Kryefaqja Aktualitet Mbështetja e shtetit për të sëmurët me kancer? Statusi “invalid”!

Mbështetja e shtetit për të sëmurët me kancer? Statusi “invalid”!

0
Shpërndaje

Denisa Canameti

“Fat dhe lekë! Nëse këto të dyja mund t’i kombinosh, ia del të fitosh në luftën kundër tumorit.  Shteti? Të jep në dorë statusin e invalides dhe të hedh në rrugë”.

Kjo është eksperienca që sjell Greta, 21-vjeçarja e diagnostikuar me tumor në këmbë që në moshën 15-vjeçare. Ja ka dalë ta izolojë sëmundjen falë investimit të jashtëzakonshëm financiar të familjes në medikamente dhe ekzaminime pa fund. Sot po mendon seriozisht qe të ndërmarrë një nismë, të njohur e të mbështetur ligjërisht, për t’u bërë zë i këtyre pacientëve.

Në një rrëfim për “Pro Pacientit” Greta tregon për sëmundjen e saj, emocionet e një diagnoze të frikshme dhe kalvarin e mundimeve të familjes për t’i shkuar trajtimit deri në fund.

Greta, kur mësove për sëmundjen dhe a e njihje?

Jo, nuk e njihja dhe kam preferuar të mos lexoj. Fillimisht kur isha e vogël nuk dija të kërkoja. Sot që jam rritur nuk dua të di më shumë. Jam diagnostikuar në moshën 15 vjeç. Jam kuruar fillimisht me reumatizëm. E kam kapur shumë herët. Pata simptoma të dukshme, filloi të më enjtej këmba, temperaturë, enjtje dhe shkova të Poliklinika e Specialiteteve numër 3, ata dyshuan se mos ma kanë shkaktuar medikamentet. Kur panë që nuk kishte sëmundja ecuri të mirë, shkuam te pediatria.

Nga ajo që kalova ngela shumë mbrapa me mësimet. Mësuesit filluan të më vonë noatat fictive kur e morën vesh.

Si e përballoi familja jote gjithë ecurinë e trajtimit tënd?

Ne jemi familje e madhe. Jam “shkund”.  I kemi përballuar të gjitha vetë. Në 2011-n kur kam qenë unë s’ka pasur as shiringa, as pambuk. Mua më duheshin për 1 cikël kimioterapie 15 flakonë. Kushtonte 100 mijë lekë një flakon. Ishte vit tmerri. Doktorët nuk kishin çfarë të bënin. Pastaj rrezet, një sfidë më vete. Për fat të mirë i bëra në privat. Se në shtet nuk kishte mbrojtje.

Nga ana ekonomike as sot nuk po e marrim veten. Edhe sot analiza për çdo gjë vazhdimisht.

E kapa herët, mjekimin e bëra të plotë. Jam rritur në atë spital. Adoleshenca më ka ikur aty. Shoqja ime, moshatarja ime, në një dhomë ndërroi jetë shumë shpejt. Imagjino tronditjen time. Familjarët e saj nuk kishin mundësi të blinin medikamentet.  Kam një shoqe që iu përsërit sëmundja dhe është sot në Itali, më tregon që gjithçka është ndryshe.

Ti vetë si I kë përjetuar gjithë këto vite në luftë me sëmundjen?

Këtu të kesh lekun dhe fatin. Të harrojmë ngarkesën emocionale, dhimbjet që kalon. Nëse shikon dorën time e kam të nxirë. Kam marrë fobi nga aget, gjilpërat. Sepse këtu shpohesh çdo ditë dhe disa herë në ditë. Jashtë të vendosin atë aparaturën dhe vetëm një herë në fillim shpohesh.

Shteti nuk më pagoi asgjë. Familja ime përballoi çdo gjë. Tani që dola unë, çfarë të bëj? Kam statusin invalide. Ku janë mundësitë që unë të punoj, të bëj një jetë normale? Pa mbështetje, pa orientim.

Çfarë bënit kur nuk kishte ilaçe. Sa të ka kushtuar kjo sëmundje?

Kur nuk kishte shkonim te Ministria, na thoshin s’ka për të gjithë dhe asgjë. I blinim vetë. Ishte e kotë.

Më ka kushtuar 15 milion. Më kanë kushtuar rrezet më shumë.  Ekzaminimet ishin të tmerrshme. Rezonanca kërkonte nerva të forta sepse mund të çmendeshe aty brenda, në errësirë, zhurmë.

Do të punosh?

Më pëlqen të punoj. Nuk përballoj dot sforcime të tepërta fizike. Do të merrem me të drejtat e atyre që kalojnë atë që kam kaluar unë. Dua një punë që të më motivojë.

Cila është marrëdhënia me njerëzit që të njohin?

Kam dëgjuar të thonë që do vdesë mos sot nesër. E di që kur të nis punë do thonë: “U bë kjo për punë. Njerëzit nuk harrojnë lehtë”.

Ke takuar ndonjëherë psikologë?

Asnjëherë. E kam përballuar vetë. Kur del nga spitali askush nuk do t’ia di më për ty.

Kur kalon një traumë kaq të madhe ke nevojë të nisësh jetën, por këtu nuk të jepet asnjë shans.

Për sëmundjen e kam marrë vesh në vit të parë, në gjimnaz. Ndodhi ai ndryshimi që më ranë flokët. Këtë e kam përjetuar më keq sesa sëmundjen. Më ranë flokët, qerpikët, vetullat. Flokët nuk i kam prerë, në banjo i kam shkulur vetë, nuk ndjen asgjë. Kur vendosa paruken, shkova në shkollë dhe disa nuk e kuptonin, kishte shoqe që donin patjetër të dinin se çfarë më ka ndodhur. Kam blerë 3 paruke. Më pengonin te qafa. Shokët dhe shoqet u mësuan. Edhe pse unë ikja direkt pas mësimit. Sëmundja të bën shumë të ndjeshme. Vazhdoj akoma ta ndjej veten të ndjeshme. Më lëndon edhe kujdesi i tepërt.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here