Kryefaqja Aktualitet Marketing i rremë me emrin e mjekut Alimehmeti

Marketing i rremë me emrin e mjekut Alimehmeti

0
Shpërndaje

Nga Ilda Hoxha

Pretendimi: Ilir Alimehmeti këshillon në një intervistë trajtimin ndaj parazitëve

Verdikti: E pavërtetë

Mashtrimi i lexuesve nëpërmjet mediave online, me qëllim shitjen e preparateve të caktuara, është kthyer në një shqetësim. Faktoje verifikoi se si portalet përdorin emrin e mjekut, Ilir Alimehmeti për të shitur një produkt që pretendohet se trajton parazitët.

Artikuj të shpërndarë në media pretendojnë se mjeku Ilir Alimehmeti sugjeron një preparat për trajtimin e parazitëve.

Rrëfimi tronditës i patologut: 9 nga 10 persona që kanë ndërruar jetë, janë plot me parazitë. Parazitët janë shkaku i vdekjes në 78% të rasteve! Ka shpëtim, por të gjithë heshtin për të! Kush përfiton nga kjo?”-shkruajnë portalet.

Artikulli i publikuar nga portalet

Shkrimi është ndërtuar në formën e një interviste me mjekun e njohur, por që në fillim të artikullit ka elementë që të bëjnë të dyshojnë mbi vërtetësinë e tij.

“Ilir Alimehmeti është patolog në Spitalin e Parë Klinikë të Tiranës me 40 vjet përvojë pune”-thuhet ndër të tjera në artikull. Mirëpo, Alimehmeti është mjek epidemiolog klinik dhe jo patolog.

Gjithashtu, shihet se është vënë logo e një prej mediave online në vend, “Newsbomb”, për ta bërë më të besueshme për lexuesit online.

Veç kësaj, shifrat në titull janë të fryra dhe të ekzagjëruara, duke aluduar se 78% e vdekjeve shkaktohen nga parazitët.

Në lidhje me këtë shkrim, ka reaguar edhe mjeku Ilir Alimehmeti. A bën të ditur se intervista është e rremë, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e mashtrimeve.

“Tjetër mashtrim që përdor jo vetëm emrin tim, por edhe logon e medias Newsbomb. Ju lutem, mos bini pre e këtyre mashtrimeve të rëndomta që kanë për arsye vetëm shitjen e këtyre produkteve mashtruese. Nëse keni informacion për autorët, ju lutem t’i denonconi tek autoritetet”-apelon mjeku Ilir Alimehmeti.

Faktoje ka raportuar edhe më herët mbi këto skema mashtrimi, ku përdoren intervista të rreme me mjekë për të shitur produktet.

Pas  këtij artikulli, mjeku ka reaguar edhe në faqen e tij në Facebook, ku shkruan:

“Faleminderit Faktoje.al dhe znj. Ilda Hoxha për raportimin e këtij mashtrimi publik.

Miqtë e mi, kurrë mos bini pre e mashtrimeve për blerje ilaçesh që mund të përdorin emrin tim.

Jam krejtësisht kundër reklamimit të mjekimeve nga mjekët, sepse nuk është e moralshme, edhe pse ligji në Shqipëri nuk e ndalon.

Për bindjen time, për moralin tim, për formimin tim, kurrë nuk do të reklamoj një produkt farmaceutik apo mjekësor.

Ju lutem mos i besoni askujt sot e në të ardhmen, sepse ata duan vetëm paratë tuaja, jo shëndetin tuaj.

Kurse unë dua shëndetin tuaj, jo paratë tuaja!

Ditë të bukur e të mbarë miqtë e mi! Gëzojuni diellit!”

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here