Kryefaqja Aktualitet Manastirliu: Mjekët e familjes po kujdesen për mbi 1 mijë të prekur...

Manastirliu: Mjekët e familjes po kujdesen për mbi 1 mijë të prekur me Covid19

0
Shpërndaje

Gazetare: Klevisa GJIKA

Ministrja Ogerta Manastirliu deklaron se mjekët e familjes po ndjekin gjendjen shëndetësore të mbi 1 000 të prekurve të karantinuar nga COVID-19.

Lajmi u bë i ditur gjatë një inspektimi ditën e sotme në qendrën shëndetësore nr. 10 në Tiranë.

“Është një punë e madhe që po bëhet nga mjekët e familjes. Janë më shumë se 1600 mjekë të angazhuar në gjithë territorin e Shqipërisë. Në Tiranë, ku është dhe numri më i madh i të prekurve aktivë, mjekët e familjes po luajnë një rol kyç, për ndjekjen e ecurisë në rastet e pacientëve të prekur nga Covid19, të cilët janë duke u trajtuar në banesë. Më shumë se 1 mijë pacientë, janë duke u trajtuar dhe duke u ndjekur nga mjeku i familjes”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se ndjekja e pacientëve po kryhet sipas protokolleve të përcaktuara.

“Në të gjithë Shqipërinë janë mbi 2500 raste aktive. Rreth gjysma e tyre janë me simptoma, pra janë duke u ndjekur nga strukturat tona të kujdesit parësor, sipas protokolleve të përcaktuara për qytetarët që ndiqen në mënyrë ambulatore dhe për ata që kanë nevojë të hospitalizohen atëherë lidhen direkt me 127 për të garantuar ndjekje të mëtejshme në kushte spitalore”, shtoi Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë theksoi se mjeku i familjes e ka në kohe reale informacionin për çdo qytetar të zonës së tij të mbulimit, që është i prekur nga COVID-19: “Çfarë është e rëndësishme është që sot realizojmë në mënyrë elektronike kartelizimin elektronik të pacientëve, të cilët janë të dyshuar, kanë shenja, kanë simptoma të Covid19, apo janë raste të konfirmuara me Covid19 dhe terapitë e tyre të mjekimit”.

Manastirliu tha se komunikimi dhe informimi me qytetarët nuk duhet të mungojë, në mënyrë që çdo rast të evidentohet sa më shpejt.

“Numri 0800 400 400 është një linjë e gjelbër, e dedikuar për të gjithë ata qytetarë që kanë nevojë për informacion, që kanë nevojë të dinë kush është mjeku i familjes, që kanë nevojë të kontaktojnë direkt me mjekun e familjes për t’i lehtësuar komunikimin me mjekun dhe sigurisht për të bërë të mundur më pas ndjekjen e tyre kur janë të prekur nga COVID19”.

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here