Denisa Canameti
Mentor Petrela, shefi i neurokirurgjisë në QSUT është padiskutim një nga figurat më të nderuara shqiptare që e ka çuar lart emrin e tij si mjek, por jo vetëm. Vlerësimin si ndër 100 neurokirurgët më të mirë në botë të dhënë nga Akademia e Neurologëve në Botë, Petrela e konsideron si një arritje të ardhur falë studimeve, punës së palodhur dhe mbështetjes familjare. Në një intervistë për Shëndet+ Petrela flet për përvojën e tij në QSUT, pengesat që ka pasur gjatë karrierës si mjek, propozimet për të punuar në vende me nivel shumë të lartë zhvillimi, si dhe shpjegon arsyet se përse zgjodhi Shqpërinë mbi të gjitha, flet për shëndetësinë në Shqipëri, për pacientët dhe studentët shqiptarë.
Një neurokirurg shqiptar renditet në një ndër 100 neurokirugët më të mirë në botë… Doktor Petrela, çfarë është “World Academy of Neurological Surgery” dhe çfarë do të thotë të marrësh ftesë nga kjo akademi?
Kjo është një akademi e hapur nga një pjesë e neurokirurgëve në pozicionet drejtuese të botës. Këta neurokirrugë vendosën të merrnin të gjithë akademikët për të bërë një grupim të specialistëve më të mirë.
Akademia ka rregullat e veta. Nuk funksionon se dua unë të futem në akademi dhe futem. Është dikush tjetër që të thërret. Si rregull, ata e kanë numrin të kufizuar në 100 dhe nuk mund të jenë më shumë se 100. Nuk është në bazë vendi, nuk është në bazë territori, është krejt në bazë të njohjes.
Unë jam kontaktuar nga dy prej këtyre akademikëve, i pari është shefi i neurokirurgjisë në Vjenë, Engelbert Knosp, dhe i dyti, shefi i neurokirurgjisë në Toronto, James Rutka (i cili është edhe kryeredaktor i revistës kryesore që kanë neurokirurgët “Journal of Neurosurgery”). Kjo është bursa e trurit.
Përgjigjja më erdhi në fillim të 2014-s. U liruan 2 vende dhe njërin prej tyre ma dhanë mua.
Sa e rëndësishme është për një mjek të shënojë arritje të tilla?
Është një arritje për veten time dhe për ekipin që më ndjek dhe me të cilin jam në simfoni. Është një arritje për specialitetin tonë. Unë di që ka vende rreth e rrotull që nuk kanë anëtarë në këtë akademi.
Sa e gjatë është përvoja juaj në QSUT dhe si ka qenë kjo përvojë?
Në QSUT kam punuar gjithë jetën time. Në një moment kam qenë edhe drejtues. Ajo ka qenë periudha më e vështirë, sepse bëra edhe praktikën administrative. Por normalisht u arrit një gjë shumë e rëndësishme: u vendos emri Qendra Spitalore Universitare Tiranë për spitalin. Sepse dikur kanë qenë spitale me emra kinezë, rusë, spitali 1,2,3… Nga toponimet ruso-kineze kaluam në këtë që është sot: QSUT.
Besoj se keni marrë shumë ftesa për në spitale jashtë vendit…
Po, kam marrë shumë propozime. Propozimin e parë e kam pasur për të punuar në Francë, në periudhën e komunizmit. Por duke qenë i prekur nga lufta e klasave, nëse do të kisha marrë vendim për t’u larguar, do ta kisha dënuar edhe një herë familjen time.
Kur erdha në demokraci, u tundova fort për t’u larguar. Atëherë kisha shumë mundësi për të ecur nga ana personale. Por ishte baza personale, familja, që më mbajti këtu.
Ju e njihni mjekësinë në të dyja periudhat, në komunizëm dhe pas komunizmit, si ka ndryshuar?
Mjekësia në komunizëm dhe pas komunizmit ka ndryshuar si nata me ditën. Në komunizëm ka qenë një mjekësi e përhapur, e kapilarizuar në të gjithë territorin. Përsa i përket shëndetit publik kishte disa rregulla që ishin të bazuara në mjekësinë komunitare.
