Kryefaqja Aktualitet Mbi 53% e studentëve Universitetit të Mjekësisë po largohen nga Shqipëria

Mbi 53% e studentëve Universitetit të Mjekësisë po largohen nga Shqipëria

0
Shpërndaje

Gjatë shekullit të 20-të, ka pasur një numër të konsiderueshëm profesionistësh të kualifikuar dhe të arsimuar që emigruan nga vendet e tyre në kërkim të mundësive më të mira ekonomike dhe sociale për në vendet e tjera. Në vitet 60’ termi brain drain – “ikja e trurit” u krijua në përgjigje të numrit të madh të shkencëtarëve e mjekëve që braktisën vendet e tyre (Carrington & Detragiache, 1999). Brain Drain ose ndryshe largimi i trurit përcaktohet si migrimi i personelit shëndetësor në kërkim të standardit më të mirë të jetesës dhe cilësisë së jetës, paga më të larta, qasje në teknologji të përparuar dhe kushte politike, ekonomike më të qëndrueshme. Migrimi u shfaq fillimisht si një shqetësim i madh për shëndetin publik në vitet 40’ kur shumë profesionistë europianë emigruan në Britaninë e Madhe dhe SHBA. OBSH-ja (2016), ka botuar një studim të hollësishëm për 40 vende në lidhje me numrin dhe rrjedhën e profesionistëve të shëndetësisë. Sipas këtij raporti, 90% e mjekëve migrues kanë lëvizuar në (5) pesë shtete: Australi, Kanada, Gjermani, Angli dhe SHBA. Në vitin 1972, rreth 6% e mjekëve të botës (140 000 mjekë) migruan jashtë vendeve të tyre të origjinës, mbi ¾ (tre të katërtat) u gjetën në vetëm tre vende si SHBA, Angli dhe Kanada. Vendet që prodhuan më shumë mjekë sesa kishin kapacitetin për të absorbuar, u identifikuan (7) shtatë vende si Egjipti, India, Pakistani, Filipina dhe Koreja e Jugut.

Migrimi i profesionistëve të shëndetësisë për mundësi më të mira është një shqetësim gjithnjë në rritje për shkak të ndikimit të tij në sistemin shëndetësor.  Pse njerëzit e talentuar largohen nga vendet e tyre dhe shkojnë jashtë vendit? Cilat janë pasojat e migrimeve të tilla sidomos në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit? Cilat politika duhet të miratohen për të frenuar lëvizjet e tilla nga vendet në zhvillim në vendet e zhvilluara?

Pjesa më e madhe e migracionit lind si rrjedhojë e zhvillimit të vendeve të zhvilluara, ky është një shqetësim gjithnjë në rritje për shkak të ndikimit të tij në sistemin shëndetësor në vendet në zhvillim, pasi këto vende kanë investuar në edukimin dhe trajnimin e profesionistëve të rinj shëndetësorë, e kjo me kalimin e kohës do të përkthehet në humbje të resurseve të konsiderueshme.

Intelektualët e çdo vendi janë nga burimet më të shtrenjta për shkak të trajnimit të tyre në aspektin e kostos dhe kohës, dhe më e rëndësishmja, për shkak të mundësisë së humbur. Statistikat e fundit të OECD (2017), tregojnë se rreth 175 milionë njerëz, ose 2.9% e popullsisë së botës, janë migrantë, nga këto rreth 65 milionë janë ekonomikisht aktivë. Analiza tregon se 60% e mjekëve të trajnuar në Gana janë larguar nga vendi i tyre, ndërsa 65% e personelit mjekësor në Mbretërinë e Bashkuar janë të huaj (Garson, 2004).

