Denisa Canameti, gazetare e “Shëndet+”
Testimi i bluzave të bardha do të bëhet. Shfaqja mori fund. Ministria e Shëndetësisë tregohet më e bindur se kurrë. Të njëjtat pyetje, të njëjtat kushte, e njëjta bindje.
“Ne jemi vendosmërisht në krah të mjekëve, infermierëve dhe profesionistëve të shëndetit. Respektojmë përkushtimin me të cilin ata kujdesen për shëndetin e bashkëqytetarëve të tyre. Prandaj, do të vendosim një bashkëbisedim të përhershëm me ta, për të adresuar të gjitha çështjet që lidhen me formimin e tyre, kërkimin shkencor, autonominë profesionale, përfshirjen në qeverisjen dhe mbarëvajtjen klinike, pa lënë mënjanë nevojën për të plotësuar boshllëqet e krijuara në vite në trupën mjekësore të vendit”.
Menjëherë pas reformës në arsim, në dhjetor të vitit të kaluar qeveria tregoi bindjen për ndërmarrjen e një reforme të njëjtë edhe në shëndetësi. Kjo reformë nënkupton testimin e bluzave të bardha me qëllim “seleksionimin” e të paaftëve, gjë që do të çojë në rritjen e cilësisë së sistemit shëndetësor.
“Do të fillojmë testimin dhe kreditimin e gjithë profesionistëve të sistemit shëndetësor dhe nuk do të mbajmë në spitale dhe në sistem asnjë profesionist që nuk merr kreditë e duhura nga testimi”.
Ishin këto fjalët me të cilat kryeministri Edi Rama prezantoi këtë reformë, e cila ishte krejtësisht e paparalajmëruar, e sipas specialistëve të mjekësisë në deklaratat e mëvonshme, krejtësisht e pakonsultuar, e pamenduar, e papeshuar.
Sipas Kryeministrit, testimi kishte për qëllim që “nga njëra anë t’i japim mundësi të plotë njerëzve që të jenë në duart e duhura, po nga ana tjetër t’i japim duarve të duhura mundësinë që mos bëhen si këmbët e dhisë, sicc kanë qenë gjithë këto vite”. Pra, me fjalë të thjeshta, testimi do të bënte një ndarje midis mjekëve të aftë dhe të paaftë, ku këta të fundit të largoheshin përfundimisht nga sistemi shëndetësor. Kreditet e marra nga testimi do të ishin vendimtare për qëndrimin e mjekëve në vendin e punës, ndërkohë që nuk u fol për kreditet që mjekët kishin filluar të mblidhnin tanimë, referuar detyrimit që ata kishin nga sistemi i edukimit në vazhdim.
Përsa i përket sistemit të edukimit të vazhdim, referuar Nenit 33 të ligjit nr.10 107, datë 30.3.2009
Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë, Edukimi i vazhdueshëm profesional,
“Profesionistët e kujdesit shëndetësor janë të detyruar që t’i nënshtrohen edukimit të vazhdueshëm profesional të përditësuar për të përmirësuar njohuritë dhe aftësitë e tyre profesionale, në mënyrë që të rrisin cilësinë e kujdesit shëndetësor”.
Ky ligj parashikon përmirësimin dhe aftësinë profesionale të mjekëve, në një kohë që testimi e hedh poshtë atë, ose e bën të pabesueshëm.
Kjo “përplasje” u evidentua edhe nga profesionistët e mjekësisë, si dhe nga Urdhrat. Ishte ky fillimi i një “beteje” që do të zgjaste shumë. Bluzat e bardha e cilësuan këtë nismë si aspak pozitive, që konsiston në denigrimin dhe cenimin e figurës së mjekut. Kjo përplasje do të çonte, sipas tyre, në një thellim të hendekut mjek-pacient. E në fakt ky lajm do të pasohej me shumë incidente midis pacientëve dhe mjekëve. Shumë tavolina të rrumbullakëta, shumë diskutime mediatike, argumente dhe kundërargumente, përplasje të cilësuara herë-herë edhe si personale e rrallë profesionale.
Shpallja e pyetjeve orientuese ishin “qershia mbi tortë” që shënoi edhe valën e paradoksit të quajtur testim.
Pyetjet jo vetëm që ishin të kopjuara nga programet e huaja, por dhe përkthyer në makinën e përkthimit në “google”.
Mjekët premtuan dhe bojkotuan punën nëpër spitale duke dalë në protesta. Urdhri i Mjekut të Shqipërisë e kundërshtoi gjithashtu testimin. Pavarësisht kësaj, ata nuk ndikuan aspak në përfshirjen e mjekëve në protesta duke deklaruar disa herë që Urdhri i Mjekut nuk është sindikatë dhe si e tillë nuk krijon lëvizje sindikaliste. I njëjti qëndrim u mbajt edhe nga Urdhri I Infemierit.
Edhe pse ka një detyrim ligjor që rregullon marrëdhënien e Ministrisë me Urdhrat në këtë rast pati një krisje të marrëdhënieve midis tyre, duke shprehur një mosdakortësi të hapur. Urdhrat gjithashtu ngritën gishtin mbi Ministrinë duke e akuzuar për tejkalim kompetencash.
Urdhri i Infermierit e çoi çështjen në gjykatë. Pas shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Administrative pezulloi urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë për testimin e infermierëve.
Presidenti i Urdhrit të Infermierit e komentoi këtë vendim, duke u shprehur: “E konsiderojmë si një fitore të vogël. Sigurisht, kjo rrit detyrimin tonë që të vazhdojmë të punojmë dhe të rrisim përkushtimin përpara pacientëve. Sepse, në fund të fundit, testim për ne është puna që bëjmë me pacientët”.
Por Apeli i Gjykatës Administrative e rrëzoi kërkesën e Urdhrit të Infermierit për testimin e këtyre profesionistëve. I pyetur nga “Shëndet+”, kreu i Urdhrit të Infermierit, Sabri Skënderit, tha se do të drejtohen për rekurs në Gjykatën e Lartë.
Pas gjithë kësaj situate që në thelb kishte të bënte me papranueshmërinë, Ministria e Shëndetësisë “ u tërhoq” për ta lënë situatën që të qetësohej, por kjo nuk nënkuptonte tërheqje nga testimit.
Në qershor Ministria del sërish për të deklaruar që testimi do të bëhet. Infermierët u vunë përballë një fakti të kryer. Edhe pse pritej një reagim nga ana e bluzave të bardha, deri më tani asnjë deklaratë.
Më 24 korrik (nesër) testimi do të kryhet.
Nuk ka më protesta!
[…] Artikullshkruese, mirëmbrëma. (Referuar shkrimit “Merr fund shfaqja ministri-bluza të bardha për testimin”) […]