Por sigurisht, nuk kemi pse i idealizojmë. Disa herë dëgjojmë njerëz që janë nostalgjik ndaj regjimit të shkuar, që mundohen ta tregojnë në mënyrë shumë të ngritur. Kur i hiperbolizojnë, të lodhin pak, sepse nuk ishte një mjekësi komunitare suedeze.
Kush apo çfarë e ndryshoi mjekësinë?
U hap shoqëria. Kalouam në shoqërinë e hapur. Dolëm nga një shoqëri e mbyllur, e ngushtë e një sistemi totalitar. Në një sistem totalitar stimulohet e keqja, jo ana pozitive. Në sistemin totalitar futet diktatura, futet lufta e klasave, luftat e religjioneve, një pjesë e shoqërisë lufton pjesën tjetër etj.
Për arritjet në shërbimin e neurokirurgjisë, stafi që ju rrethon, ju falënderon…
Çdo njeri vepron në bazë të ëndrrave të fëmijërisë. Ëndrra nuk shohin të gjithë. Fatkeqësisht, truri nuk është i barabartë. Është i barabartë si anatomi, nga ana materiale. Por në funksionim nuk është. Ëndrra shohin në përgjithësi pak njerëz.
Si do ta vlerësonit situatën aktuale të shëndetësisë në vend?
Shëndetësia është sfidë kudo. E para, duhet të nisemi nga parimi bazë: ne nuk jemi shteti më i pasur i Evropës.
Le ta themi shumë thjesht: na pëlqen që kur të shkojmë në kafe, të marrim dhe një kek apo një gjë tjetër shtesë, por kemi para sa për një gotë ujë dhe aty ndalemi. Një shtet jo i pasur nuk mund të bëjë mjekësinë njëlloj si një shtet i pasur. Këtë duhet ta ngulim në kokë. Sigurisht, është edhe pjesa tjetër: mjetet që jepen, flas për mjetet financiare që duhet të dish t’i shfrytëzosh.
Së pari, duhet të heqim parimin: Sa harxhojmë ne për shëndetësinë? Nga gjithë kjo e ardhur kombëtare që kemi, ne sa harxhojmë vetëm për shëndetësinë? Harxhojmë pak, sepse kaq janë mundësitë. Nuk mund të bëjë asgjë asnjë ministër nëse i jep një buxhet minimal dhe i thua që të zgjidhë të gjitha problemet, nga shëndeti publik e deri tek trajtimi më i vështirë i kancerit. Është e pamundur! Mund të qahen me mjekë e më të gjithë. Nuk mund të bëhet asgjë, se kaq janë mundësitë.
Flitet shpesh për korrupsion në shëndetësi…
Korrupsioni është një fjalë shumë e gjerë. Duhet kuptuar se korrupsioni nuk janë vetëm paratë nën dorë. Korrupsioni fillon që tek ai që ofron një shërbim deri tek fakti që unë në orën 12 iki nga puna kur orarin e kam deri në 16. Ky është një korrupsion i padukshëm.
Por mund të themi se ka edhe një hiperbolizim të situatës. Çdo njeri në veten e vet ka tendencën të akuzojë tjetrin e të pretendojë se vetë është në rregull.
Njerëzit në vende të tilla si Danimarka apo Norvegjia janë të kënaqur, sepse në 70-75% të rasteve i paguajnë me dëshirë të gjithë taksat që u vë shteti. Si rrjedhojë, ata gëzojnë të gjitha privilegjet sociale, me shërbime dhe me gjithçka tjetër. Atyre u ofrohet shërbim në maksimum, por dhe taksat i paguajnë.
Këtë gjë nuk e bën Italia apo Greqia, ndërsa në Shqipëri nuk e dimë fare që duhet paguar. Ndërkohë, nga ana tjetër njeriu, kërkues siç është nga natyra, e kërkon shërbimin si në Suedi.
Sa të vlerësuar janë mjekët shqiptarë nga pikëpamja e vlerës monetare?