Mungesa e të dhënave të besueshme dhe vështirësitë për të përcaktuar nëse një migrant është “i përhershëm” ose “i përkohshëm” ende ekziston. Dallimi midis faktorëve “shtytës” dhe “shtytje” është i njohur, pabarazitë e vazhdueshme në kushtet e punës midis vendeve më të pasura dhe të varfra ofrojnë një “tërheqje” më të madhe drejt vendeve më të zhvilluara. Roli i qeverive dhe agjensive të rekrutimit në inkurajimin e migracionit të profesionistëve të shëndetësisë ka rritur “tërheqjen”. Profesionistët migrues përballen me një kombinim të faktorëve ekonomikë, socialë, psikologjikë, zgjedhjeve familjare, dhe pasqyrojnë natyrën “shtyj-vendos” të zgjedhjeve që mbështesin këto “udhëtime shprese”.  Në shumë raste, vendi nuk po humbet investimet e veta në edukimin e profesionistëve të shëndetësisë, por edhe kontributin e tyre në kujdesin shëndetësor. Për shembull, shpenzimet e kujdesit shëndetësor në Indi janë 3% të PBB-së në krahasim me 13% të PBB-së në SHBA dhe raporti i mjekut me pacientin në Indi është 1: 2083 krahasuar me SHBA ku raporti është 1: 500. Për më tepër, vendet në zhvillim po vuajnë nga vitet e nëninvestimeve, të cilat për profesionistët e shëndetësisë kanë sjellë paga të ulëta, kushte të dobëta pune, shumë pak stimuj dhe mungesë lidershipi. Punëdhënësit në vendet pritëse marrin një qëndrim të ndryshëm; ata kanë mungesa të njerëzve të kualifikuar në fusha specifike dhe mund të “reduktojnë” një vend në zhvillim duke ofruar mundësi punësimi. Megjithatë, duke patur parasysh kushtet sociale, politike dhe ekonomike të vendit, a mund ta ndalojmë ikjen e trurit?

Me siguri jo!

Arsimi i lartë është një prej kanaleve kryesore të emigrimit të përhershëm. Shumica e mjekëve fitojnë kualifikime të specializuara dhe pasuniversitare në vendin pritës. Gjysma e studentëve të huaj të diplomuar në Francë, Britani të Madhe dhe SHBA kanë mbetur atje pas përfundimit të studimeve. UNESCO, (2017) në konferencën botërore të vitit për arsimin e lartë, deklaroi se mbi 2.5 milionë studentë po studiojnë jashtë vendit të tyre. UNESCO parashikoi gjithashtu se numri i studentëve të huaj do të rritet në rreth 7 milionë deri në vitin 2020.

Destinacionet kryesore do të jenë Shtetet e Bashkuara, Anglia, Gjermania, Franca, Kanadaja dhe Australia. Megjithatë, përqindja më e madhe e studentëve të huaj janë përqendruar në Zelandën e Re, Kore, Hollandë, Gjermani, Francë, Greqi, Spanjë, Itali dhe Irlandë.

Në vitet e fundit, disa vende të Azisë dhe Lindjes së Mesme kanë filluar të tërheqin më shumë studentë të huaj. Këto rajone kanë hyrë në treg me ambicie të deklaruar për t’u bërë qendra rajonale të arsimit, duke tërhequr deri në disa qindra mijëra studentë të huaj në vendet e tyre. Një raport i kohëve të fundit parashikon që numri i studentëve të lëvizshëm ndërkombëtar do të arrijë në 6.9 milionë deri në vitin 2030 – një rritje prej 51%, ose 2.3 milion studentë, nga 2018.

Sipas OECD, pothuajse një në pesë studentë të huaj është rajonalisht i lëvizshëm, ky segment i studentëve rajonalë që kërkojnë arsimim global me kosto lokale është përcaktuar si studentë “glocal”. Shumë student të quajtur “glocal” konsiderojnë ndjekjen e arsimit ndërkombëtar pasi u lejohet të fitojnë kredencialet e të huajve gjatë qëndrimit. Kështu, numri i vizave të lëshuara nga SHBA-ja, për studentët kinezë për të studiuar në universitetet amerikane është rritur me 30%  nga më shumë se 98,000 në vitin 2016 në gati 128,000 në tetor të vitit 2017, duke e vendosur Kinën si vendin më të lartë të origjinës për studentët e huaj. Pra në përgjithësi, numri total i studentëve të huaj me vizë amerikane për të studiuar në kolegje dhe universitete u rrit me 3 përqind në një rekord të lartë prej rreth 691,000 në vitin akademik 2016/2017. Rritja prej 30% e regjistrimit të studentëve kinez ishte kontribuesi kryesor në rritjen e këtij viti, tashmë studentët kinezë përbëjnë më shumë se 18% të totalit të studentëve të huaj.

