Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, prezantoi sot planin e masave për hapjen graduale për ekonominë dhe protokollet e detyrueshme për tu zbatuar.
Lehtësimi i masave do të përfshijë katër faza, ku çdo fazë do të ketë një diferencë dy javore.
“Kemi më shumë se 100 vatra infeksioni aktive në të gjithë vendin.Komiteti i Ekspertëve ka hartuar planin për lehtësimin gradual të masave.Hapja do të jetë graduale duke nga marrë të paktën dy javë nga njëra fazë te tjetra.Fillimisht do të hapen aktivitetet me më shumë efekt në ekonomi dhe më pak efekt në përhapjen e virusit. Rihapja e aktiviteteve do të shoqërohet me kufizime”, u shpreh Manastarliu.
Duke filluar nga java e ardhshme, do të rritet me 2 orë e 30 minuta fasha orare për individët.
“Bizneset kanë përgjegjësi ligjore dhe morale për të zbatuar me përpikmëri masat për kushtet e punës të përshtatshme, masat higjieno-sanitare, dezinfektimin e ambienteve, distancimin fizik të punonjësve dhe klientëve, sipas protokolleve te miratuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, bazuar ne nivelet e rrezikut të bizneseve. Për bizneset ku rreziku i përhapjes së infeksionit është më i lartë, do të vendosen monitorues nga Ministria e Shëndetësisë. Bizneset do të penalizohen nëse nuk do ti kenë këto dokumente bazë dhe nëse nuk zbatojnë protokollet përkatëse”, tha Manastirliu.
Komiteti Teknik i Eksperteve ka hartuar planin e lehtësimit gradual të masave, i cili bazohet në kriteret epidemiologjike, kapacitetet spitalore dhe burimet e nevojshme për kontrollin dhe monitorimin e situatës.
“Paketa e masave shoqëruese përcakton hapjen graduale, duke marrë një minimum 2-javor, nga njëra fazë tek tjetra. Në vendimmarjen për të kaluar nga njëra fazë e planit të hapjes tek tjetra, do të vlerësohen nëse do të ketë rënie të qëndrueshme gjatë dy javëve sa i takon 3 indikatorëve: Rastet ditore të konfirmuara me COVID19, numri i qytetarëve të shtruar në spital dhe rastet në terapinë intensive”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë lajmëroi zgjerimin e fashës orare për këmbësorët dhe hapjen e një seri biznesesh, duke filluar nga java tjetër.
“Nëse treguesit do të jenë të qëndrueshëm, nga java e ardhshme, do të rrisim në 2 orë e 30 minuta fashën orare për individët. Do të hapim një kategori biznesesh, që nga tregtimi i veshjeve, këpucëve, tekstileve, mobiljeve, ndriçimit, pajisjeve elektronike, dyqaneve të luleve etj, për të lehtësuar ekonomitë familjare. Do të lejojmë transportin taksi nga qyteti në qytet me vetëm një person pasagjer, sipas masave të përcaktuara në protokollin specifik për udhëtimin me taksi”, bëri të ditur ministrja.
Gjatë komunikimit të saj me publikun, Manastirliu tha se vlerësimi për hapjen graduale do të jetë shumë i kujdesshëm dhe do të përcaktohet nga situate e COVID-19 në terren.
“Vlerësimi i çdo hapi të ndërmarrë do të analizohet çdo dy javë. Në rast se nuk do të kemi tregues të qëndrueshëm të situatës epidemike, plani parashikon edhe rikthim të masave të ashpra. Në rast se situata do të vijojë të jetë e qëndrueshme pas analizave të përdyjavëshme, pra nëse nuk do të kemi nevojë për frenat e emergjencës që janë gjithmonë aty, atëherë, në fillim të muajit Maj do të zgjerojmë lëvizjen e makinave brenda një bashkie, me fasha orare edhe për ata që duan të shkojnë për pazar si dhe do të lehtësojmë më tej lëvizjen e këmbësorëve brenda qyteteve”, tha Manastirliu.