Mjekët shqiptarë, si e gjithë shoqëria shqiptare, do të marrin sa për të jetuar korrekt si gjithë pjesa tjetër e shoqërisë. Nuk mund të pretendojë një mjek shqiptar që të marrë rrogë më mirë sesa pjesa tjetër. Doktori duhet të jetojë normal në një shoqëri normale.
Çfarë mendoni për mjekësinë popullore?
Është një shoqëri e hapur. Nuk mund të them fjalë të këqija për mjekësinë popullore, sepse unë kam pasur gjyshen time. Sot mjekësinë alternative (siç quhet), ka njerëz që e gjykojnë.
Sigurisht, nëse mua më vjen nga rruga dikush që s’e ka idenë çfarë bëhet në mjekësi dhe shkon i beson një mjekësie alternative, është problemi i atij që e beson. Unë nuk kam çfarë të them.
Shpesh në QSUT përflitet për mungesë ilaçesh… A ka mungesa në shërbimin e neurokirurgjisë?
Unë kam qenë drejtor dhe e di si funksionon, ndaj nuk mund të akuzoj drejtorë e njerëz. Kthehem tek ajo çka thamë më lart. Ne kaq mundësi kemi. Harrojeni se ne mund të bëjmë një mjekësi terciare me nivelin që ka sot buxheti i këtij shteti.
Amerika shpenzon 16% nga buxheti i shtetit për shëndetësinë, ndërkohë që ne e kemi tek 2.5% shpenzimin për shëndetësinë. Pra, të kesh buxhet sa një raketë e Amerikës dhe të kërkosh mjekësinë e Amerikës, është e pamundur.
Nga ana tjetër, nuk janë vetëm mjekët, janë edhe kapacitetet mjekësore. Në Shqipëri sot ka një fakt: nuk na mungojnë mjetet, na mungojnë njerëzit e duhur për t’i interpretuar ato.
Edukimi i vazhdueshëm është kyç në një shoqëri, por në fakt këtu nuk kuptohet. Vetëm në Shqipëri ndodh, thoshte Konica, të ekzistojë shprehja “mbaroi studimet”. Studimet nuk mbarojnë. Mund të thuash ndoqi studimet në Fakultetin e Mjekësisë ose, të erdhi rasti dhe të thuash, studiova në Harvard, por studimi nuk mbaron deri sa të ikësh nga ky cikël (jete).
Tjetër problematikë në QSUT është fluksi i madh i pacientëve, si e përballoni?
E përballojnë konsulentët. Fluks ka, sepse nuk funksionon sistemi i referencës si duhet.
Nëpër rrethe mungojnë specialistët..
Trekëndëshi kryesor për mua është Shkodër- Vlorë- Tiranë. Këtu është mbledhur e gjithë popullata. Sistemi i rrugëve ka bërë një gjë të mirë: të gjithë kanë mundësinë të lëvizin.
Unë kam punuar si mjek neurolog në Burrel. Por, le të flasim hapur. Pse të shkoj në Burrel neurolog? Çfarë do të bësh atje? Neurolog mund të jetë dikush që shkon 2 herë në javë në Burrel, por nuk ka nevojë të jetë gjatë gjithë kohës. Nëse ka një aksident vaskular, nëse ka një tumor, pacienti do të vijë në Tiranë, nuk do të qëndrojë në spitalin e Burrelit.
Një pjesë e mirë e këtyre specializantëve kanë të drejtë që kërkojnë të vijnë këtu, sepse këtu është e mbledhur popullata. Në trekëndëshin që përmenda jetojnë 2 milionë shqiptarë.
Sigurisht, nuk dua t’i diskriminoj të sëmurët, por këtu janë kushtet më të mira. Në aksidentet vaskulare, nëse ti vjen brenda 4-5 orësh në spital, mund të shpëtosh. Një neurolog në Burrel maksimumi që do të të ofrojë si shërbim, është të të japë nja 2 kokrra ilaçe, si 30 vjet më parë.
Në Shqipëri ka ardhur një numër i konsiderueshëm mjekësh të huaj. Pse mendoni se mjekë të një vendi me të ardhura shumë më të mëdha se Shqipëria, bëjnë këto zgjedhje?
