhdon të trashëgohet edhe tani duke bashkëjetuar dhe rrezikuar shëndetin e brezave të këtij komuniteti”, citon Bashkia e Patosit.
Ndërkohë, Albpetrol sh.a. nuk ju përgjigj kërkesës për informim që gazeta “Shëndeti +” i drejtoi lidhur me situatën mjedisore në zonat ku kjo shoqëri ushtron aktivitetin e saj dhe për masat e mara për parandalimin e ndotjes së mëtejshme.   
cilësia e ajrit matet nga kompanitë
Bashkia Patos informon se, në lidhje me ndotjen e konstatuar nga hidrokaburet në Patos-Marinzë, kompania Albpetrol, ka vendosur në dispozicion disa raporte të monitorimit mjedisor të përpiluar gjatë vitit 2016. Këto raporte të Institutit të Studimeve Ambientale vlerësojnë se cilësia e ajrit në mjediset pranë aktiviteteve të nxjerrjes dhe transportit të naftës ka qenë brenda normave për industrinë. Por, nuk jepen detaje nëse cilësia e ajrit në zonat e banuara ku zhvillohen aktivitete të nxjerrjes e transportit të naftës, është ose jo brenda normave të lejuara. Mjaft banesa në fshatin e Zharrëzës dhe të Visokës gjenden vetëm pak metra larg stacioneve të dekantimit apo puseve të naftës të cilat janë aktive dhe vazhdojnë të rrisin ndotjet e mëparshme historike. 
“Gjatë monitorimit të mjedisit, qendrat e prodhimit të naftës janë burim ndotje të ajrit me anë të gazrave që çlirohen nën veprimin e temperaturës, apo të ujërave të përrenjve e lumenjve si dhe tokave të fermerëve që gjenden pranë këtyre puseve apo gropave, që sidomos gjatë shirave fryhen dhe shkaktojnë ndotjen e tyre”, sqaron Bashkia Patos.
Sipas saj, zona naftëmbjatëse e Patosit shfrytëzohet nga Kompania shtetërore Albpetrol sh.a. dhe kompani private si Bankers Petroleum Ltd, Transoil Group etj.
Ashtu si edhe në rastin e Albpetrolit, Bashkia Patos bënë me dije se sipas kompanisë “Bankers”, cilësia e ajrit, tokës dhe ujit në zonat ku ata operojnë është brenda parametrave të lejuar.
Por, nuk bëhet me dije nëse ka ose jo një monitorim apo të dhëna lidhur me cilësinë e ajrit dhe ndotjen në zonat e banuara, pranë apo mes të cilave gjenden edhe zonat industriale të nxjerrjes dhe depozitimit të hidrokarbureve.
Shumë plane, por asgjë
Bashkia Patos bënë me dije se rreth 80% e kanaleve kulluese dhe vaditëse është pastruar dhe se për pjesës që ka ngelur, është duke u  përpiluar një program në bashkëpunim me kompaninë Albpetrol për pastrimin dhe rehabilitimin e kanaleve kulluese vaditëse.
Ndërsa lidhur me pikat e konstatuara ku ka derdhje të hidrokarbureve në kanal, Bashkia Patos bënë me dije se kanë kërkuar bashkëpunimin me Albpetrol për t’i eleminuar dhe sqaron se nga inspektimet e ditëve të fundit nuk vazhdojnë derdhjet në këto pika.
Por, sipas kryetarit të shoqatës “Zharrëza”, Qani Rredhi, deri tani nuk ka pasur pastrime të kanaleve të ndotura dhe se derdhjet vazhdojnë ende. Sipas tij, rreth një javë më parë janë përballur me shkarkimin e mbetjeve të hidrokarbureve në sasi të mëdha në përroin e Zharrëzës, fakt të cilin ai thekson se e ka denocnuar publikisht. Ky fakt pranohet edhe nga Dega Rajonale Fier, e Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, ku sipas burimeve pranë këtij institucioni është duke u verifikuar ankesa e kryer nga shoqata “Zharrëza” lidhur me shkarkimet e mbetjeve të naftës rreth një javë më parë.