Përveç këtyre faktorëve tërheqës ekzistojnë dhe disa arsye të tjera për mos kthimin e brain gainit. Ato përfshijnë mungesën e fondeve të kërkimit; lehtësira të dobëta; struktura të kufizuara të karrierës; stimulim i dobët intelektual; kërcënimet, dhunimi professional e psikologjik, mungesa e edukimit të mirë për fëmijët e tyre në vendin e tyre.

A ekziston ndonjë zgjidhje për këtë problem?

Kjo ngre pyetjen nëse mund të arsyetohet humbja e kapitalit njerëzor apo nëse duhet të bëjmë investime shtesë në shkencë, në teknologji dhe të sjellim risitë që do ta ndalojnë humbjen dhe ta kthejnë atë në gjenerimin e pasurisë së vendit.

Aktualisht, një numër vendesh po punojnë së bashku për të krijuar një kornizë globale që merret me politikën e migrimit profesional të kujdesit shëndetësor (McKinnon, 2003). Projektet e suksesshme të tilla si reformat e nisura nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) e shohin situatën nga një perspektivë shumëpalëshe, duke mbuluar çështjet e ekonomisë dhe të politikës. A është e mundur të veprohet kështu?

Hapja e kufijve ndërkombëtarë për mallra dhe punë, një strategji kryesore në ekonominë e tanishme liberale globale, shoqërohet nga një ndryshim gjuhësor nga “fluturimi i kapitalit njerëzor” dhe “ikjes së trurit” në “lëvizshmërinë profesionale ose “qarkullimin e trurit”.

Për këtë arsye, zgjidhjet duhet të bazohen në këtë perspektivë më të gjerë, duke ndërlidhur mosbalancimin e fuqisë punëtore shëndetësore mes, por edhe brenda vendeve në zhvillim dhe të zhvilluara. Në nivelet aktuale, diferencat e pagave midis vendit të burimit dhe destinacionit janë aq të mëdha sa që rritjet e vogla në pagat e kujdesit shëndetësor në vendet burimore nuk kanë gjasa të ndikojnë tek emigrantët e kujdesit shëndetësor.

Zbatimi i kodeve të rekrutimit etik

Në Maj të vitit 2003, vendet si Anglia, Kanadaja dhe shtetet e vogla ishullore si Malta, miratuan një Kod Ndërkombëtar të Praktikës për Rekrutimin Ndërkombëtar të Punonjësve Shëndetësor. Seksioni kryesor i këtij Kodi u fokusua në dekurajimin e rekrutimit të mjekëve nga vendet në zhvillim. Një çështje tjetër kritike që adresoi Kodi ishte mundësia e kompensimit financiar të vendeve në zhvillim për kostot e arsimit dhe trajnimit.

Që nga viti 2004, vendet e OECD nuk e kanë nënshkruar Kodin, por kanë filluar të krijojnë rregullore dhe kanë hyrë në marrëveshje dypalëshe që kufizojnë kohëzgjatjen e qëndrimit për mjekët e huaj (Garson, 2004).

Për shembull, Shtetet e Bashkuara zbatuan një “vizë shkëmbimi kulturor” që kufizon qëndrimin e mjekëve, infermierëve, pas skadimit të vizës së tyre, personelit u kërkohet të kthehen në vendin e tyre për dy vjet derisa të jenë në gjendje të aplikojnë për ripranim (Forcier, Giuffrida & Simoen, 2004). Në të ardhmen, kjo politikë shpreson të promovojë një “shkëmbim të trurit” dhe jo një “ikje të trurit” (Forcier et al., 2004). Në janar 2005, Presidenti i SHBA Xhorxh Bush nënshkroi një propozim që siguroi 147 milionë dollarë për rekrutimin dhe mbajtjen e infermierëve brenda Shteteve të Bashkuara, legjislacioni quhet Akti i Riinvestimit të Infermierëve dhe disa nga fondet synojnë të ofrojnë kredi studentore, bursa dhe programe diversiteti infermierorë (Duckett, 2004).

Ndikimi i migrimit në tregun e punës

Nga pikëpamja ekonomike, ikja e trurit ndikon ndjeshëm në vendet në zhvillim, këto vende kanë shpenzuar kohë dhe para duke edukuar personelin e kujdesit shëndetësor që më pas ka emigruar. Ndërsa disa janë kthyer në atdhe, shumica kanë qëndruar jashtë vendit dhe janë pasuar nga familjet e tyre. Dr. Barker i Komisionit Ekonomik të Afrikës së OKB-së ka paralajmëruar se në 25 vitet e  ardhshme Afrika do të jetë e zbrazur nga truri (Tebeje, 2015). Komenti i tij tregon alarmin në rritje mbi fluturimin e kapitalit njerëzor.