Le të mos kemi iluzione. Mjekët e huaj që vijnë në Shqipëri, nuk janë më të mirët. Ata që vijnë këtu, vijnë për mjekësi biznesi. Nuk duhet ta ngatërrojmë me mjekësinë profesionale. Ose do jesh profesionist, ose do të jesh tregtar.
Sa kulturë shëndetësore kanë pacientët shqiptarë?
Atë kulturë që ka e gjithë shoqëria shqiptare. Nëse ti arrin të dalësh tani dhe të gjesh një njeri me libër në dorë, hajde dhe më thuaj.
Çfarë mendimi keni për studentët shqiptarë?
Në vitin 91’ dhe një periudhë tjetër kur isha në Francë, u jepja mësim edhe studentëve. Nuk dua të paragjykoj dhe të them që studentët shqiptarë janë më të dobët. Sistemi i edukimit është i dobët. Kam parë që këtu ka inteligjencë.
A mendoni se jeni shpërblyer në Shqipëri si nga ana financiare, ashtu dhe ajo morale? A e meritojnë shqiptarët doktor Petrelën?
Kjo është pyetje provokuese. Nuk e kam menduar gjatë. Shkurt po them se ajo çfarë ka qenë pozitive për mua në këtë vend, është se kam jetuar me familjen time. Nëse do të kisha qenë në emigracion, nëse do të kisha pasur familjen këtej, vetë andej, nuk do të isha i kënaqur.
Në një cikël jete, të jetosh me familjen, është privilegji më i madh. Kam jetuar në një vend me një klimë të mirë. Kam jetuar në rrënjët e mia dhe kjo të bën të ndihesh mirë, sidomos kur arrin një farë moshe. Njerëzit, po t’i vësh re, mundohen ta blejnë të kaluarën, sepse është një gjë që të bën të ndihesh mirë.
Çfarë mendimi keni për konkurset e pranimit në mjekësi? Shpesh flitet për manipulime…
Ideja ime ka qenë që, kur dikush mbaron shkollën, një tjetër specialist mund të ta thotë se sa i aftë je. Këtë nuk e di konkursi. Amerika e ka gjetur një zgjidhje. Unë personalisht marr listën e notave. Sigurisht, do të ishte mirë që ajo listë notash të mos ishte marrë me mik. Por nëse notat janë të vërteta, më duhet vetëm një orë ta dëgjoj specializantin dhe të them nëse është për neurokirurg apo neurolog.
Doktor Mentori ua ka dhënë këtë mundësi studentëve?
Unë ua kam dhënë. Të gjithë stafin kështu e kam marrë. Neurokirurgjia nuk ka pasur konkurse. I kam marrë të gjithë një nga një. Në përgjithësi nuk merrem me studentët e ciklit të dytë. Merrem me provimin e neurologëve dhe neurokirurgëve. Sigurisht, është përgjegjësi mjaft e madhe.
Me studentët e vitit të katërt, unë bëj mësim me specialistët. Unë kam qenë interno në Francë dhe detyra ime ishte të mësoja studentët e vitit të katërt dhe të pestë. Me këtë nuk u merrte profesori im. Kjo nuk është arritur të kuptohet. Edhe sot në Fakultetin e Mjekësisë mendojnë se puna e një profesori është të merret me studentin e vitit të katërt. Jo, nuk është kështu, është gabim, është harxhim kohe.
Një profesor duhet të merret me formimin e mirë të specialistëve, specialistë me impakt. Ke shërbime sot, ke dhe profesorë që nuk e dinë çfarë është impakti, është bursa e trurit.
Ju nuk keni telefon celular, pse një neurolog zgjedh të mos mbajë telefon celular?
Është folur shumë që celulari mund të bëjë tumore, por nuk është i provuar. Celulari të bën që gjithë kohës të jesh i lidhur me rrjetet sociale. Të rrit narcizizmin, të duket sikur je në qendër të botës. Kur nuk të bie celulari, thua që mua nuk më njeh njeri dhe të fut një boshllëk. Të krijon varësi.