Në përgjgijen e saj, Bashkia Patos sqaron se “në këtë kontekst rekomandohet që bashkia të hartojë plane për kontrollin e zbatueshmërisë së lejeve të mjedisit, të hartojë një plan veprimi për Praktikat e Mira Bujqësore dhe për masat për mbrojtjen e peisazhit për të cilat sipas bashkisë kërkohen studime të hollësishme”. Gjithashtu, bashkia sqaron se është parashikuar marrja e një sërë masave që parashikojnë uljen e ndotjes nga mjetet e transportit.
“Duke patur parasysh që në territorin e Bashkisë Patos vepron industria e naftës e cila shkarkon në ajër një numër të lartë ndotësisht, lind nevoja që bashkia të ndërmarrë disa masa konkrete si: hartime planesh për uljen e ndotjes, krijimin e stacioneve të përhershme të monitorimit, menaxhimin e mbetjeve sipas parimeve të mbrotjes së mjedisit, etj”, citohet në përgjigjen e Bashkisë Patos, ku shkruhet gjithashtu se është parashikuar edhe ndërtimi i një stacioni transferimi për mbetjet industriale, kryesisht mbetjet e krijuara nga industria e naftës deri në një moment të dytë kur institucionet përgjegjëse të japin një zgjidhje përfundimtare. 
Por, pavarësisht gjithë këtyre parashikimeve të Bashkisë Patos, nuk rezulton që të ketë masa konkrete të mara deri tanimë për përmirësimin e situatës nga pushteti vendor apo institucionet përgjegjëse në nivel qendror dhe gjithçka duket se vazhdon të mbetet në letër, vetëm në kuadrin e planeve për të ardhmen.
Pasojat në shëndet
Ndotja e krijuar prej dekadash si pasojë e aktivitetit të kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve ka shkaktuar sëmundje kronike të llojeve të ndryshme në zonën e Zharëzës të Bashkisë së Patosit dhe në fshatrat e tjerë që gjenden në territorin e fushës naftëmbajtëse të Patos-Marinzës. Ajri i ndotur nga çlirimet e gazrave toksikë, ujërat sipërfaqësorë e ata nëntokësorë të ndotur nga nafta bruto, kanë shkaktuar dhe vazhdojnë të krijojnë dëme serioze në shëndetin e mijëra banorëve të fshatit të Zharëzës, Visokës, Ballshit, Sheqishtes, Belinës dhe Marinzës. Sipas të dhënave të siguruara nga gazeta “Shëndet +”, sëmundje si astma bronkiale apo sëmundja pulmonare obstruktive kronike, alergjitë, fibroza pulmonare dhe kanceri i mushkërive kanë shënuar rritje gjatë viteve të fundit.
 
 
Kryetari i shoqatës “Zharrëza”, ka ndotje të përmasave
të mëdha nga nafta, ndonjëherë edhe të qëllimshme
 
Kryetari i shoqatës “Zharrëza” e cila është e fokusuar në aspektin mjedisor, Qani Rredhi, shprehet për gazetën “Shëndeti +” se situata ambjentale në territorin e Bashkisë së Patosit është alarmante për shkak të ndotjeve që shkaktohen nga aktiviteti i nxjerrjes dhe përpunimit të hidrokarbureve. Sipas tij, ka pasur raste kur ndotjet kanë qenë edhe të qëllmishme. Ndërkohë, kryetari i shoqatës “Zharrëza” ndalet edhe në faktin se institucionet shtetërore përgjegjëse nuk kanë vepruar deri tani për të parandaluar ndotjen e mëtejshme dhe për përmirësimin e situatës.  