Është koha për të kuptuar dhe pranuar që lëvizshmëria e profesionistëve shëndetësor është pjesë e jetës së shekullit 21. Vendet duhet të pranojnë se konkurrojnë me institucionet më të mira në botë për një fuqi punëtore sa më cilësore. Është koha për të varrosur konceptin arkaik të ikjes së trurit dhe të kthehemi në vlerësimin e performancës së profesionistëve dhe sistemit shëndetësor.

Shqipëria dhe “ikja e trurit” të saj

Shqipëria po përjeton një eksod serioz të ikjes së trurit inteligjent të saj, vendet pritëse po fitojnë duke përdorur trurin e vendit tonë.

Mbi 53% e studentëve të UMT-së po largohen nga Shqipëria vitet e fundit për të punuar jashtë vendit. Sipas Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë nga viti 2013 deri më 31 Dhjetor 2017, 762 mjekë kanë lënë vendin për brigjet vendeve të huaja. Këta mjekë i kanë UMSH-së që t’i pajiste me Certifikatën e Sjelljes së Mirë Profesionale (GSC- Good Standing Certificates), një kërkesë e detyrueshme për mjekët që kërkojnë punë në spitalet jashtë vendit. UMSH ka lëshuar 76 GSC/mjekë në vitin 2013, 128 GSC/mjekë në vitin 2014, 143 GSC/mjekë në vitin 2015, 208 GSC/mjekë në vitin 2016, 207 GSC/mjekë në vitin 2017.

Fitimet më të mira dhe mundësitë e ekspertizës në Perëndim kanë joshur mjekët e rinj shqiptarë. Një mjek i përgjithshëm i cili në Shqipëri do të marrë një pagë prej 400 deri 500 eurosh në muaj në Gjermani e nis punën e tij me 3000 euro në muaj. Në një sondazh aktual të realizuar para pak ditëve, mbi 86% e mjekëve deklarojnë se do të dëshironin të largoheshin nga Shqipëria. Vetëm në vitin 2017 në Gjermani janë regjistruar rreth 4.000 mjekë të huaj, në listën e mjekëve të huaj janë dhe mjekë nga Greqia, Polonia, Hungaria, Bullgaria dhe Sllovakia.

Po migrojnë vetëm mjekët e rinj, këta të rinj nuk po largohen sepse e urrejnë Shqipërinë, por sepse duan një jetë më të mire!

Nga pikëpamja ekonomike, ikja e trurit do të ndikojë ndjeshëm sistemin shëndetësor. Vendi ynë ka shpenzuar kohë, buxhet duke edukuar të rinjtë por migrimi i tyre po “minon” të gjitha përpjekjet kombëtare për të arritur objektivat e zhvillimit të vendit sepse zvogëlon stafin mjekësor deri në një pikë ku sistemi i kujdesit shëndetësor nuk do të jetë në gjendje të trajtojë qytetarët e saj.

A ekziston një zgjidhje?!

Trendi i migracionit është gjithnjë e më i ndjeshëm dhe duhet të demonstrojë debatin kontestues në vendin tonë. E megjithatë, lajmi i mirë është se ndër të tjera vendi ynë duhet të fillojë të mendojë të krijojë listën e saj të spitaleve dhe qendrave mjekësore të teknologjisë së lartë duke krijuar një kthesë të re në shëndetësi atë të dedikuar pacientëve të turizmit mjekësor.

Me politika më të mira ekonomike dhe me kapitalin njerëzor për t’i ekzekutuar ato, gjërat duhet të kthehen në favor të saj. Shqipëria e ka potencialin e vet dhe mund të bëhet një destinacion global për kujdes shëndetësor në kohët dhe vitet që do të vijnë.

Është inkurajuese të theksohet se “tendenca duhet të ndryshojë” por dikush atë duhet ta studiojë!

*Ky artikull është hartuar nga mjek, pjesë e sistemit shëndetësor shtetëror, si reagim ndaj artikullit “Mjekët i përgjigjen anketimit! Përgjigjet bruto të tyre, statistika të “frikshme”, botuar nga redaksia e Pro Pacientit, ditën e djeshme. 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here