Manastirliu çel fushatën e luftës kundër kancerit të gjirit: Mamografi falas në çdo spital rajonal, diagnostikimi i hershëm të shpëton jetën

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka çelur fushatën kundër kancerit të gjirit, në muajin dedikuar luftës ndaj kësaj sëmundje. Nëpërmjet një mesazhi drejtuar grave dhe vajzave, Manastirliu bën apel të mos neglizhojnë shëndetin e tyre dhe të kryejnë në kohë ekzaminimet ndaj kancerit të gjirit.

“Ne gratë duke u kujdesur për familje, duke përmbushur detyrimet në punë, edhe me angazhimet e tjera familjare e shoqërore shpesh herë harrojmë një gjë shumë të rëndësishme; kujdesin për shëndetin tonë. Është detyra jonë të kujdesemi për fëmijët, për familjen, për prindërit dhe të afërmit. Ashtu sikurse është përgjegjësia jonë që në rdhë të parë të mos neglizhojmë kujdesin për veten. Pandemia ka pasur efektet e saj në jetët tona. Për fat të keq duke krijuar vonesa në kontrollet rutinë për shëndetin, sidomos tek gratë. Ndaj në këtë tetor rozë do t’i lutesha çdo gruaje të marrë vetëm 30 minuta nga koha e saj, të bëjë vetëkontrollin e gjirit dhe të kryejë mamografinë”, thekson Manastirliu në mesazhin e saj.

Duke bërë apel për diagnostikimin në kohë, Ministrja e Shëndetësisë tha se mamografia tashmë është siguruar në çdo spital rajonal.

“Programi ynë i diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit ka siguruar mamografitë në çdo spital rajonal nga veriu në jug dhe ky shërbim është falas. Vetëm duke patur shëndet të mirë, duke u kujdesur për veten ne gratë mund të shpalosim potencialin tonë të plotë, në përmbushje të misionit tonë për mirërritjen e fëmijëve, për kujdesin ndaj familjes dhe për zhvillimin e shoqërisë. Unë besoj te forca e shembullit”, tha Manastirliu.

Postime të ngjashme

Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?
QSUT prej muajsh pa aparaturën e Litotripsisë, pacientët me gurë në veshka pa shërbim