Si paraqitet situata mjedisore lidhur me ndotjen e e shkaktuar nga hidrokarburet në territorin e Bashkisë Patos?
Jo vetëm në territorin e Bashkisë Patos, por edhe më gjerë… . Por në territorin e Bashkisë Patos, mbetet vertetë për tu shqetësuar sektori nr.6 i prodhim Patos, ku mbetjet derdhen… , derdhen të qëllimshme mund të them… , në grupin 13, që përfundojnë në përrua. I kemi parë nga afër, madje disponojmë edhe video dhe foto.  Është me gjithëmend për t’u shqetësuar. Jemi përballur me tre raste të rënda, shkarkime të qëllimshme, ndotje me dashje në përmasa të mëdha në naftësjellësin e Zharrëzës. Sidomos kur bjenë shira… , naftë e cila ka lënë gjurmë deri në det. Kur ka ndodhur që ka rënë shi pasdite i kemi pritur atje kur kanë mbërritur dhe është vërtetë për tu shqetësuar.
Kush i ka kryer këto shkarkime dhe pse mendoni se janë të qëllimshme?
Në takimin e fundit që kemi bërë në kompaninë Albpetrol, në prani të administratorit dhe dy drejtorëve, atij të mjedisit, Shkëlqim Grëmi dhe atij të prodhimit, Kozma Sako, pas gjysmë ore debati, Kozma Sakoja, drejtori i prodhimeve, pranoi që kishte dhënë urdhër. Kishte dhënë urdhër për shkarkimin se nuk e përballonin dot. Është fakt i kryer që e ka pranuar edhe vetë drejtori. Kemi shkuar edhe në drejtorinë e mjedisit të rajonit, në inspektoriat kemi shkuar. Kanë arritur inspektorët që janë atje, sa janë shprehur se, s’kemi ç’ti bëjmë Albpetrolit. Kjo është me gjithë mend për tu shqetësuar. Ne si shoqatë kemi menduar të bëjmë kallëzim në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, të vëmë në lëvizje edhe organizmat ndërkombëtarë. Për ndotjet evropianët kanë edhe një projekt të posaçëm në vendin tonë. Është me gjithë mend për t’u shqetësuar. Ne jemi të detyruar të trokasim diku më lart, se këtu nuk gjejmë zgjidhje, as në pushtetin qëndror dhe as tek lokali.
Nga ankesat që keni kryer deri tani pranë pushtetit vendor, pranë Bashkisë Patos, çfarë përgjigje keni marë?
Hiç, ne me ata kemi kontaktuar(përfaqësues të pushtetit vendor) direkt, do flasim kanë thënë. Kishte pasur një interesim nga ana e tyre, se e mora vesh, na tha vetë drejtori(i Albpetrolit) që “në mori kryetarja”, por konkretisht nuk shikojmë një…, kështu na përcjellin.
Cilat janë pasojat që ka sjellë kjo ndotje, në shëndetin e njerëzve, në mjedis, në tokat bujqësore?
Ndikimi direkt, kur ka derdhje tek ura e Zharrëzës, atje është një erë tepër mbytëse, sa kanë dalë njerëzit të alarmuar. Më kanë marrë disa në telefon, kanë mbyllur dyer e dritare se nuk mund të rrihej jashtë. Kjo, një ndikimin direkt e ka në det, se të gjitha ujërat, ashtu siç të thashë edhe më parë, atje shkojnë, ujërat e ndotur. Është ndotje e përmasave të mëdha.
A ka ndotje në tokat bujqësore?
Ka në disa zona, ka. Në njësinë Zharrëz dhe në Marinzë. Në fshatin Kuqar, nëpër ullishta kemi konstatuar, madje edhe në fshatin Visokë. Kemi konstatuar derdhje të naftës në ullishta dhe toka bujqësore.
Çfarë pasojash ka sjellë kjo ndotje në shëndetin e njerëzve?
Neve kemi marë edhe të dhënat nga instituti i shëndetit publik, disa janë të fundit, të vitit 2016, nuk janë në parametrat e duhura. E pranon këtë situatë edhe Instituti i Shëndetit Publik.
Prej sa kohësh është kjo situatë?
Kjo situatë ka pothuajse pas viteve ’94-’95, e njëjta situatë, që është përkeqësuar.
Nuk ka pasur asnjë ndryshim pozitiv?
Jo, jo, sa vjen dhe përkeqësohet. Ne i jemi drejtuar edhe kompanisë Albpetrol me një projekt për pastrimin e kanaleve kullues të Zharrëzës që kanë ngelur pa u pastruar, pasi janë të ndotura… , të tejndotura me naftë.
Bashkia pretendon se ka pastruar 80% të kanaleve. Sipas jush qëndron ky pretendim?
Kanalet e ndotura, Bashkia e Patosit nuk ka pastruar as një përqind. Edhe projektin që kemi nisur, kemi nisur një projekt të detajuar, të matur në terren vetë, sa kanale janë të ndotura në njësinë tonë, deri në Jagodinë, duke përfshirë edhe njësinë bashkiake Roskovec, kemi evidentuar shumë kanale… , pa lëre ambjente të tjera, nuk bëhet fjalë.
Ka edhe përrenj të tjerë natyrorë që janë të ndotur në zonën e Kuqarit?
Në Kuqar derdhen në dy përrenj të mëdhenj, ndotje tjetër është edhe kjo e Picarit. Edhe ajo është shumë shqetësuese se ka ca mbetje teknologjike me erë shumë të rëndë. I di populli i Verbasit, i dinë, problem është edhe ajo. 
 
 
 
ISHMP gjoba ndotësve që operojnë në sektorin
e nxjerrjes së hidrokabureve në Qarkun e Fierit
 
Burime nga Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve, Dega Rajonale Fier bëjnë me dije se ka raste të shkeljeve të rregullave nga ana e kompanive që operojnë në sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të hidrokarbureve në territorin e Qarkut të Fierit. po sipas këtyre burimeve, ka pasur raste edhe të penalizimit të këtyre subjekteve, të cilat kanë shkatkuar ndotje në mjedis.
“Gjatë vitit 2017 janë ushtruar kontrolle dhe janë marrë masa administrative. Kështu, më datë 1 Qershor 2017 është marë masë administrative ndaj Albpetrol-it duke ju vendosur një gjobë prej dy milionë lekësh të reja për shkarkime të impjanteve në Visokë si pasojë e problemeve në tubacionet që lidhin gropën e vjetër të dekantimit me atë të renë”. Sipas burimeve të Degës Rajonale Fier ISHM, ky defekt është riparuar. Ato shtojnë se më datë 2 nëntor 2017, është paralajëmruar sërish me vendosje gjobe Albpetrol-i për disa shkelje lidhur me shkaktimin e ndotjeve në zona të ndryshme.
Ndërkohë, burimet sqarojnë se është duke u verirfikuar informacioni i përcjellë nga shoqata “Zharrëza” lidhur me shkarkimet në përrua të mbetjeve të hidrokabureve gjatë një stuhie shiu nga stacioni i dekantimit që ndodhet në këtë fshat. Burimet shprehen se po meren masa nga Albpetrol për vendosjen e një pompe të dytë që do të mundësonte transportimin e mbetjeve në impjantin e trajtimit në Visokë.
“Gjatë gjithë kohës jemi në proces të vazhdueshëm verifikimesh, inspektimesh, monitorimesh për gjithë kompanitë që veprojnë në fushën e nxjerrjes dhe përpunimit të hidrokarbureve në territorin e qarkut të Fierit. Sipas Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, Dega Rajonale Fier situata ka ndryshuar pozitivisht gjatë vitit të fundit, pasi subjektet janë imponuar të marin masa. 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here